Reagim ndaj shtrembërimit të historisë, "Beteja e Loxhës", botuar në fjalorin enciklopedik të Kosovës I-II

Opinione

Reagim ndaj shtrembërimit të historisë, "Beteja e Loxhës", botuar në fjalorin enciklopedik të Kosovës I-II

Nga: Major, Rrustem Tetaj Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 20:20
Major, Rrustem Tetaj

Reagim lidhur me zërin "Beteja e Loxhës" botuar në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës I-II, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK).

Në krahasim më lexuesit e Kosovës unë pakës më vonesë e shfletova Fjalorin Enciklopedik të Kosovës I-II. Përshkrimi joprofesional i luftës së UÇK-së, më shtyri të reagoi. Përgjegjësi për shtrembërimin e të vërtetës historike për "Betejën e Loxhës" përveç autorit Faton Mehmetaj, e ka edhe kryeredaktori Akademik Mehmet Kraja, dhe redaksia e luftës së viteve 1998/1999, në krye më Sylë Ukshin (redaktor). Redaksia në fjalë angazhoi për shkrimin e zërave historik autorë që nuk janë profesionist të fushës, domethënë nuk janë historian që me kompetencë të shkruajnë për ngjarjet më të rëndësishme të UÇK-së. Autori në zërin e tij “Beteja e Loxhës”, haptas shtrembëron njërën ndër betejat me të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe pse autori në fjalë nuk është nga fusha përkatëse, ka informacione të hollësishme se si është zhvilluar Beteja e Loxhës, dhe kush e bëri komandën e saj, sepse edhe vetë ishte protagonist në luftimet e zhvilluara në Zonën Operative të Dukagjinit. Autori në mënyrë tendencioze dhe me vetëdije të plotë është munduar të mohoj të vërtetën e historisë të Betejës së Loxhës. Shkrimi i njëanshëm i ngjarjeve historike është shkelje mbi gjakun e dëshmoreve të kombit.

Njëri ndër citatet me skandaloze të autorit, citoj «Në këtë betejë morën pjesë edhe ish-oficerët e ushtrisë Jugosllave të ardhur disa ditë më parë në Kosovë». Shtrohet pyetja së cilit krahë ushtarak i shërbyen oficerët shqiptarë? Pjesa me e madhe e oficerëve shqiptar ishin në Kosovë, disa prej tyre vite me parë ishin liruar nga burgjet e Serbisë! 

Autori në përshkrimin e tij nuk tregon të vërteten se kush e udhëhoqi komandën ushtarake në Betejen e Loxhës. Autorit i përkujtoj së këta oficerë me karrierë ushtarake janë shqiptarë të Kosovës, disa prej tyre i ka edhe bashkëvendës nga komuna e Deçanit. Për të qenë sa me transparent për opinionin e gjerë, së këta oficer kanë emër dhe mbiemër si: Kolonel Tahir Zemaj, Major Rrustem Tetaj, Major Nazif Ramabaja, Sali Çekaj, Esat Ademaj, Faruk Xhemajli, Fadil Hadërgjonaj, Bajram Stokaj, Rrustem Bruçi, Lumni Surdulli, Shaban Dragaj, Farush Thaçi etj. Oficerët që ishin me gradën e Kapitenit të Klasit të Parë me Akademi Ushtarake, janë promovuar në gradën e Majorit me një dekret të ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës në egzil. Përshkrimi i njëanshëm i Betejës së Loxhës nga autori në fjalë, te brezat e rinj lë hapësirë për keqkuptime së në cilën anë vërtetë ishin rreshtuar oficeret shqiptar. Madje këta oficeret përveç kontributeve të jashtëzakonshme në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një pjesë e tyre është dënuar politikisht, dhe me vite të tëra kanë vuajtur dënimin në burgjet e Serbisë.

Sa për të informuar opinionin publik, me 23 shkurt 1994, Kolegji i Gjykatës Serbe në Pejë, kryesuar nga Dushan Miçanoviq, më dënoi (Rrustem Tetaj) me 5 vite burg, për vepër penale të cenimit të tërësisë territoriale. Në Zonën Operative të Dukagjinit gjatë kam mbajtur pozitën: Ndihmës Komandantit për Logjistik. 

Autori në fjalë, pa fije etike njerëzore dhe profesionale mundohet të njollos kontributin e oficerëve shqiptarë në luftën çlirimtare të Kosovës 1998/1999. Duke e njohur autorin dhe familjen e tij, dhe orientimet e tyre në të kaluarën nuk më bëjnë përshtypje fare qëndrimet e tija kundër njerëzve më të devotshëm të vendit, sepse ne në Rrafshin e Dukagjinit e njohim shumë mirë të kaluarën e familjes në fjalë, pa u lëshuar në detaje. Ne si profesionistë i kemi shërbyer vendit në momentet me të vështira, duke sakrifikuar çdo gjë për çlirimin e vendit.

Opinioni i gjerë është i informuar në detaje për protagonistët kryesor të Betejës së Loxhës. Në Loxhë janë zhvilluar tri beteja kundër forcave serbe. Beteja e parë është zhvilluar më 6 korrik, e dyta me 11 korrik dhe e treta 15 gusht 1998. Më 6 korrik forcat e shumta ushtarake dhe policore serbe filluan sulmet ushtarake kundër fshatit Loxhë. Me fillimet e sulmeve ushtarake mbi fshatin Loxhë, përmes një korrieri ishte informuar kolonel Tahir Zemaj. Sapo u informua në detaje për shkallëzimin e luftimeve në vijën e frontit, urdhëroi Batalionin e Parë të brigadës 134 në krye me Nazif Ramabaja se bashku më eprorët Faruk Xhemajli dhe Esat Ademaj, urgjentisht të nisen drejt Loxhës. Luftimet ishin përshkallëzuar në vijën e frontit dhe gjendja në terren ishte shumë e vështirë, kërkohej urgjentisht që Kolonel Tahir Zemaj me ushtri nga kazerma e Prapaqanit të nisen urgjent për Loxhë. Me arritjen në Loxhë, Zemaj u informua në detaje për rrjedhat e luftimeve dhe për pozicionet e UÇK-së. Në konsultim e sipër me komandantët e batalioneve Nazif Ramabaja, Bajram Stokaj, Fadil Hadërgjonaj, Farush Thaçi, Sali Çekaj, Rrustem Bruçi etj. Po ashtu u koordinua edhe më udhëheqësit e njësive territoriale të fshatrave për rreth Loxhës si: Krysheci, Strellci Ulët, Duboviku, Zllapeku, Qyshku, Jabllanica, Prapaqan, Rashiqi, Barani, Broliqi, Kusuriqi, Kotradiqi etj. Kolonel Zemaj urdhëroi të riorganizohen pozicionet e UÇK-së. Nën komandën e Tahir Zemaj Brigada 134, dhe me përkrahjen e njësiteve tjera të UÇK-së, të pozicionuar në anën e poshtme dhe të sipërme të fshatit Loxhë, forcat ushtarake dhe policore serbe u shpartalluan dhe në panik e sipër i kanë lëshuar pozicionet e tyre dhe janë larguar në drejtim të Kazermës së Pejës. Nga radhët e UÇK-së, ranë dëshmor Rrustem Bruçi, Enver Alaj dhe Lumni Surdulli. Por, edhe nga pala e ushtrisë serbe kishte me dhjetëra të vrarë.

Beteja e Loxhës është njëra ndër betejat më të lavdishme e cila u fitua nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Për betejën në fjalë Beogradi zyrtar ka thënë se "tashmë nuk kemi të bëjmë me grupe bashibozuke, por, me një detashment ushtarak mirë të organizuar e profesional". Po ashtu edhe "gazeta londineze The Times me 14 korrik 1998, shkruan për Betejën. E cila ndër të tjera shkruante se në Kosovë nuk luftonin grupet e vogla guerile, por, lufton Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e organizuar në mënyrë profesionale. Organizimi dhe lufta e UÇK-së, bëri me dije faktorin ndërkombëtare se në të ardhmen duhej pranohej si faktor i rëndësishëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës".

Mos përfshirja e veprimtarisë kombëtare për çlirimin e Kosovës, të Kolonel Tahir Zemaj, dhe oficerëve tjerë të dëshmuar në luftën e fundit në Kosovë, në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës I-II, është e pafalshme dhe tendencioze nga kryeredaktori dhe redaksia e Luftës së viteve 1998/1999. Kolonel Zemaj në vitin 2001 nga Presidenti Ibrahim Rugova është dekoruar për se gjalli me Medaljen e Artë të Nenës Terezë për kontributin e tij në luftën për liri dhe pavarësi. Për kontributin e tij të dhënë në luftën çlirimtare për liri dhe pavarësi të Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu e dekoroi me dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës Urdhrin "Hero i Kosovës". Ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani i akordoi dt. 13/02/2015, nr. dekreti 8957 Tahir Zemajt (pas vdekjes) Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Ushtarak me përgatitje të lartë profesionale, një nga komandantët e ndritur profesionistë të Luftës Çlirimtare të Kosovës. Udhëheqës dhe fitimtar i Betejës së lavdishme të Loxhës.”

Kontributi i Kolonel Zemaj nuk mund të mohohet, përherë do të mbetej pjesë e rëndësishme e historisë më të re të Kosovës. Si shok, kolegë dhe bashkëpunëtorë i tij Kolonel Tahir Zemaj, në Zonën Operative të Dukagjinit u përballem më shumë sfida të natyrave të ndryshme, por, asnjëherë nuk u lëkundëm nga idealet tona kombëtare.

Rekomandoj që në të ardhmen të përmirësohen gabimet e bëra, dhe historia të shkruhet nga brezat e rinj  pa ndikime politike dhe ideologjike. 

Major, Rrustem Tetaj - Zona Operative e Dukagjinit   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat