Shqiptarët të bashkuar përsëri në Vatikan rreth Gjergj Kastriotit Skenderbe

Opinione

Shqiptarët të bashkuar përsëri në Vatikan rreth Gjergj Kastriotit Skenderbe

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli Më 19 nëntor 2018 Në ora: 20:12
Papa Franesku i drejtohet delegacionit të Shqiptarëve

Çfarë ndryshimi sjellin 50-vjetë. Ndryshim për më mirë!  Ishte viti 1968 kur Kombi shqiptar shënoi 500-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeut.  Shqiptarët e larguar nga Atdheu prej regjimit komunist të Enver Hoxhës, kishin organizuar me ndihmën e Vatikanit dhe të Papa Palit VI, të Arbëreshëve dhe të komunitetit shqiptar të Romës në atë kohë, të kryesuar nga Profesor Ernest Koliqi, shqiptarët mërgimtarë nga të gjitha trojet shqiptare, me Arbëreshët e Italisë, ceremoni në kujtim të Heroit Kombëtar.  Aty, pa dallim feje as krahine, të gjithë të bashkuar në Romë dhe në Vatikan (me përjashtim të regjimit komunist të Enver Hoxhës) – i treguan botës dinjitetin kombëtar dhe krenarinë e tyre për Fatosin e Madh të Kombit, të cilin Papa Pali i VI, me atë rast e cilësoi si, “Të Përgjithëmonshmin e Fisit Shqiptar”.

 Ndryshimi me situatën e vitit 1968, kur ceremonitë për shënimin e atij përvjetori atëherë në Vatikan, u organizuan nga diaspora shqiptare me ndihmën e Vatikanit dhe të Arbëreshve – sivjet në vitin e shpallur nga Tirana dhe Prishtina zyrtare si Viti Mbarë-Kombëtar i Gjergj Kastriotit Skenderbe – organizimi i ceremonive për të shënuar 550-vjetorin e Gjergj Kastriotit është bërë nga vet ambasada e Shqipërisë pranë Vatikanit.  Veprimtaria në Vatikan është organizuar nga Shefja e Misionit Diplomatik të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Zonja Majlinda Dodaj, në bashkpunim me Vatikanin.  Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe artistë shqiptarë me famë botërore, të cilët në mbrëmje dhanë një shfaqje në Teatrin prestigjoz “Argjentina”, në qendër të Romës, përfshirë yjet e muzikës Dua Lipa, Ermal Meta, Olen Cesari, Inva Mula, Kledi Kadiu, Genc Tukiçi, Rame Lahaj, Elhaida Dani, Lorik Cana, Eno Peci dhe Erza Muqolli, të cilët morën pjesë në koncertin, “Të Bashkuar në Muzikën dhe Kujtimin e Skënderbeut”, të cilin e hapi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin.  Përveç  pjesëmarrjes së tyre, njoftimet zyrtare bëjnë të ditur se të hënën, një delegacion shqiptar, përfaqsues të të gjitha feve si dhe një grup autoritetesh të larta kishtare dhe politike nga Shqipëria, Kosova dhe nga trevat e tjera ku jetojnë shqiptarët, përfshirë Arbëreshët e Italisë, u takuan me Papa Françeskun, në Vatikan, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në Vitin Mbarëkombëtar kushtuar Heroit të Madh të luftës kundër otomanëve. Takimi u mbajt në “Sala Clementina” të Pallatit Apostolik, ku thuhet se ndër zyrtarët e lartë shqiptarë ishin të pranishëm, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi me grupin e përfaqësuesve të parlamentit, Ministri i Diasporës Pandeli Majko, Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e të tjerë.  Lajmet bëjnë të ditur se ndër përfaqësuesit e Shqipërisë, i pranishëm ishte edhe Kardinali Ernest Simoni, i vetmi klerik katolik shqiptar ende i gjallë, i persekutuar nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës.

Image
Papa u flet shqiptarëve

Imzot Xhorxh Frendo, udhëheqsi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë i tha radio Vatikanit se takimi i Papës me shqiptarët në këtë vit kushtuar Gjergj Kastriotit - Skenderbe tregon, “Jo vetëm solidaritetin tonë me Papën por edhe solidaritetin e Papës me ne, i cili në këtë mënyrë ka dashur të ndajë gëzimin e tij me ne, me rastin e përvjetorit të Heroit Kombëtar Skenderbeut”.  Të gjithë e dimë, shtoi Imzot Xhorxh Frendo, kreu i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, se “Papa Françesku ka një afërsi shumë të veçantë me popullin shqiptar”.  Ai përmendi faktin se Shqipëria ishte vendi i parë evropian që kishte vizituar Papa Françesku katër vjet më parë, ndërsa theksoi se të njëjtën gjë mund të themi edhe për Papa Gjon Palin e dytë, përsa i përket afërsisë së tij me shqiptarët, i cili gjithashtu tregonte një interesim dhe dashuri të veçantë për shqiptarët, tha udhëheqsi i Kishës Katolike të Shqipërisë në një intervistë me Radio Vatikanin.

Në intervistën e tij, një ditë para takimit të shqiptarëve me Papën, Imzot Frendo e cilësoi vizitën e shqiptarëve në Vatikan dhe takimin e tyre me Papën, me këtë rast, si të një rëndësie të madhe, “sepse në këtë mënyrë është Shqipëria ajo që po shkon në Vatikan, pasi para katër vitesh ishte Vatikani që erdhi në Shqipëri”, kur në Tiranë u gjënd Papa Françesku, e që ishte vizita e tij e parë në një vend evropian, si udhëheqës i Kishës Katolike.

[Papa pret shtegtarët shqiptarë në Vatikan]

Në takimin me delegacioni shqiptar në Pallatin Apostolik, Papa Françesku priti shqiptarët e ardhur nga Shqipëria, Kosova dhe vise të tjera, përfshirë diasporën me këtë përshëndetje:

 "Uroj me gjithë zemër që ky përvjetor të mos kufizohet në kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara, por të jetë për Shqipërinë edhe rast i volitshëm për impenjimin e risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të një zhvillimi të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin".

Në kuadër të shënimit të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Papa Françesku tha se Atdheu i Skenderbeut, “Shqipëria, tokë me histori të lashtë e të lavdishme, është pjesë përbërëse e Evropës dhe përmes traditave të saj më fisnike e më jetësore, dokumenton zanafillën e vetë qytetërimit të saj.  Sot, kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”.  Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht”, është shprehur udhëheqsi shpirtëror i Kishës Katolike. 

Sa kënaqësi dhe mallëngjim për të qenë dëshmitar, megjithse nga larg, i këtij takimi mbarë shqiptar në Vatikan, për të shënuar përmbylljen e Vitit të shpallur Mbarë Kombëtar të Shqiptarëve.  Pikërisht aty në Vatikan, ku 50-vjet më parë u shënua 500-vjetori i Gjergj Kastriotit- Skenderbeut me pjesëmarrjen e Papës së atëhershëm Palit të VI dhe shumë shiqptarëve nga të gjitha trojet, por të përhapur anë e mbanë botës, përfshirë Arberëshët e Italisë. Por Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës, për arsye që dihen, nuk mori pjesë atëherë.  Kur bën njeriu një krahasim në histori, është me të vërtetë mallëngjim e ngushëllim për të parë sot pjesëmarrjen e një delegacioni zyrtar të Shqipërisë në një pritje të tillë në Vatikan, e për më tepër që merr pjesë në një ceremoni të tillë, organizuar kryesisht nga Ambasada e Tiranës në Selinë e Kishës Katolike dhe Shefja e saj, Zonja Majlinda Dodaj.  Bashkimi i Shqiptarëve është i mundur, siç u shpreh edhe Papa Françesku para delegacionit të shqiptarëve dje në Vatikan, nepërmjet Gjergj Kastriot --Skenderbeut, “Simbolit të padiskutueshëm lidhjeje dhe bashkimi kombëtar” të shqiptarëve!

Image
Imzot Xhorxh Frendo Shefi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë me Papa Françeskun

Festimet kulminuan me një koncert muzikor me titullin përkatës të rastit: “Të Bashkuar në Muzikën dhe Kujtimin e Skënderbeut”, ku morën pjesë disa nga muzikantët më të njohur shqiptarë – koncert ky i organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, në teatrin e njohur, “Argentina”, në Romë,

Fjalimi i plotë i Papa Françeskut mbajtur para delegacionit Mbarë-Shqiptar, në vizitë në Vatikan për të shënuar 550-vjetorin e vdekjes së Skendërbeut -- të pranishëm atje në përmbyllje të ceremonive të Vitit 2108, kushtuar nga Shqipëria dhe Kosova, Kujtimit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve – Gjergj Kastriotit -Skenderbeu.

 “Të dashur vëllezër ipeshkvij e meshtarë, vëllezër e motra,

me kënaqësi të veçantë, ju uroj mirëseardhjen juve, që keni ardhur këtu me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tuaj Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.  Përshëndes me mirënjohje të pranishmit dhe, me mendje, edhe gjithë shqiptarët, në atdhe e në vende të tjera të botës, të cilët, në emër të lidhjeve të lashta të miqësisë e të marrëdhënieve të vazhdueshme, e shohin gjithnjë me dashuri Selinë e Shën Pjetrit.  Në këtë kuadër, më pëlqen të kujtoj se 50 vjet më parë, Shën Pali VI priti   një përfaqësi të shqiptarëve.

Shqipëria, tokë me histori të lashtë e të lavdishme, është pjesë përbërëse e Evropës dhe përmes traditave të saj më fisnike e më jetësore dokumenton zanafillën e vetë qytetërimit të saj.  Sot, kujtojmë e kremtojmë Gjergj Kastriotin Skënderbeun, bir heroik i një populli të fortë e bujar, që mbrojti me guxim vlerat shpirtërore dhe emrin e krishterë, aq sa të meritonte titullin “Athleta Christi”.  Me veprat e tij, farkëtoi identitetin kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm i lidhjeje dhe bashkimit kombëtar, si edhe interpretues në nivelin më të lartë i vlerave të besnikërisë së ndershme ndaj impenjimeve të ndërmarra lirisht.

Rëndësia e veçantë e figurës dhe e veprës së Kastriotit përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfodin e kuq, bërë sipas stemës së heroit.  Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t’i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë t’i kuptohet shpirti, pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh të veçantë.

Pas vdekjes së heroit dhe pas pushtimit të Shqipërisë, shumë shqiptarë preferuan të emigrojnë dhe shumë prej tyre u vendosën në Itali, në qendër të gadishullit e në jug, sidomos në Kalabri e Sicili, duke u dhënë jetë Rretheve kishtare shqiptare të Ungrës, të Horës së Arbëreshëve dhe të Grotaferratës.

Prania, në takimin e sotëm, të një grupi arbëreshësh, pra, italo-shqiptarësh, me traditat dhe shprehjet e tyre gjuhësore përçuar prej shekujsh, na bën të imagjinojmë atmosferën e Shqipërisë së Skënderbeut dhe na konfirmon se Heroi Kombëtar mbetet urë e vlefshme për ruajtjen e lidhjeve të frytshme të arbëreshëve me tokën e tyre të origjinës.

Për arsye të rëndësisë së veçantë të figurës dhe të veprës së gjithanshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kuptohet më së miri pse Shqipëria ka dashur ta shpallë këtë vit, “Vit mbarëkombëtar të Skënderbeut”.

Uroj me gjithë zemër që ky përvjetor të mos kufizohet në kremtimin e lavdisë së veprave të kaluara, por të jetë për Shqipërinë edhe rast i volitshëm për impenjimin e risuar të të gjithëve – institucione e qytetarë – në favor të një zhvillimi të vërtetë e të ekuilibruar, në mënyrë që brezat e rinj të mos detyrohen të zgjedhin emigracionin, duke e dobësuar vendin nga forcat dhe aftësitë e domosdoshme për zhvillimin e tij njerëzor e civil.

Puna e përbashkët e të gjithëve drejt këtij objektivi do të bëhet mënyra më e mirë për të mishëruar në kohën e tanishme, dashurinë për atdheun, që frymëzoi Gjergj Kastriotin Skënderbeun, në kohën e vet. Ai, duke interpretuar sa më mirë karakterin dhe traditat e popullit tuaj, shprehu vlefshëm shqiptarinë, term i përdorur nga shkrimtari i shekullit XIX, Pashko Vasa, për të treguar identitetin shpirtëror, që i bashkonte të gjithë shqiptarët, përtej dallimeve me natyrë fetare. Në Shqipëri, kjo bindje i dha shtysë bashkëjetesës paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkisnin feve të ndryshme, duke u kthyer me kohë në bashkëpunim e vëllazërim.

Siç pata rastin të pohoj, me rastin e vizitës sime në Shqipëri, “klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin” (Takimi me autoritetet, 21 shtator 2014: Insegnamenti II, 2 [2014], 271). Ajo tregon se bashkëjetesa paqësore ndërmjet njerëzve, që u përkasin feve të ndryshme, është rrugë, e cila mund të përshkohet konkretisht, sjell harmoni dhe çliron forcat më të mira e krijimtarinë e mbarë popullit, duke e shndërruar bashkëjetesën e thjeshtë, në bashkëpunim e vëllazërim të vërtetë.  Gatishmëria për t’i konsideruar ndryshimet si rast për dialog, vlerësim e njohje të ndërsjelltë, favorizon gjithashtu, zhvillimin e udhëve shpirtërore të vërteta e bëhet shembull i vlefshëm, për t’u parë me interes të madh në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme, themeluar mbi respektimin e dinjitetit të njeriut.

Duke përkujtuar me mirënjohje shenjtorët martirë, që e dëshmuan fenë me çmimin e jetës, si edhe Shën Terezën e Kalkutës, me kënaqësi, i jap Bekimin Apostolik secilit prej jush, këtu të pranishëm, familjarëve tuaj dhe gjithë popullit shqiptar.  Një favor, mos harroni të luteni për mua. Faleminderit.” Burimi: Radio Vatikani në gjuhën shqip.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat