Shakaja serioze e Petro Koçit

Opinione

Shakaja serioze e Petro Koçit

Nga: Prof.dr. Eshref Ymeri Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 20:13
Prof.dr. Eshref Ymeri

Në ceremoninë e organizuar nga bashkia në kuadrin e ditës përkujtimore të 74-vjetorit të çlirimit të kryeqytetit, nga qeveria mori pjesë zëvendësministri i mbrojtjes Petro Koçi, i cili, në fjalën e mbajtur me këtë rast, ndër të tjera, deklaroi:

       “… ftoj të gjithë ata që janë pasardhës të atyre që bashkëpunuan me fashizmin t’i kërkojnë falje popullit, qytetarëve të Tiranës se vetëm kështu mund të arrihet ai që quhet pajtim kombëtar” (Citohet sipas: “Ceremonia me fotot e Enverit, zv.ministri Koçi: Pasardhësit e kolaboracionistëve të kërkojnë falje”. Faqja e internetit e gazetës “Panorama”. 18 nëntor 2018).

Pas kësaj deklarate të zotërisë Petro Koçi, lind një pyetje e vetvetishme:

Po pasardhësit e krerëve komunistë, me Enver Hoxhën në krye, krerë këta që bashkëpunuan shumë ngushtë me shovinizmin jugosllav, a nuk duhet t’i kërkojnë falje jo vetëm popullit shqiptar të Republikës së Shqipërisë, por edhe mbarë kombit shqiptar? Sepse pasojat e atij bashkëpunimi qenë dhe vazhdojnë të jenë tragjike deri në ditët tona.

Bashkëpunimi i udhëheqjes kryesore të Partisë Komuniste të Shqipërisë gjatë viteve të luftës me shovinizmin jugosllav, sipas historianit Kastriot Dervishi, solli tri pasoja të rënda: Beogradi e shndërroi Partinë Komuniste të Shqipërisë në agjenturë jugosllave, popullin shqiptar e futi në luftë civile dhe filloi shfarosjen e shtresës së nacionalistëve shqiptarë që ishte kundër ndërhyrjes jugosllave në punët e brendshme të vendit tonë.

Pasardhësit e krerëve komunistë, me Enver Hoxhën në krye, a nuk duhet t’i kërkojnë falje mbarë kombit shqiptar për varrosjen e Marrëveshjes së Mukjes?

Në vendimet që u morën në Konferencën e Mukjes, dy prej tyre ishin më të rëndësishmet për fatet e kombit shqiptar: 

1. Krijimi i Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë.

2. Luftë për një Shqipëri indipendente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri Etnike.

Por shumë shpejt, Partia Komuniste e hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes. Po si ndodhi konkretisht që Marrëveshjen e Mukjes Partia Komuniste e varrosi përfundimisht, sapo drejtuesve të saj u ra në dorë teksti i asaj marrëveshjeje? Asokohe drejtuesit e partisë dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare ndodheshin në Vithkuq të Korçës. Të pranishëm ishin Enver Hoxha, Miladin Popoviçi, Sejfulla Maleshova, Nako Spiru, Mehmet Shehu, Dushan Mugosha, Xhelal Staravecka, Fiqrete Sanxhaktari, të cilët organizuan një mbledhje urgjente.

Ja se ç’thuhet në një studim shkencor të një historiani të njohur:

“Xhelal Staravecka, i pranishëm në momentin kur erdhi letra e Ymer Dishnicës për Marrëveshjen e Mukjes, ka sjellë si dëshmi atmosferën që krijoi ky lajm:

“Gjendeshim me shokët e Komitetit Qëndror, në mes të të cilëve ishte edhe Miladini, kur arrin korrieri dhe solli proklamatën e Marrëveshjes së Mukjes. Hapëm proklamatën dhe e lexuam. Të gjithëve na u ndezën fytyrat nga gëzimi, për arsëye se u mbërrit bashkimi. Mandej gjysmë shqip e gjysmë serbisht (për arsye se unë nuk e di serbishten e Miladini nuk di shqip), disi i shpjegova çka ishte shkruar në proklamatë. Fytyra e Miladinit menjëherë u ndryshua dhe tha:

Ky bashkim (i Kosovës me Shqipërinë) nuk mund të pranohet. Ne gjithnjë e më tepër forcohemi dhe do të fillojmë me shpata e jo bashkime me qej (qenër). E mandej ajo Shqipëria Etnike! Nanën e saj!”.

Fytyrat tona menjëherë u errën dhe u deytyruam me thanë:

“Po, po! Do ta shohin këta nacionalistë për disa ditë, derisa ne të organizohemi edhe ma mirë… dhe do iu themi:

“Qe Shqipëria juaj Etnike!”.

Sigurisht, shprehja jonë në fytyrë duhet të ndryshojë gjithmonë sipas shprehjes së fytyrës së Miladinit” (Citohet sipas: Prof.dr. Muharrem Dezhgiu. “Shqipëria nën pushtimin italian (1939-1943)”. Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Instituti i Historisë. Shtypshkronja “Mësonjëtorja”. Tiranë 2005, f. 316).

Pra, me këtë qëndrim prej njerëzish pa dinjitet kombëtar, prej kameleonësh shembullorë, prej servilësh të kulluar të Beogradit dhe prej tradhtarësh të kombit shqiptar, drejtuesit e Partisë Komuniste dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, me kryeservilin dhe kryetradhtarin Enver Hoxha në ballë, vërtetohej në praktikë fakti i  njohur historik se Partia Komuniste s’ishte gjë tjetër, veçse një rrip transmisioni i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, direktivat e së cilës, të përcjella në udhëheqjen komuniste shqiptare nga emisarët e saj Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, duhej të  viheshin në jetë me rreptësinë më të madhe.

 Ja një tjetër fakt tmerrues, i cili dëshmon fare qartë se deri në ç’shkallë vetëposhtërimi e kishte katandisur veten udhëheqja e Partia Komuniste të Shqipërisë para një armiku të egër  të kombit shqiptar, siç ishte Dushan Mugosha

“Trakti me nr. 4 që Xhelal Staravecka shpërndau menjëherë pas dezertimit të tij nga radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, sërish lidhet me torturat çnjerëzore dhe me vrasjet që kryheshin me urdhër të Dushan Mugoshës. Ndërsa rrëfen ngjarjen e 13 të ekzekutuarve në fshatin Fravesh, ai ndalet në torturat e tmerrshme që janë ushtruar mbi një djalë rreth të tridhjetave nga Devolli, ku në tortura kishte marrë pjesë vetë Dushan Mugosha me duart e tij. Staravecka tregon se e ka ndjekur të gjithë skenën e torturave, i ulur në një gur aty pranë, ndërsa partizanët e tjerë me drunj në duar e kanë goditur viktimën deri në frymën e fundit. Në fund, edhe pse viktima e kishte dhënë frymën e fundit, Mugosha kishte qëlluar me armë mbi trupin e pajetë. Pasi ka treguar fundin e tmerrshëm të djaloshit 30-vjeçar, Staravecka rrëfen se viktima e radhës u kishte shpëtuar torturave çnjerëzore vetëm se Mugosha ishte lodhur dhe ishte i uritur. E meqë do të shkonte për të ngrënë, për viktimën e radhës kishte dhënë urdhër ta vrisnin pa e torturuar” (Citohet sipas: Admirina Peçi. “Staravecka: Torturat çnjerëzore të Mugoshës mbi djalin nga Devolli”. Faqja e internetit “Shqiptarja.com”. 04 gusht 2015).

Moria e vrasjeve të pabesa brenda llojit që kreu Partia Komuniste, si edhe masakrat e kryera kundër nacionalistëve të Ballit Kombëtar, dëshmojnë katërcipërisht se praktika e sundimit komunist me diktaturë të hekurt në vendin tonë gjatë një periudhe gati gjysmëshekullore, e cila kishte në themel luftën e klasave, mjetin më tragjik për përçarjen e popullit shqiptar, u projektua që gjatë viteve të luftës. Një praktikë e tillë nuk u mjaftua vetëm me shartimin në ndërgjegjen e njerëzve të miteve ideologjike. Që në ditët e para të ekzistencës së shtetit komunist, në jetën e përditshme të njerëzve hyri në përdorim fjala e tmerrshme “terror”. Terrori i pamëshirshëm kundër përfaqësuesve të nacionalizmit shqiptar dhe njerëzve të deklasuar në të gjitha fushat e jetës politike dhe ideologjike, kundër intelektualëve të njohur, të diplomuar në vendet perëndimore, viktimë e të cilit mund të bëhej kushdoqoftë, solli si pasojë një frikë të gjithmbarshme, e cila duhej të përjashtonte mundësinë e një kundërvënieje të hapur ndaj regjimit komunist. Kësisoj, dhuna e motivuar politikisht u bë mjeti themelor për vënien në jetë të utopisë komuniste. Përndjekjet politike gjatë tërë kohës së ekzistencës së sundimit komunist, shtrihen në një epokë të tërë në jetën e vendit tonë, një epokë kjo plot vuajtje dhe tmerre, kur regjimi gjakatar i kriminelit Enver Hoxha nuk kurseu as pleq, as plaka dhe as fëmijë të vegjël që vdiqën nga uria nëpër kampe përqendrimi. Ky kriminel me damkë arriti deri aty, saqë në Shqipëri të krijojë kultin e paprekshmërisë personale, çka solli si pasojë që ai të ishte i vetmi njeri me imunitet, ndërkohë që gjithë të tjerër rreth vetes i vlerësonte si materiale inerte.

Në radhët e Partisë Komuniste, që gjatë viteve të luftës, Enver Hoxha hodhi themelet e çmontimit të personalitetit të njeriut, të servilizmit të tij para të huajve dhe të tradhtisë kombëtare, duke i ngritur ato themele në sistem. Dëshmia më e pastër është qëndrimi neveritës i atyre partizanëve shqiptarë para armikut Dushan Mugosha, i cili torturonte një të ri nacionalist në praninë e tyre, si edhe qëndrimi i shëmtuar, i turpshëm, i drejtuesve të Partisë Komuniste dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare para Miladin Popoviçit, i cili tekstin e Marrëveshjes së Mukjes e hodhi në koshin e plehrave dhe Shqipërinë e shante nga nëna. Prandaj edhe në rastin e Dushan Mugoshës, edhe në rastin e Miladinit, nuk u gjend asnjë burrë shqiptar që t’ua kthente potkonjtë nga dielli që të dyve dhe të hynte në histori si hero i kombit. Por e keqja erdhi më pas: çmontimin e personalitetit të njeriut, servilizmin para të huajve dhe tradhtinë kombëtare Enver Hoxha ua përcolli brezave pasardhës, të cilët i morën si trashëgimi prej tij në periudhën e ndërrimit të sistemit dhe po i praktikojnë në vazhdimësi në marrëdhëniet me sllavizmin dhe me shtetin grek, duke i konkretizuar me këtë të fundit me ngritje varrezash, memorialesh dhe përmendoresh në nderim të ushtarëve agresorë grekë, me vendosjen në krye të kishës ortodokse fanoliane të një kryepeshkopi grek dhe me nënshtrimin tërësor të vendit tonë para politikës greke.

Veç kësaj, argati i Beogradit Enver Hoxha e filloi që gjatë luftës shfarosjen e shtresës së nacionalistëve shqiptarë dhe e intensifikoi shumë më tepër gjatë tërë kohës së sundimit të tij të egër mbidyzetvjeçar. Ky krim solli si pasojë që Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si asnjë organi tjetër ligjvënës në botë, t’i mungojë sot krahu nacionalist.

Pra, si përfundim, zotëria Petro Koçi a është ndopak i vetëdijshëm se pasardhësit e Partisë Komuniste të Shqipërisë, dhe më pas të Partisë së Punës, duhet t’i kërkojnë falje tërë shtresës së të përndjekurve politikë për masakrat e tmerrshme dhe për terrorin e egër që ajo ushtroi ndaj saj gjatë një periudhe gjysmëshekullore nëpërmjet vrasjeve, burgosjeve dhe internimeve të shumta? Një falje e tillë a nuk do të ishte mënyra më e mirë për arritjen e pajtimit kombëtar?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat