Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve do ta bashkëqeverisin “partitë e vjetra”: PVD dhe PDSH, që organizuan Referendumin e vitit 1992

Opinione

Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve do ta bashkëqeverisin “partitë e vjetra”: PVD dhe PDSH, që organizuan Referendumin e vitit 1992

Nga: Nehat Hyseni Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 07:47
Nehat Hyseni

Partia për Veprim Demokratik është fituese e zgjedhjeve të 4 nëntorit për KKSH dhe me Partinë Demokratike Shqiptare të dielën, më 18 nëntor 2018, nënshkruajtën Marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Prandaj, të gjithë shqiptarve në Luginë të Preshevës i urojmë për këtë fitore të madhe dhe për arritjen e Marrëveshjes së koalicionit qeverisës të KKSH-së dhe i dëshirojmë suksese në katër vitet e ardhëshme.

Ky koalicion parimor është lidhur midis dy subjekteve politike më të vjetra të shqiptarve në Luginë të Preshevës, të cilat së bashku e organizuan dhe udhëhoqën me sukses Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, “Për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën”.

Realisht, fushata parazgjedhore për këto zgjedhje karakterizohej me dy “blloqe” partishë, që garuan me gjashtë lista zgjedhore:

Blloku i parë:

PVD-6 dhe PDSH-2, me 8 mandate është fituesi i këtyre zgjedhjeve meqë ka fituar shumicën nga gjithsej 15 anëtarë dhe do ta qeverisë KKSH-në në katë vite të ardhëshme.

Kurse, blloku apo grupi i dytë: APN -4, PD dhe LRPDSH-1, dmth me 7 mandate të fituara, janë “humbës” të këtyre zgjedhjeve dhe në këtë mandat katërvjeçar 2018-2022, do të mbeten në opozitë.

Duhet theksuar se këto zgjedhje u karakterizuan me një tentativë agresive të fituesve të zgjedhjeve të jashtëzakonëshme lokale në komunën e Preshevës të 24 dhjetorit 2017, që u organizuan dhe menaxhuan nga Organi i Dhunshëm APN-SNS, i caktuar nga Qeveria e Serbisë, me Shqiprim Arifin, apo siç po vetëquhet “Popllava”, si kryetar.

Këta instaluan edhe dy këshillëtarë serbë në Kuvendin Komunal të Preshevës, nga vullneti politik dhe tekat e tyre dashakeqe kushtëzohet jo vetëm agjenda politike, por edhe datat e seancave të Kuvendit.

Qeveria e Serbisë dhe partia e Presidentit Aleksandar Vuçiq, SNS-i, pas suksesit të arritur me instalimin e aleatëve të tyre servilë në udhëheqjen e pushtetit lokal, në agjendë kishin mësyerjen drejtë fitores dhe futjes nën kontroll të plotë edhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarve, si institucion i vetëm kombëtar i shqiptarve në Serbi.

Natyrisht se në këtë rrugëtim makabër antishqiptar, pengesë kryesore ishte “Politika e vjetër”, dhmth PVD dhe PDSH.

Por, kësaj here Serbia përgatiti edhe “variantin rezervë”: inkurajoi dhe motivoi futjen e një biznesmeni nga Medvegja, Muharrem Salihun, me listë të veçantë, me numër 6, në të cilën u përfshinë kandidatë nga “Matica Albanaca” (Amza Shqiptare) nga Novi Sadi, me Demo Berishën, si pjesëtar i forcave speciale të Serbisë që luftuar kundër UÇK-së dhe shqiptarve të pambrojtur në Kosovë. Gjithashtu, në listën e quajtur AFEDS të Muharrem Salihut nga Medvegja, u përfshi edhe një profesoreshë shqiptare nga Beogradi, si dhe disa dështakë politikë nga Presheva e Bujanoci.

Pretendimet e hapta politike të tij ishin “depolitizimi” i KKSH-së, që do të thotë: përjashtimin apo eliminimin e të gjitha partive nga fushata dhe vendosja e “ekspertëve” sipas tij. Madje, ai vlerësonte se Medvegja dhe kandidatët hashtë Preshevës dhe Bujanocit duhet ta udhëheqin KKSH-në!

Fatmirësisht, vigjilenca dhe syçeltësia e votuesve nuk mungoi dhe kjo politikë antishqiptare e serbofile, nuk kaloi dhe u ndëshkua katërcipërisht me mosdhënie të votës.

Pra, Serbia me elementët e saj antishqiptarë, kësaj radhe dështoi në përpjekjet e saja të rrezikëshme që ta fusë plotësisht nën kontroll të vet KKSH-në, qoftë duke ndihmuar kolaboracionistët e pushtetit lokal në Preshevë dhe bashkëpunëtorët e vet nga Bujanoci, apo edhe me imponimin e Muharrem Salihut nga Medvegja për kryetar dhe me shqiptarë të UDB-së nga Novi Sadi.

Ky interesim kaq i madh i Serbisë në zgjedhjet e 4 nëntorit për Këshillin Kombëtar konsiston në faktin se Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel ka hyrë në fazën finale dhe shqiptarët e mirëorganizuar dhe të ndikuar e të kontrolluar nga Prishtina e Tirana zyrtare, mund t’i prishin punë.

Pastaj, në këtë drejtim, shqiptarët e “pa kontrolluar”, mund t’i shkaktojnë kokëçarje Serbisë edhe në negociatat për plotësimin e kushteve për anëtarësim të saj në Unionin Europian.

Serbia me të gjitha forcat, qoftë me “karrotë”, apo me “shkop” pretendon t’i mbajë pafundësisht shaiptarët, si komunitetin më të diskriminuar në Europë, pa u ndëshkuar dhe pa u sankcionuar nga BE, SHBA-të dhe nga bota demokratike dhe politikbërja ndërkombëtare.
Kuptohet se në këtë drejtim, Serbisë i duhen më shumë se kurrë shqiptarët kolaboracionistë dhe të etshëm për pushtet, të cilët do të hjekin dorë nga Flamuri Kombëtar, të cilët gjatë fushatës u deklaruan për ndryshimin e tij.

Madje, APN dhe LRPDSH u deklaruan haptas për ndryshimin e pamjes së tij dhe dyshohet se ekzistojnë marrëveshje të fshehëta me Qeverinë dhe me politikbërjen serbe me të cilët ata janë dakorduar edhe konkretisht se si do të dukes ky flamur “kombëtar” i ndryshuar.

Gjithashtu, APN, PD dhe LRPDSH kishin qëndrime identike apo të njejta edhe lidhur me tekstet mësimore, sipas të cilëve ato duhen të përkthehen në Beograd apo dikund tjetër në Serbi.

Kundër këtyre qëndrimeve antishqiptare e anticivilizuese ishte kategorikisht PVD, si dhe PDSH, dmth “partitë e vjetra”, të cilat “Popllava”, dmth. APN me “satelitët” e saj u angazhuan me të gjitha forcat dhe me mbështjen e pakursyer të Serbisë për t’i eliminuar nga skena e politikbërjes së shqiptarve në Luginë të Preshevës.

Por, kësaj radhe politikbërja serbe me kolaboracionistët e vet nuk ia doli, dështoi karshi forcave politik të shqiptarve, vigjilentë dhe të vetëdijshëm për kurthet, sfidat dhe rreziqet që po u paraqiten në rrugëtimin e tyre drejtë një të ardhme më të sigurtë dhe për një mirëqenie e prosperitet të gjithëmbarshëm shoqëror e kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat