E vërteta vonon, por nuk harron! - Bota Sot
E vërteta vonon, por nuk harron!

Opinione

E vërteta vonon, por nuk harron!

Nga: Blendi Fevziu Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 20:17
Blendi Fevziu

Më 4 mars 1929, 89 vjet më parë, një burrë i veshur shik, me pamje krejt perëndimore dhe me ecje që binte në sy në një qytet ende oriental si Tirana, mbërriti në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet. Burri ishte librari më i njohur në Shqipëri, Mid’hat Frashëri, djali i Abdyl Frashërit, nipi i Naim dhe Sami Frashërit, firmëtar i Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, anëtar i Qeverisë së parë të Ismail Qemalit dhe ish-ambasador i Shqipërisë në Athinë. Që prej dy vitesh drejtonte në Tiranë librarinë “Lumo Skëndo”, një vend kult i kulturës, dijes dhe albanologjisë. Njëherazi, vendi më frymëzues për rininë e qytetit të vogël që po shndërrohej pak nga pak në kryeqytet të Shqipërisë. Burri po bënte diçka jo të zakonshme për një 49- vjeçar. Po depozitonte testamentin e tij. Një testament, në të cilin parashikonte që çdo gjë që kishte në këtë botë, t’ia linte Shqipërisë. Siç dëshmohet në paragrafin e parë:

“Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka, para etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë”.

Më tej vijonin një seri dhurimesh të tjera, përfshirë sendet personale të vëllezërve Frashëri, paratë kesh dhe çdo gjë tjetër dhe në fund kishte vetëm një amanet:

“Nuk di se ku do të vendoset INSTITUTI; po, në qoftë se goditetë (ndërtohet) pakëzë jashtë qytetitë, do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të math dhenjë qiparis. Më duketë sikur do të jem ruajtësi i INSTITUTIT, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij”.

Zhvillimet historike dhe fati i keq sollën që as testamenti të mos zbatohej dhe as amaneti të mos zinte vend. Mid’hat Frashëri ndërroi jetë në një hotel në Nju Jork, më 1949, kur drejtonte Komitetin “Shqipëria e Lirë”, një qeveri në mërgim e njohur nga demokracitë perëndimore, që kontestonte regjimin komunist, diktatorial në Shqipëri. Ai u varros në Long Island, në varrezë komunale, ku çdo tetor grupimet antikomuniste zhvillonin homazhe dhe këndonin Himnin e Flamurit. Të vetmen gjë që i bashkonte me kundërshtarët e tyre komunistë!

Shembulli i Mid’hat Frashërit është shembulli tipik i nëpërkëmbjes historike, shpjegimit të gabuar dhe pa dyshim përdorimit banal të historisë nga regjimi komunist. Pas pushtimit italian, Mid’hat Frashëri së bashku me një grup intelektualësh të tjerë krijoi organizatën e Ballit Kombëtar dhe tentoi të bënte rezistencë ndaj pushtuesve. Në fillimet e tyre, Balli dhe komunistët dallonin në pak gjëra, por më thelbësorja ishte vizioni që kishin për Shqipërinë e pasluftës. Dy organizimet që kërkonin një Shqipëri pa pushtues u përplasën ashpër edhe mes tyre, duke i dhënë luftës karakteristikat tipike të një lufte civile. Komunistët fituan. Ata ndërtuan një shtet të ngjashëm me Bashkim Sovjetik dhe një nga diktaturat më të ashpra në botë. Të krahasueshme vetëm me Korenë e sotme të Veriut. Mid’hat Frashëri u largua nga Shqipëria. Ai bashkëpunoi me britanikët dhe amerikanët me idenë e rrëzimit të regjimit komunist, por dështoi. Ndërroi jetë papritur më 1949, duke pasur mbi shpinë nga historiografia komuniste, damkën si tradhtar.

Nuk dua të zgjatem më shumë në analizën e baltës dhe përdhosjes ndaj tij. Njeriu që u bë botues i disa prej revistave dhe gazetave të rëndësishme shqip si “Diturija”; organizatori i Kongresit të Manastirit dhe bashkëkryetar me Gjergj Fishtën i komisionit të alfabetit, që vendosi alfabetin latin. Pra, njeriu që ka kontribut për shkronjat me të cilat shkruajmë gjuhën sot. Firmëtari i Aktit të Pavarësisë; Ministri i Qeverisë së Parë të Ismail Qemalit; Ambasadori i Shqipërisë në Athinë dhe mbi të gjitha, kontribuuesi i pashembullt i Bibliotekës Kombëtare, u njollos sepse në më pak se 2 vjet drejtoi një organizatë që kishte bindje të kundërta politike me komunizmin. Nuk dua të merrem me asnjë nga këto. Historia e ka zgjidhur tashmë maskaradën gjysmëshekullore. Dua të përsëris vetëm një thënie kaq të njohur: “E vërteta mbase vonon, por nuk humbet kurrë”.

89 vjet më pas, amaneti i tij po bëhet realitet. Mid’hat Frashëri po kthehet në Shqipëri. Në Nju Jork, shteti amerikan i ka organizuar një përcjellje zyrtare. Arkivoli i mbuluar me flamurin kombëtar, mbërrin në 14 nëntor në Tiranë, për t’u varrosur pranë babait të tij, Abdyl Frashërit, dhe xhaxhait, Naim Frashërit. Në krah të Faik Konicës. Në Kodrat e Liqenit. Aty ku qëndrojnë njerëzit që kanë një kontribut real për kulturën e këtij vendi. Ai i fali Shqipërisë gjithçka kishte. Gjithçka materiale, pasi i kishte falur më parë, thuajse gjithë jetën e tij. Shqipëria i ktheu sot, borxhin që i kishte prej dekadash: 2 metra varr, për ta mbajtur në gjirin e saj!

Mirë se u riktheve në atdhe Mid’hat Frashëri!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test