Lasgshi Poradeci: Kur e rrethuan dhe donin ta kapnin, Haki Taha vrau veten, se vetëm trimat vrasin veten!

Opinione

Lasgshi Poradeci: Kur e rrethuan dhe donin ta kapnin, Haki Taha vrau veten, se vetëm trimat vrasin veten!

Nga: Gani Mehmetaj Më: 17 nëntor 2018 Në ora: 12:24
Gani Mehmetaj

Po ecnim rrugës të dy, me Lasgushin - shkruan Meri Lalaj, në librin: “Lasgushi me ka thënë” - dhe ai po më tregonte se si serbët i ndiqnin kosovarët në kohën e Zogut. Kështu, kishin ardhur në Shqipëri dy kosovarë: Bajram Gashi dhe Haki Taha, që ishin mësues - njëri në njërën shkollë të Shenavlashit, tjetri në tjetrën. Një ditë në Tiranë, - vazhdoi Lasgushi, - më takoi Haki Taha dhe më tregoi një libër, ja kaq të trashë, sa gishti. Ishte një përmbledhje me poezi për Kosovën. Aty ishte edhe poezia ime "Marshi Kosovar".

- Të lutem - më tha Haki Taha, - të na bësh një parathënie.

- Unë nuk shkruaj në prozë, - i thashë - po për Kosovën do ta bëj.

Njëherë vajta në Shenavlash, - vijoi Lasgushi, - dhe më ftoi për drekë prifti i fshatit. Duke ecur rrugës përmes fshatit, takova Haki Tahën, i cili më tha: - Nëna dhe unë po të presim për drekë.

- Më ka ftuar për drekë prifti i fshatit, - thashë unë, - por do të vij te ti”.

Pastaj Lasgushi rrëfen për aktin burrnor të Haki Tahës: “ Një ditë, Haki Taha vajti në komitet dhe i tha rojës me pushkë që ruante te dera: "Lajmëroje Miladin Popoviçin se e kërkoj unë". Pas pak, roja e lejoi të hynte brenda në komitet dhe atje, në zyrën e Miladinit, ai nxori koburen dhe ia numëroi të dhjetat mu në ballë. Hakiun e fshehën kosovarët me javë të tëra, se e ndiqnin serbët. Më së fundi, kur e rrethuan dhe donin ta kapnin, Haki Taha vrau veten, se vetëm trimat vrasin veten”, shkruan në kujtimet e tij Lasgushi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat