Demokracia popullore dhe despotët shtetërorë - Bota Sot
Demokracia popullore dhe despotët shtetërorë

Opinione

Demokracia popullore dhe despotët shtetërorë

Nga: Ejup Ajdini Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 17:16
Ejup Ajdini

Në rrethanat e sotme politike dhe shoqërore në Ilirikum është vështirë të përcaktohet se kush është fajtori i të gjitha këtyre të këqijave. Të këqijat, jo vetëm se nuk janë pak, por edhe mbeten të stërzgjatura, siç janë: standardi i ulët jetësor, papunësia, diskualifikimi i shëndetësisë, arsimit, gjendjes së rënduar psikologjike të qytetarëve, papunësia, varfëri ekstreme, ikje nga Ballkani me shumicë e rinisë shqiptare dhe mbi të gjitha sforcimi i albanofobisë ballkanike.  S’do mend se kjo e keqe vjen nga udhëheqësit shtetëror dhe partitë politike, të cilat nuk janë të brumosur me vlera të mirëfillta intelektuale, demokratike, kombëtare dhe ato morale e shpirtërore në përgjithësi. Ka edhe hipoteza se këto të këqija vijnë edhe nga masat e gjëra popullore, pasi ata nuk dinë, mashtrohen lehtë  dhe nuk janë në gjendje të ndajnë shapin nga sheqeri dhe të zgjedhin njerëzit e duhur në vendet e duhura udhëheqëse.

Kaluan tri dekada në sistemin pluralist, kurse demokracia po venitet dhe gjendja shoqërore rëndohet shumë e më shumë dhe mbetet gjithçka në gjendje të ngrirë, pa shpresë, pa liri reale dhe kësisoj mbeten pa perspektivë gjeneratat e reja. Edhe pse një gjeneratë e tërë sakrifikoi gjithçka nga vetja duke e përkrahur sistemin pluralist, që nënkupton sistemin demokratik, dhe sërish asgjë për shoqërinë në tërësi, veçse që e harxhuan kohën në amullinë e jetës së tyre.

Populli shqiptar tani është katandisur keq e më keq dhe nuk gjen mbështetje askund. Ata dhanë gjithçka nga vetja: ndihmat nga diaspora e gjithandej, i dhanë djemtë dhe vajzat më të mira për atdheun, pranuan edhe luftërat, por gjendja po acarohet edhe më tepër. Rinia na ikën me të madhe nëpër botë. Popullata tani ka problem me vetveten, pasi paska besuar kot së koti... I dhanë votat e tyre me dekada për një udhëheqje demokratike, dhanë shumë aksione në jetën e tyre dhe tani kanë ngelur në mes të “purgatorit”, as në ferr e as në parajsë, sikur i pastrojnë  “mëkatet e tyre”, apo mëkatet e udhëheqësve të tyre. Popullata mbetet e rrethuar me udhëheqës despotik dhe çdo gjë ka humbur kuptimin filozofinë e një jete normale. Duket ashiqare se këta despotë nuk kanë mundësi të mbijetojnë aty ku ka demokraci të vërtetë dhe mbijetojnë duke e forcuar despotizmin e tyre. Nga ana tjetër edhe jeta e njerëzve liridashës e atdhedashës ka humbur kuptimin e jetës me këta udhëheqës despotik e oligark.

Duket se diçka ka rënë në heshtje. Qarkullon ideja “të jesh apo të mos jesh”. Populli e ka pranuar heshtjen! Kur dominon heshtja, atëherë ekziston një mister i madh. Thonë se pas heshtjes së madhe, pritet edhe beteja e madhe. Populli më nuk i beson politikës autoktone, pret ndonjë erë nga larg, atje larg oqeaneve. Duket se populli është takuar ballë përballë me albanofobinë ballkanike dhe  me njerëzit udhëheqës e të shitur. Nga ana tjetër, populli ynë po takohet edhe me fetë e rrejshme, pasi disa grupe nga këta veprojnë jashtë fesë së tyre, të ardhur jo nga qendrat e vërteta fetare, por nga qendrat politike “fetare” albanofobike. Popullit ia kanë marrë frymën edhe me pseudo intelektual e shkencëtar të heshtur e të shitur. Pastaj  edhe me gazetar të shitur dhe për ca para janë bërë argatët e Beogradit e të Athinës. Për këtë u vërtetua edhe publikisht për lekët që kishte derdhur Greqia te gazetarët shqiptar,te një milion euro, për të lavdëruar Greqinë edhe kur bën krime dhe për ta sharë Shqipërinë kur bën vepra humane e demokratike. O zot,  edhe kjo ngjet  në mes të Tiranës. Ç’po ndodhe me ne ?!... Po çka bëhet atëherë me Shqipërinë Londineze, e cila është e katandisur në pesë qendra të tjera shtetërore.: Tani, udhëheqja tradhtare e Kosovës ia “shiti” afër 8400 hektar tokë turistike Malit të zi, siç ishte Çakori. Nga ana tjetër, disa politikan despotik të shitur në Shqipëri, tentuan disa herë t’ia “shesin” Greqisë zonën bregdetare më të pasur me naftë. Për këte, dikur ndjeheshim si popull të zhgënjyer dhe të indinjuar me “shitjen” e Shën Naumit dhe të Vermoshit, kurs sot po na përsëritet e njëjta gjë... O Zot, deri kurë do shiten shqiptarët?!... Gjatë gjithë kësaj historie nëna shqiptare lindi djem që i dolën zot vatanit dhe luftuan dhe u përballën me djemtë e atyre nënave që lindën kopilë e tradhtarë. Tani, nëna e djemve atdhetarë e ka shumë vështirë, pasi tradhtarët morën pushtetin në shumë qendrat tona kombëtare, nga të cilët u vranë shumë atdhetarë, kurse, nga ana tjetër, shumë djemtë dhe vajza të reja u larguan nga atdheu, të cilët janë katandisur dhe të detyruar të bredhin rrugëve të Evropës dhe në mbarë globin.

Për këtë dëshmon fakti i ndërtimit politik të partive shqiptare në Ilirikum. Ata nuk dallohen se cila është e majtë dhe cila është e djathë. Përcaktimi i tyre politik ka humbur kuptimin, prandaj edhe populli e ka humbur rrugën në oborrin e vet. Programi i partive politike nuk paraqet asnjë peshë, pasi partitë tona politike në esencë nuk janë as të majta e as të djathta, por qëllimin parësor e kanë ardhjen në pushtet, pastër si oligark, pa ideale dhe vetëm për kënaqësi kafshërore. Ata nuk kërkojnë njerëz me vlera reale,  por kandidatët zgjidhen sipas “parimeve” burokratike. Me ngulm i kërkojnë njerëzit dyfytyrësh, që kanë një pasuri të konsiderueshme, të jenë rrenacak, që premtojnë shumë dhe asgjë të mos bëjnë dhe të mos e kthejnë kokën nga elektorati i tyre. Pra, zgjedhjet bëhen krejt me imazhe të rrejshme, pa koka të shëndosha dhe kësisoj të gjitha politikat partiake tona kanë humbur në vorbullën e iluzioneve  pafund, pasi janë të dirigjuara nga qendrat e ndryshme albanofobike.

Udhëheqësit tanë, kudo që veprojnë në ilirikum, nuk janë në gjendje që për asgjë të bindin faktorin ndërkombëtar. Në Shqipëri, në vend se ta bindin botën për problemet me Greqinë, siç është gjenocidi me çamët, vrasjet barbare që bënë policia dhe fashistët greke ndaj shqiptarëve të pafajshëm - kurbetçinjve, ata shkelin me të dy këmbët mbi interesat kombëtare, pasi ideal e kanë vetëm lekun e fituar me pisllëqe shtetërore. Këta despot, me dekada tentojnë të hyjnë në negociata me fqinjin jugorë për t’ia vjedhur një pjesë të detit shqiptarë dhe t’ia japin Greqisë, pasi vetëm kësisoj fitohen miliarda para.  Ky idiotizëm i bashkon kopilët politik shqiptar. Themi kështu pasi edhe qeveria Berisha edhe qeveria Rama vazhdimisht kërkojnë rehabilitim politik që të futen në këtë maskaradë më të madhe të këtij shekulli.

Despotët politik të Kosovës, hiç më të mirë se të parët, pa fije turpi i “shitën” Malit të Zi me dhjetëra mijëra hektar tokë turistike, çiçë ishte rasti me Çakorin. Njëri i mori paratë, kurse tjetrin e mashtruan se gjoja, nëse do i jepej kjo tokë Malit të Zi, atëherë do të bëhej e mundur liberalizimin e vizave për Kosovën. Edhe toka shkoi edhe liberalizimi i vizave nuk u realizua. Një mashtrim i madh! ... Një tradhti e madhe!...Tani, despotët e Kosovës u mbushën me miliona e miliarda lek, dhe për asnjë minutë nuk menduan fare për ardhmërinë e fëmijëve të Kosovës. Ky idiotizëm i ka çmendur despotët udhëheqës të Kosovës dhe s’kanë të ndalur. Ata u mësuan keq me keqpërdorimet e njëpasnjëshme dhe tani kanë filluar të bëjnë “korrigjim  kufijsh,” pasi në këtë mënyrë miliardizohen despotikët dhe u mbeten besnik vendeve me të cilët kanë lidhur “besë”.

Jo fort e favorshme mbetet edhe situata me shqiptarë në Maqedoni. Edhe pse gjendja është pak më e butë dhe nuk ka tradhti të natyrave që përmendëm më lartë, por këtu kemi të bëjmë me aftësi të kufizuara politike dhe pa përvojë të duhur të nivelit të lartë diplomatik. E keqja është se, nëse bie një parti politike, nuk ngritët më dhe partitë në pushtet janë absolute dhe s’kanë frikë nga opozita, pasi partitive opozitare u mungon filozofia e ndërtimit të mirëfilltë politik. Jo vetëm popullata dërmuese pëlqen të jetë afër pushtetit, por , atje edhe partitë opozitare rrotullohen rreth pozitës që të mbijetojnë, pasi nuk kanë tjetër filozofi alternative për mbijetesë dhe kësisoj ata janë terjet të përçara midis tyre.  Për këtë edhe partia në pushtet nuk mërzitet për ndonjë humbje eventuale, sepse, siç thotë populli “fitoren e kanë në xhep” dhe vepron si donë dhe si di vet. Rreth kësaj filozofie nuk janë larg partitë e vogla edhe në Kosovë edhe në Shqipëri.

Ky status politik i partive shqiptare në Ilirikum nuk është i përcaktuar mirë dhe drejtë. Kjo politikë nuk bënë të mundur që t’u  tregohet hapur dhe qartë pushtuesve pushtetarë rreth kërkesave vitale që e përcaktojnë lirinë politike dhe ekonomike të popullit. Ata nuk kanë fuqi morale të bashkëpunojnë midis tyre, veçmas kur kemi të bëjmë me probleme kruciale të jetës dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Këtu sikur nuk veprohet me dinjitet të plotë, pasi nuk e dinë ku e kanë kokën dhe ku i vejnë këmbët.

Dorën në zemër, edhe pse janë arritur disa rezultate në zhvillimin tonë të përgjithshëm, por sërish, kërkesat reale të shqiptarëve nuk korrespondojnë me veprimet që bëjnë udhëheqësit shqiptarë, të cilat shpeshherë edhe nuk janë të qarta, pasi në prapaskenë e kanë shpirtin oligarkik, padijen për të udhëhequr shtet dhe e fshehura më e keqe është edhe tradhtia që i bëjnë popullit dhe vendit, tradhti e cila shpeshherë nxjerr kokë në politikën tonë kombëtare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...