Kodi moral i fjalimit të fundit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut

Opinione

Kodi moral i fjalimit të fundit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut

Nga: Asllan Bushati Më: 18 nëntor 2018 Në ora: 07:05
Asllan Bushati

Përvjetori i 106-të i pavarsisë së Shqipërisë( 1912-2018), përkon me vitin jubilar të 550 vjetorit të largimit nga kjo jetë të Heroit tone Kombëtar  Gjergj Kastriotit – Skënderbeut  (17 janar 1468). Duke qenë se ai  është ideatori dhe  formuesi  i  shtetit të parë shqiptar dhe në një farë mënyre “Ati i Kombit tonë”, ja vlen të shikojmë disa element kryesorë të fjalimit tij të fundit, marrë nga libri i Stephan Zannovich me titull:”Le  Grand Castriotto d’Albanie, Histori”. Libër ky i botuar në vitin 1779 nga shtëpia   botuese J.J.Kesler në Frankfurt të Gjermanisë. Fjalimin e fundit të  Skënderbeut,  Princi i Matit dhe Mbreti i gjithë  shqiptarve e gjejmë në faqet 70 – 89 të shkruar në gjuhën frëngjisht.  Sipas autorit, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu , në prag të largimit nga kjo jetë,  i pushtuar nga ethet e malarjes, është shprehur në vatrën e tij para princave, ambasadorëve, gjeneralëve dhe drejtuesve kryesor të vendit me një fjalim i cili ka përmasa fondamentale për udhëheqësit shqiptar të të gjitha kohrave. Boshti i fjalimit përshohet si  të  thuash  nga një këndshikimi  udhërrëfyes  ku vihen në dukje  se: trimëria, virtyti, vizioni,  drejtësi,  bujaria, merita, guximi,  vigjilenca e durueshmëria  janë  “kodi moral” i domosdoshëm  për një udhëheqës. Për ilustrim dhe konkretizim po nënvizoj me poshtë disa citime  e mendime nga ky fjalim:

« Jam në prag të varrit. Po ju lë një mbretëri me forca të afta për ta mbrojtur, por me një pasardhës të paaftë nga mosha për ta drejtuar. Megjithatë, në qoftë se në të ardhmen ju bëheni trima dhe të virtytshëm, ju mund të përballoni të gjitha sulmet e armiqve tuaj. Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që  e bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të”.

Nga ky citim del se Skënderbeu na  ka lënë si “amanet” të vënë në plan të parë  “trimrinë”. Sepse ai e ka ditur më mirë se kushdo tjetër se  pa trimrinë as që mund të mendohen elememtët e tjerë moral, psikologjik e  profesional të një udhëheqësi dhe të një  luftëtari për mbrojtjen e vendit .Parë nga ky këndshikimi, lypset që  trimria para së gjithash të bëhet  pjesë  e  shpirtit dhe e  qenies së udhëheqësit dhe  luftëtarit. Por, në të njejtën kohë  ajo si një gjë themelore e  jetës shpirtrore të  njeriut ,duhet përsoset e forcohet në vijimsi në raport me kohën e hapsirën.

 E dyta në radhë është vënë virtytëshmëria e cila në konceptimin e përgjithshëm të asaj kohe (por edhe të të sotmes), është mbartësja e nje force te pastërt  shpirtrore, edukative dhe intelektuale që con drejt sjelljeve te mira njerëzore, morale, intelektuale, profesionale, politike dhe fetare. Ajo gjithashtu bart me vehte  virtytin e dashurise per atëdhe, per liri, per unitet, për bashkim të trojeve, për drejtësi, për respekt ndaj atyre që japin kontributin e vet kombetarë e profesional. Posedon virtyte humane e sociale dhe  është i gatshëm tu dalë në ndihmë të  tjerëve që kanë nevojë për ndihmë. Ështe i gatshëm edhe të sakrifikoi për të tjerët dhe për interersa kombëtare. Interesat e veta personale, i  virtytëshmi nuk i realizon  në dëm të ineresave të të  tjerve apo në dëm të interesave kombëtare. Prandaj i madhi Skënderbe që në krye të fjalimit ka thënë:”ju duhet të bëheni trima dhe të virtytshëm”.

Një aspekt tjetër fondamental i këtij citimi të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, është : vizioni për liderët shqiptar të asaj kohe ( për  cdo fushe)   kur nënvizon se:. “Nuk është sipërfaqja e vendit ajo që e bën një fron të respektueshëm, por aftësia e atij që ulet mbi të”.E thënë me fjalë të tjera,trimria dhe virtytëshmëria janë domosdoshmëri, por ato  lypset të shoqërohen me doemos me “vizionin e qartë” të atij që udhëheq.

Që një udhëheqës të jetë i suksesshëm, -sipas Skënderbeut- duhet të krijojë mjedisin e duhur për “drejtësi”  për të cilën  sygjeron:” Krijoni vendshkrime të paçensuruara në të gjithë sipërfaqen e mbretërisë ku mund të publikohen të gjitha padrejtësitë dhe dhuna që mund të ushtrohen nga drejtuesit e krahinave tuaja. Bëni këtë edhe për miqt apo familjarët e tyre që jetojnë në oborrin tuaj, të cilët i fshehin këto shkelje apo i përdorin nën pretekstin e drejtësisë  dhe të domosdoshërisë.…Kur sapo të keni marrë drejtimin e pushtetit, ju do të kujdeseni për Drejtësinë, e cila është themeli i të gjitha virtytëve. Ju do të mbroni artizanët, si njerëzit më të dobishëm të zonave të pushtetit tuaj, dhe do të parandaloni shtypjen e tyre nga pasanikët. Krenaria dhe lluksi i bën pasanikët të pandjeshëm ndaj fatkeqësive të varfërve, të cilët nuk kanë as tituj (grada) e as mbështetje. Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj ; dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyesni ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga minisitrat tuaj…Dëgjoni ankesat dhe kërkesat e popullit tuaj me qetësi sa që ti frymëzoni  besim atij për t’ju ndihmuar të korigjoni abuzimet dhe fatkeqsitë e shtetit.”

Bujaria si element themelor i karakteri të drejtuesit në fjalimin e fundit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut nënvizohet si më poshtë:” Kur të ju flasin keq për dikë, ju do ta dëgjoni me gjysëm veshi… Ju do të jeni të sjellshëm me të gjitha shtresat popullore. Për arsye të postit (gradës), që do të keni së shpejti në shoqëri, ju duhet të dalloheni nga të tjerët nëpërmjet bujarisë, i cili është karakteri dallues i princave. Një monark, edhe i varfër, duhet të jetë bujar…”

Artizani, blektori,ndërtuesi, ushtari etj, kanë meritën  se  bëjnë gjera  të rëndësishme e të dobishme  për jetën e tyre dhe të tjerëve. “Mbrojeni meritën  dhe shpërndajeni atë kudo që ajo ndodhet. Merita është mirësi që duhet të shoqërohet me një zemër bujare se njeriu ndëron tempuj, ngre altar për Zotin në saje të mirësisë e meritës së tij”-thotë në fjalimin e tij Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Dhe shton më tej për “guximin” duke theksuar:” Armatosuni me guximin dhe vendosmërinë në mjerim dhe me maturinë në mirqenie. Mos u zhytni në përtaci se ajo është nëna e të gjitha veseve”.

Duke patur një përvojë të madhe  e të jashzakonëshme  në marrdhëniet  me armiqt e jashtëm e të brendëshëm,- Skënderbeu i porosiste prijësit e gjeneralët  e tij si më poshtë: “Mos mbyllni sytë ndaj fqinjëve dhe traktateve të tyre : ata do të presin momentin kur ju do të jeni të brishtë për t’ju akuzuar dhe do të pohojnë pretendime të rreme mbi trashgiminë që po ju lë. Mos përdorni spiunë për të ditur se çfarë thonë njerëzit në lidhje me administrimin tuaj. Bëni punën tuaj ashtu si duhet, njerëzia le të flasin dhe të shkruajë çfarë të dëshirojë…” dhe më poshtë” Jeni të durueshëm në çështjet e luftës, të patrembur në rreziqe, të butë dhe humanë, kurrë mizorë dhe gjaknxehtë. Fshihni dhimbjen që fatkeqësitë tuaja mund të ju shkaktojnë. Armiqtë tuaj do të jenë gjithmonë të gatshëm të ju fyejnë për fatkeqësitë, dhe ministrat të ju tradhëtojnë. Kujdesuni që të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar, që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, ti stërvitni dhe ti trajtoni jo si skllevër por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë, ju do të udhëheqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar…. Pika kulmore e një lufte është çorientuese, duhet ndjerë pasiguria (rreziku). Atëherë kujdesi dhe guximi do të ju shërbejnë më mirë se sa pasuria. Duhet të dish të fitosh, por mos harroni se edhe mund të mposhtesh. Sfidoni veten tuaj : mos e humbisni toruan nga zemërimi, sepse atëherë i thjeshti (i vogli) bëhet i keq dhe mbreti një përbindësh.

Mos harroni se politika turke është për të mbjellë përçarje mes princave të krishterë.. E gjithë madhështia e tyre gjendet në këtë politikë  shkatërruese, e cila bën më shumë pushtime sesa armët e tyre.”

Megjithse kanë kaluar pesë shekuj e gjysëm nga mbajtja e këtij fjalimi, mesazhi që Heroi Ynë Kombëtar dhe Ati i Kombit Shqiptar, përciellë është aktual edhe sot. Do të dëshiroja që këtë fjalim ta studionin e ri studionin  dhe ta përvetësonin udhëheqësit e sotëm shqiptar të cdo niveli.  Kjo do t’ju shërbente shumë atyre  për të kuptuar se cfar është: trimëri, virtyti, vizioni, drejtësia, bujaria, merita , guximi, vigjilenca, durueshmëria (maturia). Do të kuptonin se të qenit në një post  a funksion  të cfaredoshëm është detyrë e përgjegjësi e madhe si shërbëtor para  popullit dhe jo si tiran i tij. Shpresoj dhe dëshiroj që edhe  gjeneratat e reja do ta pëvetësojnë e bëjnë pjesë të  qenies tyre  “kodin moral” të fjalimit të fundit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat