Mos e "vrisni" lajmëtarin

Opinione

Mos e "vrisni" lajmëtarin

Nga: Fadil Lepaja Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 15:11
Fadil Lepaja

“Dominimi gati 400 vjeçar i perëndimit, në botë, po i afrohet fundit. Pikërisht për shkak të përpjekjes së perëndimit që të ruaj këtë dominim, kemi ardhur në këtë gjendje jo stabiliteti në botë. BE e ka kaluar kulmin e zhvillimit të vet dhe tash ndodhet në krizë sistemore. Serbia është vend i pavarur dhe i duhet të kuptojë se çfarë ajo dëshiron, pasi që anëtarësimi në BE sjell me vete edhe pluse dhe minuse të caktuara”, - ka thënë, këto ditë,  ambasadori rus në Serbi, duke shtuar se kjo varet nga vet BE,  dhe se në këtë drejtim situata nuk është në favor të Serbisë duke lënë të kuptohet se, jo të gjitha vendet e BE, e duan Serbinë në radhët e veta, me çdo kusht.

Kjo qasje ruse, sidomos intensiteti i angazhimit rus, shpjegon shumëçka që po ndodhë në Ballkanin Perëndimorë, ku ende po ruhen me fanatizëm pozicionimet e fillimit të shekullit të kaluar sidomos me ambiciet serbe për të dominuar me çdo kusht dhe me ndihmën (jo vetëm) e Rusisë, dhe të disa vendeve evropiane të cilat, herë pas herë sikur e harrojnë se e kanë njohur Kosovën, dhe reagojnë dhe votojnë sipas hartave,  interesave dhe miqësive të vjetra.

Komisioneri i BE, Johanes Han, na solli me vete jo vetëm lajmin për vizat, por edhe diçka nga këto dilema dhe interesa të vjetra në Ballkan. Qysh me kuptue ndryshe këtë angazhim, me alarm,  të austriakut, me kapelë evropiane, për interesat e Serbisë?

Në mesjetë, lajmëtarët, i dallonin  nga larg, sipas shenjave. Ata, kur sillnin lajme të mira, dalloheshin nga larg, prej kapelës së bardhë, mbi kokë. E zeza, paralajmëronte lajme të këqija, apo rrezik. “Kapela” e komisionerit Han, kësaj radhe përpos që paralajmëronte lajm të keq për vizat, paralajmëron edhe rrezik, kërcënim të mbuluar për Kosovën, nëse nuk hiqen taksat. Kjo flet për baraspeshën e krijuar pas “rikthimit” rus , bllokadave serbo-ruse dhe mundësisë që edhe SHBA të ndryshojë qasje.

Në Evropën mesjetare, qytetet ishin të rrethuara me mure të larta. Sot, qytetet evropiane janë e kundërta e kësaj. Madje edhe shtetet, janë “ pa mure”, pa kufij, mes vete. Por, me pjesën tjetër të botës, Evropa ka ndërtuar mure të larta, për të u mbrojtur. Valët e refugjatëve, më kot, përplasen këtyre mureve. Me qindra humbin jetën në përpjekje për të kaluar andej.

Por, Evropa, vazhdimisht rritet. Kufijtë e jashtëm të Evropës, nga dekada në dekadë, zgjerohen. Ballkani Perëndimorë, me programin paraprak të zgjerimit, pas pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë, është rrethuar nga të gjitha anët nga Bashkimi Evropian.  Kështu, tash ndodhet edhe brenda edhe jashtë BE.  Kështu, kjo pjesë, e pacifizuar tashmë përmes një projekti gati 30 vjeçar të paqes,  mbi parimin e mos-ndryshimit të kufijve, po mbahet ende  e izoluar, në njëlloj karantine.

Karantina,  tashmë, e plotë,  vlen vetëm për Kosovën, ku diçka më pak se dy milion qytetarë, nëpër rrugë tokësore, askund tjetër përpos në vendet fqinje nuk mund të udhëtojnë pa vizë. Kosova tash është e rrethuar nga jashtë, e izoluar me një mur imagjinarë, por të fortë,  i cili e ka emrin “vizë”.

Edhe pse ky vend u  ndërtua nga perëndimi, përfshi institucionet, ligjet, dhe gjithçka tjetër, edhe pse është i vetmi vend ballkanik   i cili ka Euron si valutë të vetme, NATO-n si ushtri, Kosova ende ka mbetur ujdhesa e fundit, e izoluar, në detin e kaltër evropian. As yjet në flamurin e Kosovës, as (vetë)mohimi i identitetit kombëtar e fetar nuk e bëjnë atë më të dëshirueshme për BE-në. Arsyet e këtij izolimi,  nga vet natyra e mureve që na janë vendosur, shihet se nuk kanë të bëjnë me vet Kosovën, as me politikën e korruptuar , as me përkatësinë fetare, as me orientimin gjeopolitik tonë madje. Fundja, fqinjët në të gjitha këto fusha janë më keq. Nuk ka popull në kontinent, më pro evropian se kosovarët.

Natyrisht, çështja e vizave nuk ka të bëjë as me taksën, për produktet serbe të vendosur nga ana e qeverisë së Kosovës. Ajo madje nuk është as luftë tregtare, si e paraqesin politika, në Serbi. Është masë krejtësisht  politike, e cila ka për qëllim që bllokadës serbe ti përgjigjet me bllokadë.

 Edhe bllokada serbe e Kosovës, nga brenda( përmes komunitetit serb) dhe nga jasht, është krejtësisht (gjeo)politike. Përbrenda Kosovës, qeveria serbe, ka instaluar institucionet e veta, të kosovarizuara vetëm në emër. Zyrtarët serb në Kosovë nuk përfaqësojnë qytetarët serb, ata përfaqësojnë shtetin serb, në Kosovë dhe janë mekanizëm i krijimit dhe kontrollimit të krizave sa herë që kjo i duhet qeverisë serbe. Gjithçka që bënë Serbia në raport me Kosovën ka të bëj me bllokimin dhe mos funksionimin e shtetit të Kosovës dhe zhbërjen e tij. Fushatës së egër serb kundër anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe për tërheqjen e njohjeve nga disa vende, qeveria e Kosovës iu përgjigj me një taksë e cila i ka shqetësuar partnerët serb, pikërisht për faktin se e futë reciprocitetin në marrëdhënie, pra edhe në dialogun me Serbinë, të cilin deri më tash e kanë udhëhequr pak a shumë në dëm të Kosovës dhe në përpjekje për të joshur Serbinë, pra edhe Rusinë.

Prandaj, as taksa, as oligarkia kosovare, as korrupsioni galopant, as mediat e kontrolluara, as gjyqësia nënë kontroll të politikës nuk janë arsye, për procesin e bllokuar të vizave. Kushtet janë plotësuar , deklarojnë me radhë jo vetëm politikanët Kosovarë por edhe ata evropian. Ajo ku nuk ndikojnë dot asnjëra nga këto palë është efekti i konceptit evro-aziatik tek serbët, dhe angazhimi i shtuar rus ( edhe turk) për një koncept ndryshe rreth Ballkanit Perëndimor. Kjo vlen edhe për një pjesë të politikës  kosovare. Lajmëtari, që na solli lajmin e keq, nxiti reagime të shumta ndaj tij, nga politika, shoqëria civile, mediat, “të pavarurit” .
Një pjesë madje, e riktheu edhe retorikën e fillim shekullit të kaluar, për Evropën, e cila nga patriotët tonë quhej me shumë emra përkëdhelës, të cilët sot nuk preferohen më.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat