Pavarësia e Shqipërisë – Festa Mbarëkombëtare e Flamurit

Opinione

Pavarësia e Shqipërisë – Festa Mbarëkombëtare e Flamurit

Sami Arifi Nga Sami Arifi Më 23 nëntor 2018 Në ora: 16:17
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë

Në rrethana të jashtëzakonshme u hap Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 nëntor 1912, në ora 14:00 dhe u ngrit flamuri kombëtar, që ndryshe kjo festë në popull quhet nëntori i dytë i flamurit, meqë po në këtë datë dhe në këtë muaj (nëntori i parë) të vitit 1443, e kishte ngritur këtë flamur, heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Kështjellën e Krujës.

Në fjalimin që mbajti Ismail Qemali, ndër të tjera thoshte: “E vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”. Çështja shqiptare ishte ndërkombëtarizuar mjaftë shumë përmes kryengritjeve shqiptare për liri, por edhe përmes Krizës së Adriatikut, sa që shteti shqiptar ishte bërë imperativ i kohës.

Mendimi i Ismail Qemalit ishte mendim në përputhje me mendimet e gjithë delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, dhe u miratua njëzëri prej tyre, ai shprehu aspiratat e gjithë popullit shqiptar, meqë së bashku me kuvendarët ishin në unitet të plotë.

Ismail Qemali me bashkëpunëtorët e tij doli në ballkonin e ndërtesës, ku mbahej Kuvendi, pranë mitingut popullor, ngriti flamurin kombëtar të Shqipërisë, për të gjithë shqiptarët, dhe i njoftoi Fuqitë e Mëdha, shtetet ballkanike si dhe mbarë botën për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, me të gjitha trojet ku jetonin shqiptarët.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore kundër zgjedhës së huaj për mbrojtjen dhe çlirimin e atdheut, tërësisë tokësore të tyre për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Pra, me vendimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, populli shqiptar fitoi të drejtën për të qenë i lirë dhe i pavarur krahas popujve të tjerë të Ballkanit dhe të Evropës.

Pra, më 28 nëntor të vitit 1912, shënohet një kthesë historike e popullit shqiptar, nga se mori fund sundimi pesëshekullor i Perandorisë Osmane, u krijuan kushte për të dal nga prapambeturia që kishte lënë sundimi osman, por edhe kushte për zhvillim të shpejt, ekonomik, shoqëror e kulturor.

Shpallja e Pavarësisë ishte fitore e madhe kundër sundimit osman, kundër politikave antikombëtare të monarkive fqinje ballkanike (Serbisë, Malit të Zi si dhe Greqisë edhe pse Konferenca e Ambasadorëve në Londër e vendosi nën sundimin e monarkive ballkanike më se gjysmën e territoreve shqiptare) kundër synimeve të planit të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë.

Kjo ishte fitore e përbashkët e gjithë shqiptarëve për të gjitha forcat që kishin luftuar me pushkë e pendë për çlirimin kombëtar në të gjitha trojet shqiptare, nga Kosova në Veri, e deri në Çamëri në Jug, nga Adriatiku e Joni në Perëndim dhe deri në Ohër, Kërçovë, Shkup, Kumanovë në Lindje si dhe për të gjithë shqiptarët e diasporës kudo në botë.

Kuvendi zgjodhi njëzëri kryetar të qeverisë Ismail Qemalin, i cili do të ishte edhe ministër i punëve të jashtme. Me 4 dhjetor 1912 kuvendi zgjodhi përbërjen e plotë të qeverisë.

Përveç Ismail Qemalit, në qeveri bënin pjesë: Dom Nikoll Kaqorri (nënkryetar) Myfit Bej Lipohova (ministër i punëve të brendshme) Abdi Bej Toptani (ministër i financave) Mehmet Pashë Dërralla (ministër i luftës ose i mbrojtjes kombëtare), Petro Pago (ministër i drejtësisë) Luigj Gurakuqi (ministër i arsimit) Mithat Frashëri (ministër i punëve botore) Pandeli Cale (ministër i postë-telegrafëve)

Kuvendi bëri edhe themelimin e Pleqësisë prej 18 anëtarëve, me në krye Vehbi Dibrën. Pleqësia nuk kishte të drejtë të rrxoi qeverinë, por vetëm të këshillojë dhe të kontrollojë punën e tyre. Urime për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhën ata, Festa Gjithëkombëtare e Flamurit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat