Diskutim? – Zoti Kryeministër, po vazhduat kështu diskutimet me rininë do i mbani në Gjermani.....!

Opinione

Diskutim? – Zoti Kryeministër, po vazhduat kështu diskutimet me rininë do i mbani në Gjermani.....!

Nga: Valon Alimi Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 07:20
Valon Alimi

Studentet anembanë Shqipërisë demonstrojnë për të drejtat e tyre. Të drejtën e studimit njerëzor dhe dinjitoz. Tani me sa kanë shfaqur 8 pika kryesore për te ndaluar protestën dhe për të përmirësuar kushtet katastrofike në ambientet studentore topi i ndeshjes është në fushën e Edi Ramës dhe ekzekutives shqiptare për t’i plotësuar këto kërkesa. Ndërkohë, kur ai dhe qeveria e tij mundeshin të miratojnë këto pika dhe implementuar masat e duhura, kryeministri mban debat për nevojën e dialogut si zgjidhje të kësaj krize. Bëhet fjalë për një dialog për 8 pika që realisht nuk janë një parashtrim arrogant apo i tepruar por përbëjnë një pako efektiv për të përmirësuar arsimin apo thënë ndryshe: Përmirësuar shtyllën jetike dhe themelore të kombit shqiptar. 100 mijë studentë u mblodhën në të gjitha vendet universitare për t’i dhënë fuqi kauzës se tyre dhe imponuar të drejtën e arsimit cilësor me masa demokratike. Rama ndërkohë heshtë apo kyçet në ëndrrat e tij filozofike për sa i takon dialogut. Dialog?! Mbi legjitimitetin moral e kërkesës humane dhe atdhetare të kesh mundësitë për t’u vetë-realizuar?! Shumë mesazhe solidarizuese dhe inkurajuese nga shumë vende të ndryshëm u dedikohen “ngelësave” dhe “dembelave”. Andaj, ja pra një letër pak më e veçantë që kritikon kryeministrin direkt dhe një letër q u jep motivim studentëve:

I nderuar zoti Kryeministër,

shpresoj që karrigja luksoze ku po ndjeheni i rehatuar t’u dhurojë sigurinë dhe mbrojtjen psiqike për ta përballuar stresin tuaj të përditshëm si Kryeministër. Jam i sigurt që nuk jeni mësuar me këtë kokëçarje politike dhe psiqike që ndjeni në këto ditë. Jeni mësuar që “qentë lehin por karvani ecën përpara”. Mirëpo karvani juaj në këto ditë është ndalur nga një opozitë që ju nuk mundeni ta demantoni me fyerje personale dhe intriga politike siç e keni shuar zërin mediatik apo vazhdoni të poshtëroni opozitën. Nuk e di sa bindshëm i qëndroni fjalës me karvanin dhe qentë por këtu nuk behet fjalë për këlysha por për një front kombëtar i të rinjve për të ndryshuar vendin në çdo aspekt ku faktikisht universitetet janë veç fillimi. Ju zoti Rama studentët i quajtët “dembela” dhe “ngelesa”. Ju që keni studiuar artin në Paris - Ku bëhet fjalë për një lëndë ku s’mundesh të dështosh po pate talent mediokër dhe di të mbash lapsin në dorë! Sidomos pasi ke studiuar në Paris – një vend evropian i cili nuk përballet me problemet e njëjta si Tirana, Shkodra apo Gjirokastra ku studentët në konviktet jetojnë me lagështire dhe kushte skandaloze? Mbaje topin poshtë Edo! Mos bë shumë lojëra me topin si Ronaldo se pastaj të ngatërrohen këmbët dhe e puth tokën. Është shumë e lehtë të studiosh në emigrim duke mos u ballafaquar me kushtet skandaloze dhe prapë të kritikosh kërkesat legjitime. Ty në Surrel nuk të ngrijnë këmbët apo nuk ke konflikt me lagështirë pasi ke ngrohje dhe kushte njerëzore kurse vetë ti s’ke studiuar diçka të veçantë apo dobiprurëse si për shembull ekonominë. Në fakt ti e di vetë që s’mundesh të krahasohesh me studentët që dalin në shesh pasi do ishe një dështak i paparë po provove të studiosh një lëndë komplekse si ekonominë apo shkencat social. Vetë e tha “baba Fatosi” dikur, ti as s’ke ditur t’i shkurtosh thonjtë lere ma ta kryesh ekonominë. Gjyko dhe përmblidh o Edo. Vendi yt si kryeministër aktualisht dikujt i përket që ka çarë kokën më shkencat politike apo ekonominë dhe jo një “artist” i cili me zi di të vizatojë një lule dhe çdo egërsirë e shet si “art abstrakt”. Rilindja socialiste ka rezultuar në “rizhytje” idioteske: Të rinjtë dhe në veçanti studentët jetojnë si kafshët, marrin ndihmë të vogël nga prindërit për shkak të taksimit dhe më në fund ikin në Gjermani. Të iku rinia o Edo! S’ka më kilimili në zgjedhje me ta dhe po ikën ata s’ka ma Shqipëri dhe as pushtet. Do shkosh pastaj në plazhin e Durrësit të vizatosh piktura për 20 mijë lek të vjetra. Lërë dialogun Edo. Ti mbahesh më i shtrenjtë dhe kokëtrashë seç je. Me arrogancën tënde nuk është si me opozitën apo shtypin. Rinia s’ka çfarë të humbasë. Edhe nëse s’do pranosh kërkesat ato prapë do ngelin të varfër apo në lagështirë dhe më ne fund do vazhdojnë deri në fund protestat dhe më ne fund do ikin në Gjermani. Rezistenca e tyre nuk bëhet veç për përmirësimin arsimor por për ndaljen e nënçmimit të rinisë në Shqipëri. Edo, po vazhdove kështu të gjithë do ikin dhe pastaj diskutimet do i mbash në Gjermani me emigrantë që u detyruan të ikin për shkak të injorancës tënde. Xhaxhi Ramiz e di shumë mirë çfarë ndodh nëse luan me studentët në formën “kilimili” dhe me gënjeshtra. Mbaju fortë mirë në karrigen luksoze sepse s’do jesh as i pari dhe as i fundit që do të bjerë pasi neglizhoi studentët!

Për studentët!:

Të nderuar studentë dhe bashkëmoshataret e mi,

me interes të veçantë dhe solidaritet të jashtëzakonshëm të rinjtë shqiptarë në diasporë ndjekin protestën që ju bëni. Ndoshta e gjithë kjo përcjellët nga larg por në zemër të rinjtë shqiptarë anembanë botës që ndjejnë keqardhje më fatin e vendit janë idealizuar dhe solidarizuar me valën e protestës studentore që nuk ka humbur shpresën dhe kurajon të luftojë për një Shqipëri dinjitoze dhe njerëzore. Pos presionit masiv shoqëror dhe institucional ju nuk jeni larguar nga kryeministria dhe kauza juaj vetëm sa ka filluar. Edi Rama si një pseudo-avantgardist dhe gënjeshtar i paparë ofron mundësinë e dialogut qesharak. Ky zotëri sot kur tensionet janë rritur dhe “vendi i tij” është në rrezik kërkon të zhvillojë një dialog kurse në 5 vitet e fundit juve u harroj dhe javën e shkuar ka bërë gati copëtimin e Kosovës ndërkohë që studentët dita ditës vuajnë nga injoranca e tij. Ky zotëri e di shumë mirë si është kur bien regjimet për shkak të studentëve. Vetë e ka përjetuar nga afër rënien e Ramizit. Detyra juaj ndaj vetës, pasardhësit e tu dhe shoqërisë nuk është të braktisni kauzën e rilindjes së vërtet të shoqërisë duke u ulur në tryezë me dikën që iu çuan “ngelësa” dhe “dembela” për arsyeje që ju luftoni për një arsim evropian dhe cilësor. Edi Rama e ka kuptuar gabimin e tij dhe madje veç për ta mbrojtur karrigen e tij ka vendosur të dialogojë se për ndryshe studentët janë dështak  dhe këlyshët e Lulit. Dini mirë që ju nuk do dështoni nëse nuk hyni në dialog dhe vazhdoni protestën. Numri i njerëzve dhe atyre që ne fillim ishin pishman apo kishin frikë do rritet dita ditës pasi në këtë pikë të protestës grupi i të rinjve ka platformën dhe legjitimitetin e duhur. Rinia shqiptare përmes jush u ringjall nga heshtja e imponuar përmes shtypjes masive dhe keqtrajtimit që bëjnë politikanët apo të vjetrit ndaj të rinjtë. Kjo çështje duhet të përdoret për të shkaktuar edhe me shumë ndryshime pasi të kryhet fitorja në faktorin e arsimit. Gjerë e gjate u poshtëruan të rinjtë, u konsideruan të vegjël dhe të verbër në aspektin e mençurisë. Mbledhja protestuese solli në pah fuqinë e vërtet të rinisë dhe kjo duhet të behët katalyzatori i përparimit shoqëror dhe shtetëror. Mos bëni gabimin që bëri vala protestuese në dhjetorin e famshëm dhe të zhbëni mundësinë e artë për ndryshim duke u fyer mes njeri-tjetrit. Studentët dhe të rinjtë do qëndrojnë të fortë nëse qëndrojnë se bashku në protestë duke u angazhua sot për fakultete të mira dhe nesër për një Shqipëri dinjitoze ku të rinjtë nuk ikin por vijnë prapë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat