Kthesa e Ramush Haradinajt! - Bota Sot
Kthesa e Ramush Haradinajt!

Opinione

Kthesa e Ramush Haradinajt!

Nga: Kimete Berisha Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 20:29
Kimete Berisha

1. Në kulmin e neverisë popullore ndaj tij, kur ti nuk ke pasur shans të takosh njeri të gjallë që nuk e shante e nuk e mallkonte, Ramush Haradinaj e ndryshon fatin e tij.

Dhe ky është ai rasti kur thuhet 'urrejta shndërrohet në dashuri'.

2. Njeriu që nuk është mësuar me dashuri të masave të gjëra, dashuri masive a qysh me thënë, e ka gati të pamundur ta menaxhojë atë dhe t'i shpëtojë rrezikut që dashuria të bëhet lula-lula dhe e neveritshme.

Reklamat që dikush po ia bën Ramush Haradinajt, për taksat ndaj Serbisë, nuk e ndihmojnë në këtë rast, sepse reklama u duhet vetëm atyre që nuk kanë vepra. Veprimi i Ramush Haradinajt flet vet, i mjafton vetvetes, dhe është më i madh sesa çdo fjalë që do të mund ta shkruante Shekspiri.

3. Foto-reklamat e Ramush Haradinajt nëpër qytet, duken si fotografitë dhe urimet qesharake të atyre çifteve që (për sy të hallkut) ia urojnë ditëlindjen njëri-tjetrit në Facebook, anipse ndodhen ballë për ballë. 
Sepse çdo dashuri e kërkon një medium të tretë, si dëgjuesit e Radio KFOR-it për shembull, që kërkojnë në radio dëshira muzikore, anipse mund të dëgjojnë krejt çka duan në këtë botë, falas, privat, në mobilat e tyre pa pasur nevojë të shpenzojnë sms për dëshira që mund t'ia plotësojnë vetes.

4. Kthesa e Ramush Haradinajt në kohën kur atij i kishte humbur komplet respekti për shkak të numrit të zevendësministrave, për shkak të Çakorrit, për shkak se mbajti një minutë heshtje për Oliver Ivanoviçin, për shkak se ua fali hajnave borxhet e ujit, etj, e ka bërë xheloz sidomos LDK-në.

Vetëvendosjes ia ka marrë adutin, kurse LDK-në e ka befasuar, se kur të gjithë prisnin ta përcjellin për në shtëpi Ramush Haradinajn, ai u kthy.

5. Hesiodi ka treguar se 'Zejtari është xheloz në zejtarin, paçari në poçarin, i varfëri e ka shumë mëri të varfërin dhe poeti është kundër poetit'.

Prandaj, xhelozia duhet të mbahet 'sekret'. Sepse kur e shpreh xhelozonë të shkon ftyra, ose dukesh qesharak ose lakmitar ose idiot paranojak. Kurrë mirë s'dukesh kur bëhesh xheloz.

6. Isa Mustafa nuk është aq i guximshëm ta thotë publikisht atë që ia thonë ata njëri-tjetrit në parti. 
Prandaj, vendimin për taksat e quan 'emocional', dhe nuk guxon m'i shku fjalisë deri në fund, por e zbutë me fjalë 'Serbia e meriton'. 
Demek qeveria ka 'gabuar' por Serbia e meriton! 
Theksi këtu vëhet te 'gabimi emocional' i qeverisë së Kosovës.

Ai ka folur edhe për do pazare që e lidhkan vendimin për taksat me interesa të qeverisë, por Isa Mustafa e ka Ramiz Kelmendin që e ka bërë Kosovën 'koloni' ekonomike të Serbisë, duke i helmuar fëmijët shqiptarë me lodra të kontaminuara.

Ramiz Kelmendit ia pashë villën në Bogë, as Kremlin as Putin as thu' ti kush është ky i fshimë me qindra dhoma gjumi e që nuk e merr gjumi.

Isa Mustafës nuk i ka munguar guximi, dhe me qetësinë më të madhe e ka shkarkuar Jabllanoviçin, por e ka një behane që çdo gjë që s'ka lidhje me të, ai e përbuzë.

7. Duhet të kenë kujdes LDK, shumë kujdes nga luksi i fjalëve të tepërta, sepse në këso rastesh kur ndodhin e që kanë lidhje me patriotizëm, menjëherë të kujtohet lufta, kundër së cilës në fillim
ishte LDK, vetëm sepse nuk ishte 'lufta' e tyre.

Nuk ka më lehtë sesa t'ia marrësh inat LDK-së. Mjafton t'i rikujtosh zgjedhjet në Prishtinë gjatë luftës në Drenicë.
Prandaj, tash për tash LDK duhet të jetë më pak cinike (se s'ka njerëz aq të zottë që bëhen cinikë e nuk vërehen), dhe më shumë e qetë dhe e urtë, virtyte këto që e karaterizojnë dhe e kanë ndihmuar të mbijetojë kaq gjatë.

Ashtu siç nuk ka më lehtë sesa t'ua falësh mëkatet UÇK-së. Mjafton të të kujtohet lufta dhe dita e parë e lirisë. 
Prandaj kaq gjatë kanë mbijetuar në politikë, sepse identifikohen me luftën dhe sakrificën për liri.

8. Tash jemi në një situatë shumë entuziase. Të gjallë dhe të paparashikueshme. Të kthehet prapa Ramush Haradinaj, nuk ka presion të mjaftueshëm ndërkombëtar, kurse të vazhdojë me qëndrimin e tij të prerë, duhet guxim dhe zotësi.

Më së lehti dhe më fitimprurëse për të do të ishte për Ramush Haradinaj sikur t'ia rrëzonin qeverinë, në kulmin e simpatisë ndaj tij. 
Por ata që do ta rrëzonin duhet ta masin veten mirë se a janë në gjendje ta çojnë vendimin për taksat deri më fund, e nëse do të tërhiqeshin ku 'do ta bënin vendin'.

Prandaj askujt, sidomos LDK-së nuk do t'i konvenonte të mirret me 'pasojat e vendimeve të huaja, vendimeve të mëdha dhe vendimeve 'emocionale', sepse do ta përballej me neverinë dhe urrejtjen masive të shqiptarëve.

S'ka më patetike sesa deklarata e LDK-së, e gjetën ditën kur u vendos taksa 100% për të thënë si do ta rrëzojnë qeverinë me ndihmën e Listës serbe.

9. A është shkathtësi e Ramush Haradinajt apo i ka prirë fati nuk e di që ta fitojë 'luftën' i paarmatosurc nuk e di, por ai e ka 'luajtur lojën' me armën e VV dhe me fuqinë e PDK.

10. Sa herë bleni ushqim serb, kujtoni Prekazin, Izbicën, Mejën, Krushën...kujtoni ata që vdiqën me zhig të çdo gjëje që ju me pasuru Serbinë e m'i lënë shkret tokat e juaja.

E nëse kërkon falje për krime e pendohet, e pranon lirinë dhe pavarësinë e Kosovës tjetër muhabet, në atë rast do të kisha lëshu pe e do t'ua kisha ble së paku letrën e toaletit.

11. Nëse Kosova s'është 'shtet' atëherë pse s'po i fusin kamionat pa pyet, si 'në vend t'vetin'????. 
Në këtë dilemë kish qenë mirë m'u përgjigj Nexhat Daci se ai e ka njohur n'birë vakt cilësinë e zepterit, ia di vleftën ai tenxhereve e kusiave të përjetshme të dedikuara për njerëzit e përkohshëm.

Nexhat Daci i ka ndreq protezat me pare të shtetit, ka ble syza, e ka shmang agregatin, ua din vlerën sendeve, prandaj e konsideron Hashim Thaçin si send.

12. Vendimi për taksat ndaj mallrave të Serbisë e ka përtrirë atdhedashurinë. Viteve të fundit përtriheshim veç me zhele e zhingla-mingla, kësaj radhe e përtrimë edhe dashurinë tonë për bukën tonë. Dhe u bë shumë mirë.
Ka më shumë gjallni dhe mobilizim, si dikur, kur ishim të robëruar..

P.S. E sa na mbanë gjallë dashnija, nuk e di, mbase derisa të lodhemi, ose të plakemi, apo derisa të jemi gjallë, s'di, se jo veç dashnia po as ndarjet, e as lamtumirat tash s'janë më qysh kanë qenë t'gjata e t'dhimbshme, tash edhe ndarjet, edhe lamtumirat janë hip-hop, madje edhe 'Time to say goodbye' tash këndohet remix, askush s'ka kohë me vujtë ngadal. 
Prandaj, 'dita e re-nafaka e re'.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...