Sa për kujtesë lëvizjes studentore

Opinione

Sa për kujtesë lëvizjes studentore

Nga: Prof.dr. Eshref Ymeri Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 21:34
Prof.dr. Eshref Ymeri

E kam ndjekur dhe po vazhdoj ta ndjekë me shumë kujdes lëvizjen studentore, e cila, në pamje të parë, nisur nga pjesëmarrja e madhe e studentëve në të, të kujton ngjarjet e dhjetorit të vitit 1990. Mes thirrjeve të studentëve, më bëri përshtypje të veçantë pikërisht ajo e dhjetorit të asaj kohe të stuhishme:

“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”

Ajet Nuro, publicist i njohur dhe moderator i portalit “Tribuna Shqiptare”, më 10 tetor të vitit 2015 pati botuar në portalin në fjalë një analizë interesante me titull “Shqipëria ka nevojë për një valë të dytë demokratizimi”, në të cilën nxirrte në pah me shumë të drejtë se, pas një çerek shekulli, Shqipëria kishte mbetur larg arritjes së atyre objektivave që pati caktuar lëvizja studentore e dhjetorit të vitit 1990. Prandaj ai e quante të arsyeshme të theksonte se ishte e domosdoshme “njëvalë e dytë demokratizimi”.

          Si njëri nga përfaqësuesit e mirënjohur të diasporës shqiptare në Kanada, zotëria Ajet Nuro shprehte me shumë të drejtë shqetësimin e vet intelektual për gjendjen e demokracisë në Shqipëri gjatë atyre 25 vjetëve. Është e vërtetë se në Shqipëri qenë bërë shumë ndryshime, por megjithatë ne ishim ende shumë larg standardeve demokratike në ndërtimin dhe në funksionimin e shtetit ligjor. 

Ndaj analizës së zotërisë Ajet Nuro unë reagova asokohe në internet me një artikull me titull “Kush ta bëjë demokratizimin e dytë?”, të botuar po në portalin në fjalë dhe në  disa portale të tjera më datën 12 tetor 2015. Ndër të tjera, theksoja:

          Mirë do të ishte vërtet që të kishim një valë të dytë demokratizimi. Por problemi është se kush duhet ta ngrejë një valë të tillë. Normalisht, në rastet e nxjerrjes së çdo vendi nga amullia politike, rolin kryesor e merr dhe duhet ta marrë përsipër inteligjencia, sidomos inteligjencia dhe rinia universitare. Në vendin tonë inteligjencia dhe rinia universitare vazhdojnë të bëjnë një gjumë të rëndë letargjik, duke i lejuar klanet politike të tallen me fatet e popullit si t’ua dojë mideja”.

          Studentët e lëvizjes së dhjetorit të vitit 1990, tani janë në një moshëtë tillë që po u afrohet të pesëdhjetave. Çuditërisht, pas asaj lëvizjeje studentore të atij viti të largët kur u bë ndërrimi i sistemit komunist me një sistem neokomunist, kur pushtetin e morën në dorë neokomunistë apo trashëgimtarë të veteranëve të komunizmit, brezat pasardhës të rinisë universitare ranë në një letargji të paimagjinueshme. Gjatë këtyre 28 vjetëve, në vendin tonë klanet politike që e kanë ndërruar pushtetin sipas radhës, kanë bërë prapësira shumë të rënda në dëm të interesave tona kombëtare dhe për varfërimin e pandalshëm të pjesës dërrmuese të popullit shqiptar. Por ndonjë lëvizje studentore nuk është ndier absolutisht për e gjallë, pa folur për inteligjencien universitare, e cila ka qenë përherë një servile shembullore e klaneve politike në pushtet dhe as që e ka çarë kokën fare për varfërimin e pandalshëm të shtresave të gjëra të popullsisë qëiështë imponuar gjatë gjithë kësaj periudhe nga klanet në fjalë. Madje pranohet haptas se pedagogë të universiteteve publike notojnë në batakun e korrupsionit. Ky është një turp kaq i rëndë, saqë nuk e ngre as dheu as qielli Në një material, të bërë publik para do kohësh, thuhet:

“Studentët në universitetet publike pranojnë se korrupsioni është një plagë e përhapur mes stafit akademik ku ata studiojnë, ndërsa janë të shqetësuar se ky fenomen sjell mungesë merite dhe i dekurajon ata nga studimet” (Citohet sipas:“Studimi: Studentët “nën presion” nga korrupsioni në universitete”. Faqja e internetit“Reporter.al”. 10 janar 2018).

          Unë i përkas brezit të pedagogëve veteranë të universitetit, të cilët nuk mund ta imagjinojnë dot absolutisht se si është e mundur që të ketë sot pedagogë të tillë të degjeneruar deri në atë shkallë, saqë të marrin para nga studentët!!!

          Rinia studentore e universiteteve publike, e cila tani është hedhur në një lëvizje mbresëlënëse në mbrojtje të të drejtave të veta, gjatë këtyre 28 vjetëve ka pasur shumë raste për t’u ngritur në protesta të fuqishme kundër qeverisjes së vendit, e cila, sidomos gjatë këtyre më shumë se pesë vjetëve të fundit, e ka katandisur varfërimin e popullit shqiptar deri në atë shkallë, saqë një numër i konsiderueshëm njerëzish të të gjitha moshave, që llogariten në mijëra e mijëra, janë detyruar të braktisin vendin dhe të marrin rrugët e Evropës.

          Rinia studentore ka heshtur kur Tirana zyrtare i ka bërë lëshime pas lëshimesh shtetit grek, lëshime këto që bien era tradhti kombëtare dhe e kanë ulur autoritetin e vendit tonë deri në nivele të pabesueshme.

          Rinia studentore ka heshtur kur Tirana zyrtare iu nënshtrua shtetit grek në një mënyrë poshtëruese dhe lejoi që kisha ortodokse fanoliane të pushtohet nga një kryepeshkop grek. Kjo është fyerja më e rëndë që u është bërë personaliteteve të shquara të ortodoksisë shqiptare, duke filluar nga papa Kristo Negovani, Naum Veqil Harxhi, Koto Hoxhi, Anastas Kullurioti, Petro Nini Luarasi, Atë Stath Melani, etj., të cilët na i vrau helmi, thika dhe pushka e kishës shoviniste greke.

          Rinia studentore ka heshtur kur Tirana zyrtare lejoi që Janullatosi të shndërrohej në Shqipëri në një guvernator faktik të kishës shoviniste greke dhe të shtetit shovinist grek, duke urdhëruar që të bëheshin zhvarrime të eshtrave të shqiptarëve të vdekur në varrezën e fshatit Kosinë të Përmetit, me qëllim që eshtrat e tyre t’i reklamonte si eshtra ushtarësh grekë, të vrarë gjatë luftës italo-greke.

          Rinia studentore ka heshtur kur Tirana zyrtare kreu një akt tradhtie të lartë në kohën që e lejoi kishën shoviniste greke dhe shtetin shovinist grek të ngrejë në Shqipërinë e Jugut varreza, memoriale, dhe përmendore në nderim të ushtarëve agresorë grekë, të cilët patën hyrë në territorin shqiptar si pushtues dhe shumë objekte kulti na i patën shndërruar në stalla kuajsh.

          Rinia studentore ka heshtur kur Janullatosi, në rolin e guvernatorit grek në vendin tonë, pati pushtuar Shtëpinë e Kulturës “Naim Frashëri” në Përmet dhe Tirana zyrtare zvarritej para tij, pa guxuar të zbatonte vendimin e të trija shkallëve të gjyqësorit për kthimin e saj qytetarëve të Përmetit.

Rinia studentore ka heshtur kur Janullatosi, për çdo problem që i lindte në Shqipëri, siç ishte rasti i zhvarrimeve në Përmet apo i prishjes së kishë-gërmadhës në Dhërmi, nisej urgjent për në Athinë për t’u konsultuar me kryeministrat grekë, duke injoruar tërësisht kryeministrat shqiptarë.

Rinia studentore ka heshtur kur Presidenti Ilir Meta i dha shtetësinë shqiptare Janullatosit me një dekret të posaçëm të datës 24 janar 2017, pikërisht në atë datë kur 100 vjet më parë, më 24 janar 1917, kisha shoviniste greke na masakroi një figurë të shquar të ortodoksisë shqiptare dhe të nacionalizmit shqiptar, Atë Stath Melanin. Ky dekret ishte një fyerje e rëndë jo vetëm  për këtë atdhetar të madh, por edhe për të gjithë martirët e lartpërmendur të ortodoksisë shqiptare, për Fan Nolin, sithemeluesin e pavarësisë së kishës sonë ortodokse, dhe kryepeshkopët Visarion Xhuvani dhe Kristofor Kisi, të persekutuar nga terrori komunist i kriminelit Enver Hoxha.

Rinia studentore ka heshtur për qëndrimin antikombëtar të Tiranës zyrtare ndaj Çështjes Kombëtare të Çamërisë, duke iu nënshtruar tërësisht diktatit të shtetit grek, i cili ka deklaruar dhe vazhdon të deklarojë pambarimisht se Çështja Çame nuk ekziston!!!

          Rinia studentore ka heshtur, duke soditur me gjakftohtësi ardhjen nga Greqiatë më shumë se 150 arkivoleve me kufoma shqiptarësh të vrarë në territorin e saj.

          Rinia studentore ka heshtur kur rreth 1000 grekë organizuan skenat e Bularatit, duke valëvitur qindra e qindra flamuj të tyre, me të vetmin qëllim poshtërimin  publik të shtetit tonë, ndërkohë që Tirana zyrtare kishte rënë në bark para egërsisë shoviniste greke, çka dëshmonte më së miri se Shqipëria është katandisur në një vend pa zot.

          Rinia studentore ka heshtur kur Partia Socialiste, në kuadrin e premtimeve në fushatën zgjedhore të vitit 2013, pati hedhur në qarkullim një fletëpalosje me disa premtime, në njërin pret të cilëve thuhej se taksa e vlerës së shtuar për energjinë elektrike do të zbriste nga 20% në 06%. Por qeveria Rama mashtroi hapur fare, këtë premtim nuk e mbajti. E la po 20%. Madje qeveria Rama, më 01 shkurt të vitit 2015, taksën e energjisë elektrike e ngriti nga 7,5 lekë në 9,5 lekë për kw, duke hequr edhe tavanin prej 300 kw me një çmim më të reduktuar.

          Rinia studentore ka heshtur për shtrenjtimin e çmimit të karburantit, i cili është më i lartë se vendet e rajonit rreth nesh dhe vendet e tjera evropiane. Qeveria është bërë palë me oligarkët e tregtimit të karburantit, me qëllim që të vjelë shuma të majme parash nga qytetarët shqiptarë. Lëvizja studentore le të nxjerrë mësim nga protestat e fuqishme të qytetarëve francezë kundër ngritjes së çmimit të karburantit vetëm me disa centë.

          Rinia studentore e kryeqytetit ka heshtur kur kryebashkiaku Veliaj, me lloj-lloj marifetesh, e ngriti 40% çmimin e ujit për qytetin e Tiranës, duke përkeqësuar rëndë nivelin ekonomik të familjeve të varfëra tiranase dhe sidomos të pensionistëve.

          Jeta e rinisë studentore, për vetë natyrën e moshës së saj, është dhe duhet të jetë dinamike, në lëvizje të vazhdueshme.Albert Ajnshtajni (Albert Einstein - 1879-1955) thotë:

          “Jeta është si puna e biçikletës. Për të ruajtur drejtpeshimin, njeriu duhet të jetë në lëvizje të përhershme”.

Rinia studentore është shpresa më frymëzuese e një vendi në jetën e përditshme dhe në perspektivë. Ajo është e pastër si uji që gurgullon në burim. Ajo është e tanishmja dhe e ardhmja e vendit. Por, fatkeqësisht, brezat pasardhës të rinisë universitare, pas dhjetorit të vitit 1990, i pushtoi amullia kokë e këmbë. Rinia universitare ra në një qetësi të formatit letargjik, duke mos u interesuar absolutisht për pasojat e rënda të politikës antikombëtare që Tirana zyrtare ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë në marrëdhënhiet me fqinjët dhe sidomos me fqinjin jugor, në raport me  shumicën dërrmuese të qytetarëve të vendit, të cilët i ka çuar në zgrip të varfërisë. Në vend të jetës dinamike dhe të interesimit të drejtpërdrejtë për fatet e vendit, ajo zgjodhi qetësinë tërësore. Personaliteti i shquar francez Blez Paskal (Blaise Pascal - 1623-1662)u ka lënë bashkëkombasve të vet një aforizëm të shkëlqyer:

“Thelbin e natyrës njerëzore e përbën lëvizja. Qetësia e plotë paralajmëron vdekjen”.

Një aforizëm po kaq të shkëlqyer, me të njëjtën përmbajtje, ka lënë një shekull më pas edhe Volteri (François Marie ArouetVoltaire - 1694-1778):

“Njeriu është krijuar për të vepruar. Të mos veprosh dhe të mos ekzistosh është e njëjta gjë”.

Në lëvizjen e tanishme studentore janë dëgjuar thirrje, si kjo:

“Qeverisja dhe politika qëndrojnë më poshtë se populli”.

Një thirrje e tillë bëhet publike për shkak të qeverisjes skandaloze të klasës politike në pushtet, qeverisje kjo, e cila e ka katandisur rininë studentore në një derexhe të tillë, saqë ajo është detyruar të ngrihet në një lëvizje të fuqishme kundër saj. Por këtu lind një pyetje mjaft domethënëse:

Rinia studentore organizuaka protesta masive kundër qeverisjes së keqe të vendit vetëm atëherë kur asaj i preken interesat e veta ekonomike dhe kushtet e jetesës nëpër konvikte? Me sa duket, po, përderisa, siç u theksua më lart, gjatë këtyre 28 vjetëve rinia studentore ka heshtur plotësisht për prapësitë e qeverisjes së vendit. Pra, rinia studentore e ditëve tona udhëhiqet nga parimi:

“Të mos preket gardhi im, kurse matanë gardhit tim le të bëhet kiameti”.

Një qëndrim i tillë nxjerr në pah një dukuri tepër tragjike në historinë shumëshekullore të kombit shqiptar, duke filluar që nga pararendësit tanëpellazgoilir - përçarjen fatale. Pikërisht kjo përçarje fatale ka qenë arsyeja kryesore që Shqipëria, e populluar me popullin më të vjetër të kontinentit tonë, me popullsinë më të madhe të gadishullit tonë, të katandiset në njëterritor gati sa një “fushë tenisi”.

Lëvizjes së tanishme studentore nuk i pëlqen të ketë politikanë në radhët e veta. Por çudia në këtë mes qëndron në arsyen se studentët janë viktimë pikërisht e politikës. Prandaj e kam të vështirë ta kuptoj lëvizjen studentore, e cila nuk ka dëshirë të ketë të bëjë me politikën. Unë mendoj se pikërisht politika qeverisëse e partisë socialiste është fajtorja kryesore për gjendjen ku janë katandisur studentët e universiteteve publike. Kjo lëvizje jo vetëm që duhet të merret seriozisht me qeverisjen antikombëtare të partisë socialiste, por ajo duhet të ngulë këmbë për krijimin e një qeverie teknike, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Nëse lëvizja studentore e shikon veten jashtë kësaj kërkese, atëherë mua më lind dyshimi se kjo lëvizje është e organizuar nga vetë partia socialiste dhe personalisht nga kryeministri Rama, me qëllim largimin e vëmendjes së opinionit publik nga protestat e banorëve të unazës së re dhe çfaktorizimin përfundimtar të opozitës, prej së cilës atij nuk i bëhet vonë fare, sepse kryetarin e saj Lulzim Basha ai e ka rekrutuar për interesat e veta që në takimin e fshehtë prej pesë orësh që zhvilloi me të më 18 maj 2017 dhe që, pas atij takimi, të dy, nuk i thanë asgjë opinionit publik. Partinë Demokratike,si partia kryesore e opozitës, e çfaktorizoi i pari vetë Lulzim Basha, i cili, në Çadrën e famshme të pranverës së vitit 2017, bëri teatër për tre muaj rresht me simpatizantët e sajpër të ngritur aksionet e vetvetes dhe pastaj i preu në besë: në Çadër deklaronte se nuk shkojmë në zgjedhje me Ramën kryeministër, mandej, pas takimit të fshehtë me Ramën, u tërhoq si lepuri në ferrë, shtroi kurrizin dhe pranoi ta çonte në zgjedhje partinë, çka solli si pasojë një “zbaticë politike” të paimagjinueshme të elektoratit të saj, të shoqëruar me humbjen e më shumë se 200 mijë votave në zgjedhjet e 25 qershorit.

Unë, si një qytetar i thjeshtë i Republikës së Shqipërisë, si ish-pegagog i Universitetit të Tiranës dhe pensionist që prej 01 shtatorit të vitit 2003, i rekomandoj lëvizjes studentore të mos tërhiqet absolutisht nga kërkesat e veta: të kërkojë arsim publik falas, shkurtimin në maksimum të të gjitha trifave për studentët, krijimin e një qeverie teknike, sepse me Ramën kryeministër studentët përsëri kanë për të rënë pre e mashtrimit të zakonshëm të tij dhe shtimin në perspektivë të buxhetit të shtetit për arsimin deri në 20%. Për dijeninë e lëvizjes studentore, dëshiroj të theksoj se katër gjigantët e Azisë (Malajzia, Singapori, Tajvani dhe Koreja e Jugut) u bënë modele të zhvillimit ekonomik pikërisht në saje të buxhetit të lartë për arsimin, i cili arrinte në shifrën 40%.

Në mbyllje dëshiroj që lëvizja studentore të ketë parasysh dy gjëra të rëndësishme për ruajtjen e dinjitetit të vet.

Së pari:

“Studentët janë dhe duhet të jetë përherë shpuza e kombit dhe nuk duhet t’i lejojnë vetes të mbulohen nga hiri i politikës”.

Së dyti:

Studentët duhet të zotërojnë përherë artin e vetorganizimit dhe të mos pranojnë kurrë të bien pre e bajraktarëve të politikës”.

Lëvizja studentore duhet të jetë e vetëdijshme se protestat duhet të zhvillohen para Kryeministrisë, jo para ministrisë së arsimit. Kjo për arsye se ministrja Lindita Nikolla është thjesht një rrip transmisioni i kryeministrit Rama, i cili, që kur ka hipur në këtë post, është bërë vetë zot vetë shkop, se anëtarët e qeverisë i konsideron thjesht si gurë shahu në tryezë dhe vetë ka vendosur të bëjë shiun dhe diellin.

Pedagogët e universiteteve duhet që, krahas mësimdhënies, të përpiqen me të gjitha mundësitë që studentët t’i edukojnë me vetëdije të lartë kombëtare. Sepse pikërisht studentët me vetëdije të lartë kombëtare do të bëhen mbartës të saj deri në ndërgjegjen e mbarë popullit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat