“Popllava” dhe SNS-i mbyllin Shtëpinë e Kulturës, Bibliotekën dhe RTP- në në Preshevë!

Opinione

“Popllava” dhe SNS-i mbyllin Shtëpinë e Kulturës, Bibliotekën dhe RTP- në në Preshevë!

Nga: Nehat Hyseni Më: 17 nëntor 2018 Në ora: 16:16
Nehat Hyseni

Të premtën, si ditë e fundit e punës të javës, më 16 nëntor 2018, në orën 15:00, dmth në fund të orarit të punës, Inspekcioni Shtetëror për mbrojtje kundër zjarrit nga Vranja, me asistimin e policisë, në mënyrë speltakulare i mbylli dhe “bllomboi” dyert e Shtëpisë së Kulturës “Abdullah Krashnica”, të Bibliotekës komunale “Mehmet Jusufi”, si dhe të RTV “Presheva” dhe Zyren e Organizatës së rinisë, të cilat gjenden në të njejtin objekt, me arsyetimin gjithashtu banal se “nuk posedojnë Planin për mbrojtje kundër zjarrit”!?

Ky “sihariq” i paparë dhe spektakular, që u orkestrua nga pushteti i SNS-it të Aleksandar Vuçiqit në Beograd, u realizua pikërisht në vigjilie të “Pre Fest”-it, dmth një ditë pas mbylljes së dhunëshme të objektit ku do të mbahej ky eveniment, që realisht është më i evenimenti më i rëndësishëm dhe më i avancuar artistik e kulturor në komunën e Preshevës, që ishte paralajmëruar një muaj më parë dhe ishte reklamuar në mediat lokale të Luginës së Preshevës, të Serbisë dhe në Kosovë e Maqedoni.

Pse e bëri këtë veprim makabër dhe antishqiptar pushteti i Serbisë, kur dihet mirëfilli fakti se as institucionet tjera publike e shtetërore në komunën e Preshevës, si psh. Stacioni i Policisë, Administrata komunale, etj. nuk posedojnë plane për mbrojtje të objekteve kundër zjarrit?

Përgjigjen më të saktë në këtë pyetje e jep vet momenti i përzgjedhur nga pushteti antishqiptar i partisë postshesheliane të SNS-it të Aleksandar Vuçiqit, që përkon me gjashtëvjetorin e vendosjes së Lapidarit të UÇPMB-së para Kuvendit Komunal dhe para festivalit të përmendur “Pre Fest” të fotografisë, ku do merrnin pjesë artistë eminentë të fotografisë nga Beogradi, Kosova, Maqedonia, Turqia dhe shumë të tjerë nga rajoni dhe më gjerë.

Pra, ky festival është tradicional ka karakter ndërkombëtar dhe posedon edhe lejen e Ministrisë përkatëse të Qeverisë së Serbisë.

Dihet mirëfilli se Qeveria e Serbisë dhe inspekcioni i saj shtetëror nga Vranja, nuk kanë mundur të gjejnë momentum më delikat se ky. 

Duket ashiqare se ky veprim makabër është studiuar mirë dhe është harmonizuar me kreun e pushtetit lokal, APN të Shqiprim Arifit, apo siç ka dëshirë të vetëquhet, “Popllavës”, që është në koalicion me SNS-in e Aleksandar Vuçiqit.

Instrukcionet e Vuçiqit transmetohen intenzivisht me përfaqësuesin e tij nga Surdulica, qoftë në zyret e Kuvendit Komunal në Preshevë, apo nëpër lokale e zyra të ndryshme në Vranjë, Surdulicë dhe Beograd. S’do mend se këshillat e tilla antishqiptare, nuk i sjellin asgjë të mirë shqiptarve të kësaj komune, por paraqesin kontroll të fuqishëm dhe makabër të politikbërjes lokale në Preshevë, por pretendojnë që ta “fusin në grusht” edhe Komunën e Bujanocit.

Kurse, për komunën e Medvegjës të mos flasin fare, sepse atë Serbia kurrë nuk ka pushuar së kontrolluari.
Momentumi i tanishëm është zgjedhur nga Serbia me qëllim që t’ia rikthej besimin shqiptarve në APN-në, duke e paraqitur si “viktimë”, meqë kjo parti ka humbur besimin tek votuesit shqiptarë dhe po konsiderohet si Degë e SNS-it dhe si dorë e zgjatur dhe vegël e Beogradit.

Disfata katastrofale e kësaj partie për zgjedhjet e 4 nëntorit 2018, nga 7000 vota për zgjedhjet lokale, në 2400, dmth trefish më pak, i ka ndezur sirenat e alarmit dhe ka mbjellur panik në pushtetin lokal në Preshevë dhe në Qeverinë e Serbisë në Beograd.

Prandaj, lojrat e këtilla të pista antishqiptare nuk i duhen shqiptarve të Luginës, e aq më pak Komunës së Preshevës, sidomos gjatë kohës kur është duke u zhvilluar finalja e Dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel dhe është paraqitur edhe opcioni për “korrigjimin e kufijve” nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat