Dështimi i Kosovës në INTERPOL, dështim i shtetit dhe kastës politike

Opinione

Dështimi i Kosovës në INTERPOL, dështim i shtetit dhe kastës politike

Nga: Uk Lushi Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 16:24
Uk Lushi

Shumë nga ne nuk po duam ta shohim realitetin dhe predikamentin në të cilin jemi si shtet. Ky moment dëshpërimi nuk duhet të përcillet me sjelljen e keqe të deritashme të drejtimit të gishtit kah të tjerët. Në fakt, nga ky çast duhet të ndryshojmë. Që ta ruajmë dhe forcojmë shtetin duhet të shohim gjendjen në të cilën jemi dhe të ndalojmë pretendimet. Kastat politike tonat, në pozitë dhe opozitë, bashkë me të gjithë që e duam Kosovën dhe të ardhmen e popullit tonë duhet të lëmë anash meskinitetet dhe veprimet parashtetërore. Mediet tona duhet të bëhen profesionale duke ndaluar diskursin klientelist, negativ dhe shpesh dezinformues.

Hidh?sia e mospranimit në Interpol do të jetë gati asgjë me çfarë e pret Kosovën muajt e ardhshëm. Nëse nuk mobilizohemi dhe ndalim humbjen e energjisë me njëri-tjetrin, me ne do të merren Serbia dhe të tjerët që nuk mërziten për interesat tona. Situata gjeopolitike, raporti i forcave dhe kohët politike kanë ndryshuar. Duhet pragmatizëm, mençuri dhe gjithësesi bashkëpunim. Kastat politike ose duhet të shndërrohen në elita politike ose duhet larguar. Qytetarët duhet të pushojmë të sillemi si paraqytetarë ankuesë dhe veprojmë, nëse e nevojshme, duke marrë fatet e vendit në duar.

Krejt në fund, populli shqiptar duhet të rikonsiderojë strategjinë e deritashme për Kosovën dhe duhet të përgatitet për çdo skenar të mundshëm. Goditjet kundër Kosovës janë goditje kundër shqiptarëve kudo jemi. Koha e sharjeve, bërtimave dhe drejtimit të gishtit ka kaluar sot. Prej sot e tutje, secili nga ne gishtin duhet ta drejtojë nga vetja dhe pyetjen e parë që duhet shtruar vetes është: çka po bëj që të veprojmë me unitet?
Kryet nalt Kosovë— kemi kaluar sfida më të mëdha dhe bashkë do t’i kalojmë edhe sfidat e radhës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat