Shkronjat janë dritë

Opinione

Shkronjat janë dritë

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 21:19
Mr. sci. Sylejman Salihu

Ato ngado ecin, ngado shkojnë, ngado duken, ndriçojnë. Xixëllojnë si xixëllonjat. Ndriçojnë jetë njerëzish, jetë popujsh, jetë epokash. Secila nga ato është një qiri, është një degë pishe, është një fanar. Kur shfaqen, shkëlqen drita, ikën terri. Ç’ dritë, ç’ terr? Drita e mendjes e terri i paditurisë. Për të gjithë popujt. Edhe për shqiptarët, më në fund. Erdhën vonë, por më mirë vonë se kurrë. Erdhën si sihariq që të na tregojnë se në horizont po shfaqej drita. E ku ka dritë, ka jetë. Ku ka dritë ka diell. Ku ka diell gëlon jeta. Diell që ngroh, diell, që rrezon, diell që ndriçon. Agimi mëngjesor po dukej, muzgu i natës së gjatë po çahej si një cohë e zezë. Ato po vinin dhe tashmë ishin nisur. Duhej të vinin medoemos se koha po i kërkonte që ato të vinin.

Për disa shekuj koha kishte ecur e ato kishin ngecur. Kishin vendnumëruar. Të tjerët ecnin e ne rrinim. Bashkë me to. Jo se donim vetë të rrinim në vend, por nuk na linin të ecnim. Zoti ju ka mallkuar, thoshin. Ishim të ndaluar. E popujt e ndaluar, nuk mund të ecin kur janë të mbërthyer.Ndalesa ishte e gjatë. Pafund. Madje ndalesë shekullore në shumës.Domethënë me shumë shekuj. Ndalesa të pamatshme në kohë. Por ato, shkronjat , tashmë kishin nisur marshimin e tyre. Do të vinin se s’ bën. Si bën një gjuhë hyjnore pa to? Koha i thërriste. Ejani më, se mjaft pritëm se gati vdiqëm edhe ne duke pritur. A jetohet në pritje? Dhe më në fund erdhën. Me këmbë të mbarë erdhën në Manastir. Zunë vend. Qiriazët ua hapën portën e madhe. Hyni, thanë brenda dhe zoti ju bekoftë! Ato hynë si në garë bashkë me etërit e tyre Dhe filloi gara.Fishta, Mjeda, Frashëri, Gurakuqi. Do fitoj unë a do të fitosh ti? Alfabetet prisnin në radhë. Ca të tillë, që ishin përdorur po i ndjenin grahmat e fundit. Madje u hidhëruan që s’ u ftuan fare. Si duket koha i përjashtoi.

Mjaft kishin livadhisur në tokën e huaj. Kuvendi nisi. Në krye të tij burra mendjendritur. Burra me lapsa dhe alfabete në duar. Edhe shoqata e shoqëri. Me emra që premtojnë. Me emra që bashkojnë, me emra që ndriçojnë. “Agimi”, “Bashkimi”, “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip”. Shkronja dhe alfabete rrinë gju më gju. Kë do ta marrin? Kush do të pagëzohet? Kush do të fitojë? Me fytyrë nga lindja a perëndimi? Nga të shkojmë? Por sytë ishin për të parë: Andej “Që lind nga perëndon”, thoshte Profeti i madh nga Frashëri. Ato latine u dukën më joshëse. Më të lehta, më lozonjare. T’ i marrim , thanë, se i bëjnë dritë kombit. Siç i kanë ndriçuar të tjerët, le të na ndriçojnë edhe neve. Dhe u tha, u bë. Nuk ngurruan, nuk hezituan. U përqafuan dhe uruan të gjithë gjithë gëzim. Prifti uron hoxhën, hoxha përqafon priftin. Gëzuar vëlla, uronin. Edhe ca lotë gëzimi u shkonin për faqe! Shkronjat filluan të qeshnin gjithë gaz.

Ju qani e ne qeshim. Se mjaft kemi qarë ne. Na u hap dera për të filluar jetën edhe ne, thanë. Për të ecur rrugës së popujve tjerë. Kolona e tyre zgjatej, bëhej më e madhe. Edhe unë dua, thoshte njëra, edhe unë dua, thoshte tjetra. Dhe u bënë bashkë plotë 36. A,B,C...Y,Z,ZH. Hynë në valle dhe bashkë me to vallëzoi edhe populli. Se drita kishte nisur të dukej në horizont. Pas pak u gris edhe perdja e hekurt e robërisë: pushka dhe shkronjat po ecnin bashkë si vëlla e motër. Ishte udhëtim i vështirë, por jo i pamundur. Se nuk ecet vetëm nëpër baltë, nëpër shkëmbinj, ecet edhe nëpër gjak. Kur s’ kishte bojë, edhe gjaku bënte punë për të shkruar gjuhën shqipe. Dhe u shkrua deri sot me shumë gjak, pa u tharë kurrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat