Reflektimi politik i Beogradit ndaj Preshevës

Opinione

Reflektimi politik i Beogradit ndaj Preshevës

Sevdail Hyseni Nga Sevdail Hyseni Më 3 dhjetor 2018 Në ora: 08:19
Preshevë

Korrigjimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si një nga opsionet më atraktive dhe më sfiduese, qoftë në planin vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, ka filluar të jap rezultate e para jo vetëm në veri të Prishtinës, por edhe në jug të Beogradit, aty ku Presheva po bëhet “kurban”, i këtyre reflektimeve politike.

Beogradi për dallim nga Prishtina, ka zgjedhur një fushëveprim politik dhe ekonomik në dy skaje të kufijve “kontestues”, duke ushqyer rebelimin e institucioneve lokale ndaj atyre qendrore të Kosovës, karshi ngritjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe, kurse nga ana tjetër ushtron diskriminim sistematik në zhveshjen e institucioneve komunale në Preshevë dhe komuna tjera shqiptare në Serbi.

Shembull konkret, kemi vendimin e Qeverisë së Serbisë, e cila ka mbyllur terminalin doganor në Preshevë, duke e zhvendosur në Vranjë, 40 kilometra larg kufirit, me arsyetimin se ka rënë importi dhe eksporti. Mbyllja e këtij terminali ka ngjallur reagime në Luginën e Preshevës, ku këtë vendim e shohin si reflektim politik, se ka rënë importi dhe eksporti dhe vështirësive për financimin e këtij institucioni në Preshevë.

Ky veprim i tipit revanshues të Beogradit ndaj Preshevës, vjen si rezultat i vendimit të Qeverisë së Kosvës me taksën 100 për qind ndaj produkteve me origjinë serbe dhe boshnjake. Por, këto diskriminime sistematike shtetërore serbe ndaj Preshevës, kanë filluar edhe më herët, por kulminacionin e kanë arritur në prag të festive kombëtare, duke mbyllur institucionet kulturore dhe tashmë edhe ato doganore.

Këto presione politike dhe ekonomike të Beogradit ndaj Preshevës, duke e zhveshur atë nga kompetencat komunale dhe qendrore, duke bartur Gjykatën Themelore dhe Prokurorisë, pastaj administratën tatimore: Drejtoria e Tatimeve, Katastri, bllombat në Shtëpinë e Kulturës, Bibliotekën, RTV Presheva, zyra e të rinjve, si dhe mos-hapja e Kufirit Miratoc-Llojan, në kufi me Maqedoninë.

Çarshia në Bujanoc, tashmë, flet hapur se pas kësaj fshese politike të Beogradit ndaj kompetencave komunale e qendrore të Preshevës, qëndron ideja e korrigjimit të kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë, që do të ndodh jo më nga se në përmbylljen e proceseve dialoguese të Brukselit. Nuk thuhet kot: “Fshati që duket, nuk do kallauz!”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat