Për flamur nga Shkupi në Vlorë - Bota Sot
Për flamur nga Shkupi në Vlorë

Opinione

Për flamur nga Shkupi në Vlorë

Nga: Prof. Dr. Vebi Xhemaili Më: 14 dhjetor 2018 Në ora: 08:23
Prof. Dr. Vebi Xhemaili

-USHT-Tetovë(RRUGËTIMI DREJT PAVARËSISË FILLOI NË KONGRSIN E  MANASTIRIT KU KRERËT E KOMBIT KËRKUAN AUTONOMIINË  E SHQIPËRISË-

-NË SHKUP MË 14 TETOR 1912 U MOR VENDIMI PËR SHPALLJEN PAVARËSISË SË SHQIPËRISË)

ISMAIL QEMALI-VLORA MË 28 NËNTOR  SHPALLI PAVARËSINË E SHQIPËRISË ETNIKE

Andaj, me shumë të drejtë të gjithë shqiptarët e të gjitha trojeve etnike e festojnë me krenari 28 Nëntorin, këtë festë të Pavarësisë së Flamurit, si Ditëlindjen e II, të Kombit Shqiptar. Kjo është dita e nderimit dhe mirënjohjes së pakufishme ndaj të gjithë atyre që bënë gjithçka për Shqipërinë dhe Kombin, të cilët dhanë edhe jetën për arritjen e lirisë dhe të Pavarësisë ku pjesa më madhe e  shqiptarëve sot e gëzojnë në Shqipëri dhe Kosovë, edhe pse RRUGËTIMI DREJT PAVARËSISË FILLOI NË MANASTIR KU U KËRKUA AUTONOMIA E SHQIPËRISË NË KUADËR TË SULLTANIT, NDËRSA NË SHKUP U VENDOS QË TË SHPALLET PAVARËSIA. NË RRETHANA TË JASHTËZAKONSHME KY AKT MË I LART U ARRIT NË VLORË më 28 NËNTOR  FALË DIPLOMATIT MË TË SHQUAR SHQIPTAR, ISMAIL QEMALIT.

Veprimet luftarake të Luftës së Parë Ballkanike u zhvilluan me një shpejtësi të jashtëzakonshme, por e tërë pesha e luftës u zhvillua në territorin shqiptar. Betejat kryesore u bënë në Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit, duke filluar nga Kumanova, Shkupi, Prilepi, Kërçova, Manastiri, Ferizaj, Prizreni, Tetova etj. Siç shihet, betejat kryesore u zhvilluan në tokën e Shqipërisë Verilindore. Shtetet e Ballkanit kishin mobilizuar përafërsisht një milion ushtarë për të sulmuar Turqinë. Në të vërtetë, këto luftëra u zhvilluan në territoret etnike shqiptare. Shtetet ballkanike, në emër të luftës kundër Perandorisë Osmane, synonin likuidimin e katër vilajeteve shqiptare që përbënin Shqipërinë Etnike midis Ballkanit, që kurrë populli shqiptar të mos bashkohet në një shtet të pavarur e sovran, të themeluar që nga periudha e lavdishme e Skënderbeut.

             Rrethanat në Evropë kishin filluar përsëri të acarohen midis Fuqive të Mëdha, posaçërisht kur në vitin 1911 filloi lufta e Italisë kundër Etiopisë. Ato u tensionuan edhe  më shumë në vitin 1912 me Kryengritjen e Madhe në Trevat Verilindore shqiptare (Kosovë-Maqedoni). Po ashtu edhe shqiptarët tani më kërkonin autonominë, në veçanti pas hyrjes të Kryengritësve shqiptarë më Shkup më 12 gusht 1912, ku filluan bisedat midis: Hasan Prishtinës dhe Komisionit të Qeverisë turke, për Autonominë  e Shqipërisë së Plotë. (V.Xh).

Kjo Marrëveshje Shqiptaro-Turke i frikësoi pa masë shtet ballkanike, veçanërisht  Malin e  Zi dhe Serbinë. Këto dy shtet në tetor 1912, i shpallin luftë Turqisë, de fakto ajo ishte luftë kundër  territoreve të Shqipërisë. Edhe pse në këtë kohë, Fuqitë e Mëdha deklaronin se kurrë nuk do të lejonin ndryshim të kufijve në Ballkan. Shtetet e mëdha  evropiane qysh më 27-28 tetor 1912 ndërruan politikën e tyre të mëparshme në lidhje me kufijtë e Ballkanit, ku përveç qëndrimit të  prerë të Francës dhe Rusisë, atyre u afrohej dalëngadalë edhe Anglia.

Në fillim të nëntorit ndryshuan rrethanat në Ballkan, tanimë edhe Fuqitë e Mëdha, filluan të mendonin për kufij të rinj. Ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sazanovi, pranonte me rezervë se Shqipëria e Pavarur, e vogël dhe e dobët, mund të binte shumë shpejt nën ndikimin austriak, prandaj ky mbronte në parim tezën e mëparshme dhe deklaronte mundësinë e formimit të një Shqipërie Autonome nën Sovranitetin e Sulltanit. Rusia, në këtë kohë, kërkonte që të kënaqej Serbia, se duhet mundësuar asaj dalje në bregdetin shqiptar. Kjo kërkesë u hodh poshtë nga Vjena dhe Berlini. Më 5 nëntor, kundër qëndrimit rus u deklarua edhe diplomacia italiane, për t’i siguruar Serbisë një liman në detin Adriatik.

Në këtë kohë, aty kah mesi i nëntorit, kur ushtria serbe kishte pushtuar Prilepin, ndërsa mbanin të rrethuar Manastirin, ku ishin  disa mijë ushtarë turq të rrethuar, gjendja e tyre ishte tej mase alarmante. Po ashtu, ushtria serbe nga veriu i Shqipërisë po i afrohej Lezhës. Në këto rrethana të jashtëzakonshme edhe Austro-Hungaria filloi përgatitjet për luftë. Në këto raporte tejet të acaruara, Rusia ndryshoi deri-diku qëndrimin e saj dhe pranoi më në fund që Serbisë t’i jepej  vetëm një dalje ekonomike  në Detin Adriatik. Në këtë kohë, kur Evropa ishte në prag të luftës me përmasa të mëdha botërore, pasi kontradiktat midis Fuqive të Mëdha kishin arritur kulmin, për qetësimin e kësaj situate lindi ideja e thirrjes  së një Konference Ndërkombëtare për të zgjidhur  këto probleme të ndërlikuara midis Ballkanit, ku problem kyç ishte çështja shqiptare. Nga ndërhyrjet  e ushtrive serbo-malazeze dhe ato greke  në tokat e Shqipërisë, tashmë Shqipëria Verilindore ndodhej e okupuar, ndërsa vetë Kryeministri serbe Nikolla Pashiqi, pas pushtimit të Shkupit, më 26 tetor  ishte vendosur në Shkup.

Në këto kondita të vështira për popullin shqiptar, kur krerët e Lëvizjes Kombëtare bënin çmos për mbrojtjen e vendit nga terrori i ushtrive serbe, megjithatë duhej t’i ndryshonin qëndrimet e tyre politike dhe ishte momenti që në këtë kohë të ndryshonin mendjen e tyre dhe të hiqnin dorë nga Autonomia e tyre në kuadër të Perandorisë Osmane. Në të njëjtën kohë, edhe Ismail Qemali mendonte si shumica e krerëve shqiptarë, në krye me Hasan Prishtinën. Kjo shihet më së miri në një intervistë të Ismail Qemalit dhënë gazetës vjeneze "Neue Freie Presse", më 27 gusht 1912. Në intervistën e Ismail Qemalit, nga Triestja, ku thuhej: "Në lëvizjen shqiptare nuk duhet të kujtohet një të ndarë nga Turqia. Shqiptarët e ndiejnë veten otomanë dhe e vetmja dëshirë e tyre është për të bashkëvepruar për të ngjallur përparimin e Perandorisë Turke. Shqiptarët nuk kanë pse të dyshojnë për besnikërinë e Qeverisë së sotme Turke. Lëvizja e shqiptarëve ka mbaruar, pse i ka arritur qëllimet e veta, dua të them, të larguarit e turqve të rinj nga sundimi".[1]

Pra, faktet flasin se para nisjes së Ismail Qemalit nga Stambolli për në Bukuresht, kah fundi i muajit tetor, ai në plan kishte angazhimin për njohjen e  Autonomisë së Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Osmane. Pra, deri në prag të fillimit të Luftës së Parë Ballkanike, krerët shqiptarë kërkonin Autonominë e Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Osmane, por kërkonin edhe reformat përbrenda Perandorisë. Kërkesa për realizmin e autonomisë së Shqipërisë së pavarur, fillon pas sulmit të Malit të Zi kundrejt Shqipërisë, më 8 tetor 1912. Kështu, kërkesat e krerëve shqiptarë për pavarësinë e Shqipërisë për herë të parë publikohen pas depërtimit të ushtrive serbo-malazeze në trevat Shqipërisë  Verilindore.

NË SHKUP MË 14 TETOR 1912 U MOR VENDIMI PËR SHPALLJEN PAVARËSISË SË SHQIPËRISË ETNIKE

Për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, për herë të parë bisedohet nga krerët shqiptarë që ishin mbledhur në Shkup, në shtëpinë e Sali Gjukës më 14 tetor, ku u vendos që kësaj radhe të ruajnë neutralitetin dhe të luftojnë për Pavarësinë e Shqipërisë Etnike. Nga krerët, në këtë konsultim u tha se “shtetet shoviniste fqinje kishin vendosur për ta fshirë Shqipërinë nga harta politike e Ballkanit. Prandaj kësaj radhe i ftojmë të gjithë shqiptarët kudo që janë, që të rrokin armët për ta mbrojtur atdheun e tyre Shqipërinë”. Siç dihet, aty u vendos me një memorandum të njoftoheshin edhe Fuqitë e Mëdha. Edhe kësaj radhe barra kryesore për udhëheqjen e mbrojtjes të trojeve tona iu ngarkua atyre që u gjendën në Shkup, si: Hasan Prishtina, Sahit Hoxha, Idriz Seferi, Mit’hat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani Hamdi bej Ohri, Sherif Langu, Halim Derralla.[2] Ndërsa përcjellsi flaktë në të gjitha tubimet e Hasan Prishtinës dhe Mehmet Derralls ka qenë Abduhraman bej Tetova, i cili e organizoi edhe Kryengritjen vitit 1912 në Pollog.[3] Por nuk duhet haruar edhe kontributin e disa organizatave politike për nismën që morën mbi supe të kohës që vepronin në Shkup, për ta nxjerrë vendin nga gjendja e ndërlikuar dhe tejet kritike, me fillimin Luftës Parë Ballkanike.[4]

Pas sulmit të ushtrive serbe, udhëheqësit shqiptarë filluan organizimin kundër depërtimit të tyre në tokat tona. Disa nga udhëheqësit u kapën me dredhi dhe u burgosën nga komanda serbe, të tjerët para se të hynin ushtritë serbe në Shkup, u larguan për  në Mitrovicë, Prizren e qytet tjera të Kosovës. Për në Dibër u nisë Sherif Langu, për në Ohër e Strugë kush tjetër pos Hamdi bej Ohrit. Për në Tetovë Halim Deralla dhe Abdurhaman Beu, për të organizuar popullin në vetëmbrojtje. Ndërkohë, Sali Gjuka, Mit’hat Frashëri dhe Rexhep Mitrovica, pasi vizituan disa qytete të Kosovës për të njoftuar për organizmin e kuvendit, ata u nisën nga Gjakova në drejtim të Lezhës dhe Tiranës, për ta përgatitur Kuvendin e Pavarësisë. Atyre iu bashkuan në Tiranë edhe Abdi Toptani e Mustafa Kruja, të cilët vazhduan për në Durrës, ku patën një  takim në shtëpinë e Imzot Nikollë Kaçorrit. Në këtë takim të tyre u hodh ideja që t’u kërkohej Fuqive të Mëdha autonomia e plotë e Shqipërisë, nën mbrojtjen e Austro-Hungarisë. Në fund, nga kjo mbledhje iu drejtua një memorandum perandorit austro-hungarez, tekstin e të cilit e hartoi Imzot Nikollë Kaçorri: “Shqipëria me katër vilajetet: Shkodër, Kosovë, Manastir dhe Janinë, të mbetej e paprekur, e pa zvogëluar, që me katër vilajetet e përmendur më sipër, me tre milion e sa shqiptarë, të shpallej Mbretni më vete dhe po të ishte e mundur të merrej parasysh dëshira jonë, të bëhej një mbretni e paanshme si Belgjika e Zvicra”. Sa mbaroi mbledhja e Durrësit e nisën  memorandumin për në Vjenë, ata u shpërndanë nëpër krahinat shqiptare: Sali Gjuka në Elbasan, Abdi Toptani në Tiranë, Dom Nikollë Kaçorri në Mirditë, Mustafa Kruja në Krujë dhe Mit’hat Frashëri në Vlorë.

Në këto kondita të vështira politike dhe ushtarake për popullin shqiptar, nisja e Ismail Qemalit për në Bukuresht do ta ndryshonte pozicionin e krerëve shqiptarë, për veprim të mëtutjeshëm autonom. Ismail Qemali arriti në Bukuresht më 20 tetor 1912, ku e pritnin një grup veprimtarësh, midis të cilëve me ftesë të Imail Qemalit kishte arritur në Bukuresht më 19 tetor edhe Luigj Gurakuqi. Ismail Qemali para se të arrinte në Bukuresht më 20 tetor kishte pasur një konsultim edhe me Ibrahim Temon në Konstancë.[5]

Konsultimi i parë me atdhetarët shqiptarë u mbajt  më 25 tetor në Bukuresht, ku në mesin e kolonisë shqiptare me kohë frymonte nacionalizmi shqiptar për Pavarësi të plotë të Shqipërisë. Por, edhe në këtë mbledhje nuk kemi ndonjë qëndrim të qartë të shqiptarëve. Po ashtu, edhe Ismail Qemali nuk parashtroi ndonjë kërkesë të prerë në lidhje me pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Nuk kemi të dhëna se cili ishte qëndrimi i Ismail Qemalit në këtë tubim, për pavarësi të plotë  apo për autonomi të mbikëqyrur nga ndonjë shtet i huaj, sikundër edhe krerët shqiptarë ende nuk kishin ndonjë qëndrim të prerë për pavarësi të plotë dhe shkëputje nga Turqia. Ismail Qemali, pas këtij takimi me atdhetarët shqiptarë në Bukuresht, nga Vjena sërish me Luigj Gurakuqin u kthye në Stamboll, ku kuptoi se aleatët ballkanas dhe ushtritë bullgare zaptuan Kirk Kilisen, kurse serbët kishin hyrë në Shkup, “u binda se pat arrit koha për ne Shqiptarët të merrnin masa  për shpëtimin tonë”.[6]

 Serbët e kishin pushtuar Shkupin dhe  tani më kishte ardhur koha që të luftohej për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.

Pas mbarimit të Kryengritjes së Kosovës dhe trevave të tjera lindore, çështja shqiptare ishte bërë arenë diskutimi në oborret e Fuqive të Mëdha, pasi që kjo kryengritje, sipas raporteve të huaja, tronditi deri në themel Perandorinë turke. Kjo ishte një ndër arsyet kryesore për afrimin e Italisë me Austro-Hungarinë.

Këta dy shtete antagoniste midis tyre u ulën pranë njëra-tjetrës dhe në qershor të vitit 1912 lidhën një marrëveshje të fshehtë në lidhje me statusin e ardhshëm të Shqipërisë, e cila shkonte në favor të popullit shqiptar, edhe pse kjo  marrëveshje parashikonte mbrojtjen e interesave të tyre paraprake ;

Pika e parë parashikonte njohjen e interesave reciproke të Austrisë dhe Italisë në Shqipëri;

E dyta, zotimi reciprok për mbrojtjen e Shkodrës;

E treta, zotimi për të kundërshtuar cilindo  shtet ballkanik  në tokat shqiptare;

E katërta, ishte po ashtu zotimi i ndërsjellë që në rast të largimit të Perandorisë turke, të mos jenë kundër formimit të principatës autonome shqiptare.

Ky qëndrim i politikave të tyre ngeli i pandryshueshëm deri në fillimin e Luftës së Parë Ballkanike. Kjo shihet më së miri te politika e jashtme e Italisë, e cila deri në këtë kohë e trajtonte Shqipërinë si koloni të ardhshme të saj. Në parim, Austro-Hungaria dhe Italia përpiqeshin të krijonin një Shqipëri të pavarur, në marrëveshje brenda një aksioni ndërkombëtar. Por Italia, për sa i përket politikës shqiptare, udhëhiqej prej motivesh të tjera nga ato të Austro-Hungarisë, e cila përpiqej sinqerisht të krijojë një Shqipëri të lirë dhe të pavarur, një bastion të natyrshëm kundër daljes së sllavëve në Adriatik. Qëllimi i politikës italiane në Ballkan nuk ka qenë kurrë për një shtet shqiptar të pavarur në “bregun tjetër”. Përkundrazi, Italia ndiqte qëllime egoiste, donte ta kishte vetë “bregun tjetër”, ose së paku të kishte atje një shtet vasal që t’i bindej asaj. Bertholdi pas vizitës që i bëri Mbretit Viktor Emanueli në “Roasore” në tetor 1912, ku pati një bisedë të gjatë me ministrin e Jashtëm të Italisë, markeze di San Giuliano në Firence, gjatë së cilës u bisedua edhe politika ballkanike e të dy abatëve. San Giuliano kishte një mendim të keq për shqiptarët dhe nuk i konsideronte “të aftë për reformë”. Ai vërtet theksoi nevojën e bashkëpunimit për një marrëveshje lidhur me çështjet ballkanike, por këtë bashkëpunim sa i përket Shqipërisë e parafytyronte në formë të një “kondominiumi” ose një ndarjeje të Shqipërisë. Kjo kontradiktë u bë shkaku kryesor i dështimit të kooperimit midis Austrisë dhe Italisë në principatën e ardhshme shqiptare më 1914.[7]

Në këto rrethana, patriotët shqiptarë që ishin jashtë vendit, nuk e lanë fatin e Shqipërisë në duart e të tjerëve. Pasi tanimë ishte koha që të lëviznin vetë dhe të jenë të pavarur nga politika sulltaniste, ata duhej vepruar me të shpjetë për ta shpëtuar vendin të e tyre, Shqipërinë. Në këto çaste jetike për popullin shqiptar, Ismail Qemali pati një takim me vezirin e  madh, Qamil Pashën në Stamboll, ku u bisedua për situatën në Ballkan dhe operacionet luftarake që zhvilloheshin kundrejt Shqipërisë. Në bisedë e sipër, kryeministri turk i ofroi një post Ismail Qemalit, pranë ministrisë së tij.[8]

Me këtë rast, diplomati shqiptar  i përgjigjet:  “Në rrethana të tjera do ta pranoja me kënaqësi këtë post të nderuar, por  tashmë një detyrë më e lartë më detyronte të refuzoja. Vendi im nuk qe më aty, sepse unë i detyrohesha me shërbimet  e mia vendit tim.”[9] Nga ky takim, Ismail Qemali u nis nga Stambolli për në Bukuresht, së bashku me Luigj Gurakuqin dhe të birin e tij, Ethem Beun, ku vepronte një koloni  e madhe atdhetarësh, nga të cilët shumica ishin të përndjekur politikisht nga pushteti turk.

Ismail Qemali, më 5 nëntor u takua për së dyti herë me atdhetarët e kolonisë shqiptare në Bukuresht ku mori pjesë edhe Luigj Gurakuqi dhe djali i Ismail Qemalit, Eqrem bej Vlora. Mbledhja u organizua në hotelin “Kontinental” ku organizator kryesor ishte atdhetari i palodhshëm Pandeli Evangjeli, njëherrit edhe Kryetar i Komitetit “Bashkimi”. Përkrah tij qëndronin: Nikolla Naço, Asdreni, Vasil Zografi, Spiridon Illo, e shumë të  tjerë, ku çdo gjë shënohej në proces verbal. Pasi e hapi mbledhjen P. Evangjeli, e mori fjalën Ismail Qemali, ku foli për situatën politike në Ballkan dhe më gjerë, në fund i njoftoi të pranishmit për një takim miqësor që kishte pasur gjatë rrugës me ish-ministrin kontin Hadik, në shtëpinë e tij  në Budapest, midis tjerash i njoftoi, “kam sigurim se  po të sillemi në këtë mënyrë, Fuqitë e Mëdha do të na njohin të drejtat tona, ndryshe do të humbasim për jetë, tjetër shpëtim për Shqipërinë nuk ka, përveç se të gjenden ca atdhetarë me guxim dhe bashkë me mua, të hyjmë në Shqipëri dhe të shpallim vetëqeverimin e saj”. Në këtë mbledhje u vendos që të krijohet një komitet që do të ketë lidhje me komitetet e brendshme (në Shqipëri) dhe me qendrat e tjera të shqiptarëve jashtë vendit, që të bëjnë atë që mundet, për të ndihmuar e për të mbrojtur atdheun në ditën e sotme. Në fund të mbledhjes u emërua Komiteti Drejtonjës prej 9 anëtarëve. ku u morën këto vendime të   rëndësishme për fatin e Shqipërisë:

Pika e Parë: Ishte themelimi i një komiteti drejtues të vendit, që duhej ta udhëheq popullin shqiptar para kombeve të tjera; Ky komitet përbëhej prej 9 anëtarëve. Ky Komitet zgjodhi kryetar P. Evangjelin dhe sekretar Asdrenin.

E dyta: Formimi i një komisioni të aftë, të ditur dhe të njohur, i cili do të merr një mision diplomatik nëpër Evropë, për të mbrojtur të drejtat kombëtare të vendit;

E treta: U propozua që të formohet edhe një komitet jashtë, që do të bashkëpunojë me qendrat e tjera të jashtme dhe me komitetin e vendit, për koordinim të punëve në të mirë të kombit.[10]

Të gjitha punët e organizimit të Kuvendit mbarëkombëtar për shpalljen e pavarësisë i mori përsipër Luigj Gurakuqi dhe Komiteti, së bashku me atdhetarët e tjerë të Kolonisë shqiptare që vepronte në Bukuresht. Meqë në këtë kohë, Ismail Qemali ishte pranuar si udhëheqës, pasi kishte edhe përkrahjen e plotë të kolonisë shqiptare të Bukureshtit, ai me një delegacion shqiptarë ku bënin pjesë edhe anëtarët e komitetit, si Pandeli Cale, Lugj Gurakuqi, Spiridon Ilo dhe Dhimitër Berati, u nisën për herë të dytë në drejtim të Vjenës, ku arritën më 6 nëntor të vitit 1912,[11]  për takime me diplomatë të huaj, si me kontin Berthold, ish ministrin Andrashi dhe me ambasadorët e Anglisë dhe të Italisë.

Më në fund, falë iniciativës dhe vendosmërisë së Ismail Qemalit, i ndihmuar nga veprimtarët e kolonisë shqiptare që vepronte në Bukuresht, arritën të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të vetorganizohen për të shpallur mëvetësinë e Shqipërisë. Pra, në Bukuresht u konsolidua  diplomacia shqiptare në krye me Ismail Qemalin. Krerët e Lëvizjes kombëtare, më në fund, arritën të organizohen në vendin dhe kohën e caktuar, për veprim institucional në dobi të kombit. Atdhetarët shqiptarë, në këto çaste të vështira, patën edhe përkrahjen politike nga shteti rumun. Mbi të gjitha, vizioni i Ismail Qemalit më në fund ishte frutdhënës, pasi veproi si diplomat në momentin e kontradiktave të mëdha që ekzistonin midis shteteve të Fuqive të Mëdha, në lidhje me rregullimin e ardhshëm të Ballkanit, ku bënte pjesë edhe statusi  i ardhshëm i Shqipërisë.

Në këto çaste, Fuqitë e Mëdha ishin tej mase të interesuar që të ruajnë status quon në Ballkan dhe të mbanin nën kontroll  hapësirën shqiptare. Në këto rrethana të reja, kur Serbia tashmë kishte pushtuar Shkupin,  i dhanë hapësirë Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, që në bisedat që do të pasonin me disa ambasadorë, si atë italian, francez dhe në veçanti atë  anglez, F. Katrajt, që të siguronte në parim simpatinë e idesë për autonominë e të Shqipërisë. Por, Ismail Qemali pati qëndrim më të avancuar, duke i  vënë në dijeni ambasadorit anglez, se autonomia shqiptare në këto rrethana nuk ka më asnjë peshë, ndaj dhe vuri në pah se sa të kthehej në vend, do të shpallte pavarësinë e plotë të vendit. Ambasadori anglez, lidhur me këtë qëndrim të prerë të Ismail Qemalit, më vonë ka njoftuar ministrin e vet, Eduard Grej, se shqiptarët ishin të vendosur të ruanin tërësinë e vendit të tyre dhe do të luftonin  deri në fund për ta mbrojtur atë. Ismail Qemali, pasi i njoftoi diplomatët e akredituar në Vjenë, u bind se ka arritur progres në këto biseda, në veçanti u dallua përkrahja diplomatike që mori nga ambasadori  anglez, Katrait.[12] Për këto të arritura, Ismail Qemali nga Vjena  më 9 nëntor 1912, njoftonte  djalin e tij në Vlorë, me telegram, që kishte këtë përmbajtje: “E ardhmja e Shqipërisë është  e siguruar, telegrafoni kudo që të kenë besim të plotë për fatin  e atdheut.[13] Takimin e radhës,  Ismail Qemali e bëri më 12 nëntor 1912, në Ministrinë e punëve të Jashtme të Vjenës, edhe pse diplomacia Austro-Hungareze fare nuk e simpatizonte Ismail Qemalin, pasi siç dihet, ky deri në këtë kohë kishte mbajtur afërsi me diplomacinë angleze. Pas katër ditëve, më 13 nëntor, Ethem bej Vlora i përgjigjet me telegram  Ismail Qemalit, “se shqiptarët e presin me padurim ardhjen e tij”.[14]

 Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin u kthyen përsëri në Bukuresht, ndërsa djali i tij Eqrem Beu ngeli në Trieste, ku i njoftoi patriotët shqiptarë për bisedat e tij me ambasadorët evropianë të akredituar në Vjenë. Nga këto biseda shpresëdhënëse, Ismail Qemali  në Bukuresht  pati një takim të tretë me atdhetarët e atjeshëm. Mbledhja u mbajt më 14 nëntor, ku u emëruan edhe delegatët e kësaj kolonie, për të marrë pjesë në Shpalljen e pavarësisë, që do të mbëhej në Durrës. Nga kolonia e shqiptarëve të Bukureshtit u zgjodhën këta delegatë: Z. Pandeli Evangjeli,[15] Dhimitri Ilua, Dhimitër Zografi, D. Emanoil dhe D. Berati. Ndërsa grupi tjetër atdhetarësh nga  Bukureshti u nis për në Trieste, prej nga dërgonin letra dhe telegrame në shumë shtete ku jetojnin shqiptarë, për të dërguar delegatë në Shqipëri. Në Trieste do të mblidheshin të gjithë delegatët dhe do të prisnin  Ismail Qemalin, pas takimit të tij me disa përfaqësues të diplomacisë austro-hungareze.

 Ismail Qemali ishte i vendosur për t’i njoftuar diplomatët e Vjenës, se populli shqiptar së shpejti do të mbante një Kuvend Kombëtar, në çastet kur ushtritë e shteteve sllave po përparonin drejt Shqipërisë. Por, edhe kësaj radhe nga diplomacia e jashtme  austriake nuk mori ndonjë përgjigje të prerë, përveç simpative që kishin ata për popullin shqiptar.  Në këto çaste tejet të vështira për popullin shqiptar, situata politike dukej shumë e ngatërruar për sa i përket fatit të Shqipërisë. Ismail Qemali përgatitej të largohej nga Bukureshti për në Vjenë, pa rezultate konkrete nga diplomacia austro-hungareze. Por, papritmas, gjatë rrugës njoftohej me telegram nga ish-diplomati, konti Hadik, se duhej të takohej përsëri me një diplomat të njohur. Si duket, Austro-Hungaria përmes kanaleve të veta  diplomatike tanimë kishte kuptuar për përkrahjen morale që i kishte dhënë ambasadori anglez, diplomatit shqiptar në Vjenë. Kjo përkrahje sado e vogël e diplomacisë angleze ndaj shqiptarëve, futi huti në kreun shtetëror të Austro-Hungarisë dhe atë italian. Kjo ishte arseja pse u ftua përsëri nga ministri i Punëve të Jashtme Bertholdi. Ky takim u mbajt  përsëri në shtëpinë e kontin Hadik. Më në fund Ministri i punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, Bertholdi, ku sipas memoareve të Ismail Qemalit , “pranoi pikëpamjet e  mia rreth zgjidhjes së çështjes  kombëtare shqiptare për autonominë e Shqipërisë”. Takimi mbahej në rrethana interne, pasi para tre ditësh, më 15 nëntor, kishte filluar punën edhe Parlamenti Austro-Hungarez në Budapest, i cili vazhdoi punimet deri më 20 nëntor 1912. Në këtë debat disa ditësh të parlamentit austro-hungarez u bisedua në lidhje me shtetet ballkanike, në radhë të parë u kërkua  që të mos pësojnë interesat vitale të  shtetit të tyre. Pra, në këtë debat u kërkua që Austro-Hungaria të mbajë qëndrim dashamirës edhe  ndaj shteteve tjera të Ballkanit, në radhë të parë ndaj Serbisë.

Në rrethana të tilla kur debatohej për situatën e krijuar në Ballkan, udhëheqësit e shtetit  Austro-Hungarez në krye me Bertholdin, i ofruan edhe një anije austriake në dispozicion Ismail Qemalit, për t’u kthyer sa më parë në vend, para se të hynin ushtritë serbo-greke në limanin e Durrësit.[16] Për këtë akt të pavarësisë nën sovranitetin e Sulltanit, tanimë ishin dakord edhe dis nga  Fuqitë e Mëdha. (V. Xh).

Ismail Qemali, po të njëjtën ditë, më 18 nëntor i dërgoi një telegram tjetër Komisionit të Përgjithshëm  për organizimin e Kuvendit i cili mendohej të bëhej në Durrës ose në Vlorë, ku theksonte se: “Çështja  jonë  politike u sigurua” dhe kërkonte me urgjencë mbledhjen e delegatëve të gjithë Shqipërisë Etnike.[17] Ismail Qemali u nis me të shpejtë nga Budapesti dhe arriti në Trieste, ku u bashkua me grupin e patriotëve shqiptarë, që kishin ardhur nga Bukureshti për të njëjtin mision të shenjtë, të cilët me vete kishin edhe flamurin kombëtar.

Ismail Qemali nga Triestja më 18 nëntor, publikisht deklaronte se ndodhej tok me veprimtarët e tjerë shqiptarë, se menjëherë pas ardhjes së tij  në Shqipëri, do të shpallte pavarësinë e saj dhe do  zgjidhej Qeveria e Përkohshme.[18] Pra, në këtë kohë, për herë të parë pas shumë përpjekjeve u bë publike ideja e pavarësisë së Shqipërisë, e cila u pritë me entuziazëm  të madh në tërë  Shqipërinë Etnike, ku bënin pjesë 4 vilajetet. Në këtë Kuvend, i cili do të mbahej në një qytet të lirë, ishin të ftuar edhe delegatët nga Kosova, Shkupi, Tetova, Dibra, Manastiri, Resnja, Struga, Ohri e tjerë.[19] Terreni ishte përgatitur qysh më parë nga rrethet patriotike brenda vendit. Në Kosovë veprohej me të madhe në këtë drejtim nga ana e Sali Gjukës, Mithat Frshërit, Rexhep Mitrovicës, Ali Shkupit, Mehmet Derrallës, Vehbi Dibrës dhe Hamdi Ohrit, të cilët vepronin çdo kund nëpër Kosovë e trevat tjera lindore që të emërohen kuvendarë meritor, për pjesëmarrje në këtë  kuvend. Po ashtu, në anën e Manastirit dhe Ohrit vepronte Dervish Hima, i cili posa ishte kthyer nga Stambolli, me Rasih Dinon, Sulejman Delvinën dhe Fuat Dibrën. Edhe  pse ishin rrethanat e jashtëzakonshme, qarqet atdhetare kishin vendosur lidhje midis tyre dhe kishin caktuar Durrësin apo Vlorën, si qytete më të përshtatshëm për mbajtjen e Kuvendit, ku do të tuboheshin krerët më të njohur që ishin emëruar si kuvendar nëpër krahinat e tyre. Në këtë kohë vetëm Qeveria Rumanisë e cila nuk ishte në luftë e ndihmoi Pavarësinë e Shqipërisë . Madje Kryeministri i kohës në Rumani Taqe Junesku, një shqiptar me origjinë nga Ohri, i dërgoi Ismail Qemalit 500 mijë franga ari për të përballuar shpenzimet e udhëtimit. 

Në fillim të Luftës së Parë Ballkanike, Austro-Hungaria dhe Gjermania ishin të bindura se Turqia nuk do ta humbë luftën me shtetet e Ballkanit, nuk do të prishej status quoja dhe nuk do të ketë kufij të rinj në Ballkan. Kjo shihet më  së miri kur deputeti i porsazgjedhur, Sureja bej Vlora, në diskutimin e parlamentit turk,  më 9 korrik  1912, mbajti një fjalim shumë të ashpër kundër politikës turke që ushtronte në Shqipëri, për çka u detyrua fshehurazi të largohet nga Stambolli, me ndihmën e ambasadorit austriak. Kah mesi i vitit 1912, disa krerë shqiptarë, ndër ta edhe Sureja bej Vlora, e kishin të qartë se do të shpërthente Lufta Ballkanike. Prandaj, ky bën përpjekjet e para diplomatike dhe merr disa hapa në lidhje me fatin e Shqipërisë. Ky nisej për në Vjenë, duke llogaritur vazhdimisht në diplomacinë austro-hungareze, pasi që me veprimet e veta njihej si ithtar i politikës së saj të jashtme dhe vazhdimisht me ta mbante lidhje miqësore. Në këtë kohë, zërat në frontin e luftës ishin alarmante, kurse forcat serbe pas marrjes së Kumanovës, Shkupit, Tetovës dhe Gostivarit, më 17-18 nëntor kishin pushtuar edhe Manastirin dhe marshonin me të shpejtë kah Shqipëria e Mesme, në drejtim të Elbasanit, ndërsa Dibra ende qëndronte e pa pushtuar.[20] Nga jugu, ushtria greke kishte rrethuar  Janinën, kishte marrë në dorë Sazanin, ndërsa më 19 nëntor  zbarkoi në Himarë.  Në këto kushte lufte, e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte jo shpallja e autonomisë në kuadër të Perandorisë, por shpallja e plotë e pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë vendim, arriti grupi i patriotëve i kryesuar nga Ismail Qemali, i cili kundërshtoi autonominë e premtuar dhe deklaroi publikisht se shqiptarët në një të ardhme të shpejtë do të shpallin sovranitetin e plotë të popullit shqiptar.

Siç thamë më parë pavarësinë e Shqipërisë, e kishte kërkuar edhe Syreja bej Vlora. Ky, para se të fillonte Lufta Ballkanike, e kishte dërguar djalin e tij Eqrem Vlorën,  në Vjenë, që të sigurojë përkrahjen e diplomacisë së saj me rastin e shpalljes së pavarësisë, ose Austro-Hungaria të pranonte protektoratin mbi Shqipërinë.  Mirëpo, në këtë kohë Austro-Hungaria  ende  nuk  besonte se Turqia do ta humbë luftën me shtetet ballkanike, ndaj dhe nuk ndërmori asgjë në këtë drejtim. Arsyeja e dytë ishte se Syreja bej Vlora në prag të luftës nuk mundi të siguronte as krerët shqiptarë që t’i bashkoheshin në këtë mision të shenjtë. E treta, shqiptarët dhe krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, deri me fillimin e Luftës Parë Ballkanike, ishin shumica vetëm për një autonomi kulturore dhe administrative në kuadër të Perandorinë Osmane. I vetmi udhëheqës i kombit, që ishte për pavarësi të plotë para Luftës së Parë Ballkanike, ishte  atdhetari më i devotshëm i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare Dervish Hima nga Ohri. (V.Xh).

 Kjo fletë qartë se udhëheqësit e Kombit Shqiptar, deri në fillimin Luftës së Parë Ballkanike, nuk ishin unikë në kërkesat e tyre dhe nuk kishin një platformë të përbashkët kombëtare. Kjo ishte një ndër arsyet kryesore pse dështoi shtegtimi i Syreja bej Vlorës në Vjenë, për mbështetjen e pavarësisë së Shqipërisë nga politika austro-hungareze, e cila siç dihet,  pësoi fiasko totale. Madje, Syreja Vlora nuk mundi ta bëjë për vete as Esat Pashën, edhe pse e kishte për grua të motrën e tij. Po ashtu, nuk arriti të përvetësonte as Preng Bibë Dodën, që njihej gjatë gjithë kohës si austro-fil. Pasi edhe këta feudalë kishin ambiciet e veta, me tentim që veten ta shpallnin të parin e  Shqipërisë. Syreja Vlora kur e pa se dështuan këto plane të tij, i hidhëruar u nis kah Shën-Gjini, për në Kotorr, për të arritur në Vjenë, për të mos u kthyer më në Vlorë, deri në qershor të vitit 1913. Pas kthimit të tij në Vlorë, tentoi të pajtojë Ismail Qemalin me Esat Pashën, por ky pajtim ishte jetëshkurtër. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore e mos tolerancës midis dy krerëve të kësaj familje të njohur atdhetare. Prandaj, atë që s’mundi ta siguronte Syreja Vlora para luftës, e bëri Ismail Qemali, gjatë zhvillimit të Luftës së Parë Ballkanike, kur më Shqipëria digjej  në katër anë. Pra, ishte vështirë  të binden shqiptarët në ato rrethana të paraluftës, se mund të jetojnë pa “Baba dovletin” dhe Turqinë.

KUSH ISHIN ATDHETARËT NGA  MAQEDONIA DHE KOSOVA; QË MORËN PJESË NË AKTIN E SHPALLJES SË PAVARËSISË

Në aktin e Shpalljes së Pavarësisë  të  nënshkruar nga Maqedonia e sotme  janë  këta delegatë; nga Struga e Ohri: Nuri Sojliu, Zuhdi Ohri, Xhemal Beu dhe doktori M. Murteza, i nënshkruar menjëherë pas Lef Nosit,  në të gjitha publikimet e gjertanishme shënohet si Dr. H. Myrteza. Por duhet theksuar se nga Struga kanë marrë pjesë emra të mëdhenj të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare si: Hamdi bej Ohri, Murat Barutçiu, Dervish Hima. Po ashtu, duhet përmendur edhe Bejzat Saliun nga Ohri, i cili sipas pohimeve ka qenë telegrafist në Vlorë (detyrë që e ka ushtruar edhe në Ohër). Po ashtu, pjesëmarrës në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë ka qenë edhe Redaktori i gazetës “Shkupi”, një atdhetar i palodhshëm i çështjes kombëtare, Jashar Erebara  nga Dibra, i cili dha një kontribut të vlefshëm në jehonën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.[21] Nga Dibra: Myftiu Vehbi Dibra, Sherif Langu, myfti në Dibër dhe Ramiz Daci, Nga Kosova që përbënin Vilajetin e Kosovës; me Plavë-Guci: Rexhep bej Mitrovica, Bedri bej Ipeku, Salih Gjuka, Mid′hat bej Frashëri, Mehmet pashë Derralla, Isa Boletini, Riza bej Gjakova, Hajdin bej Draga, Dervish bej Ipeku, Zenel bej Begolli e Qerim Begolli.

Me këtë flamur u shpall pavarësia e Shqipërisë Etnike, më 28 nëntor 1912 në Vlorë

Me këtë akt kombëtar u shpall Pavarësia e plotë e Shqipërisë Etnike. Pas këtij akti, kryetari i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, më 29 nëntor 1912, me telegram iu drejtua konsujve të Vlorës, të parin telegram njoftimi i bëri  për konsullin e Austro-Hungarisë[22], pastaj Italisë, Francës, Gjermanisë e Rusisë, me anën  e të cilit njoftonte për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe kërkon njohjen zyrtare nga ana  e tyre.

MBAJTJA E KUVENDIT KOMBËTAR  NË VLORËS DHE SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË ETNIKE

Vlora heroike i priti delegatët me entuziazëm të madh dhe me një atmosferë të pa përshkruar në mbrëmjen e 26 nëntorit.  Me të arritur në Vlorë, Ismail Qemali filloi parapërgatitjet  në qytetin e tij të lindjes për shpalljen e Pavarësisë. Në qytet ende valonte flamuri turk dhe funksiononte  administrata e saj. Puna e parë e udhëheqësit kombëtar ishte organizimi i forcave të armatosura. Për këtë qëllim, ai formoi një komision organizues  dhe u dërgoi pleqësive të fshatrave një qarkore, me anën e së cilës porositeshin që të mobilizoheshin njerëzit  e aftë për mbrojtjen e Qeverisë së ardhshme shqiptare, që do të shpallej së shpejti. Në këto rrethana të jashtëzakonshme, kur ushtria serbe mbante të rrethuar Durrësin, delegatët që kishin arritur në Vlorë mbajtën një këshillim në mbrëmjen e 27 nëntorit, ku vendosën që shpallja të bëhej ditën e nesërme, pra më 28 nëntor. Deri në atë kohë nuk kishin arritur  akoma përfaqësuesit  e disa krahinave. Sipas njoftimeve që kishte marrë Ismail Qemali, një numër i madh i delegatëve ishte ende në lëvizje e sipër nëpër rrugët e vështira të Shqipërisë. Ka pasur raste kur shumë delegatë, për të kaluar kurthin e ushtrisë serbe është dashur të veshin edhe ferexhe grash, siç është rasti me atdhetarin e njohur nga Dibra, Sherif Langun, i cili deri në rënien e Kosovës dhe Dibrës në duart e ushtrisë serbe mbante postin e Kryetarit të Myftinisë në Dibër. Ky për të shkuar në Vlorë ka udhëtuar nga Dibra, Elbasani më se 10 ditë, për të arritur në Vlorë në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Pasi në këtë kohë Manastiri, Struga dhe Ohri  ndodheshin në duart e ushtrisë serbe. Ky atdhetar pas Luftës së Dytë Botërore nga pushteti komunist u dënua me 10 vjet burg, edhe atë në pleqëri të thelë kur i kishte mbushur mbi 70 vjet.[23]  Për shkak të rrethanave të vështira të shkuarjes në Vlorë, edhe paria e Ohrit dhe Strugës më 27 nëntor i  ka dërguar Ismail Qemalit një telegram, me të cilin e njoftojnë se: “solidarizohen për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Etnike”.

Edhe pse Kosova dhe trevat tjera lindore në këtë kohë ishin të pushtuara nga ushtria serbe, në Kuvendin e Vlorës morën pjesë; Rexhep Mitrovica, Sali Gjuka, Bedri Pejani si përfaqësues të Gjakovës, Pejës e Gucisë. Pasi Hasan Prishtina ditën historike të shpalljes së pavarësisë kombëtare ndodhej i mbyllur në burgun Beogradit, sëbashku me Idriz Sererin, Nexhib Dragën dhe disa udhëheqës tjerë të njohur pas Kryengritjes Shqiptare të Vilajetit  Kosovës 1912. (V.Xh).

 Në gazetën “Përlindja e Shqipërisë” është shkruar se si në hapjen solemne të Kuvendit të Madh të Vlorës, para delegatëve dhe burrave të ardhur nga të gjitha trojet etnike shqiptare, pas verifikimit të mandatit e morri fjalën Rexhep Mitrovica, i cili propozoi që për kryetar të Kuvendit të Parë Kombëtar të emërohet Ismail Qemali, si shkronjës i parë të emërohet Luigj Gurakuqi, ndërsa për shkronjës të dytë, Shefqet bej Daiu. Delegatët e pranuan njëzëri këtë propozim, me të përplasur duarsh”.

Më 28 Nëntor 1912 ë shtëpinë e Xhemil bej Vlorës filloi punën Kuvendi Mbarëkombëtar. Sipas Dhimitër Zografit, delegat dhe pjesëmarrës në këtë Kuvend shënon në memoaret e tij se: “Kuvendi filloi punën më 28 nëntor dita enjte, në ora 4 pas dite”.[24] Sipas tij, “Salloni i madh i shtëpisë ishte plot me njerëz, çardaku poshtë plot, kopshti plot, të gjitha rrugët mbushur me njerëz”. Ismail Qemali mban referatin kryesor para kuvendarëve duke e mbyllur me këto fjalë: “Tanimë s’na ka mbetur tjetër rrugë shpëtimi, veçse ndarja e Shqipërisë nga Turqia”, dhe propozoi që: Shqipëria të shpallë Pavarësinë dhe të formohet Qeveria e Përkohshme dhe të emërohet Pleqësia (Senati). Propozimet miratohen njëzëri nga Kuvendi. Ismail Qemali i cili tani më mbante postin e Kryetarit të Kuvendit, njëherit u propozua edhe si mandatar për organizimin e Qeverisë së Përkohshme dhe të Pleqësisë (Senatit). Pasi mandatet e tyre duhej verifikuar nga Kuvendi. Pas miratimit të pikave të parapara nga ana e Kuvendit. Ismail Qemali propozoi që: “Shqipëria të shpallet shtet më vete e lirë dhe e pavarur”.

Siç thamë më lartë, me propozimin e Rexhep Mitrovicës, Kuvendi njëzëri pranoi Ismail Qemalin edhe mandatar për propozimin e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë Etnike ku bënin pjesë katër vilajetet: I Shkodrës, Janinës, Kosovës dhe i Manastirit.

 Ismail Qemali, pasi e mori edhe mandatin nga Kuvendi për të shpallur Qeverinë e Përkohëshme, foli përsëri shkurt mbi të kaluarën historike të popullit shqiptar nën sundimin turk, dhe mbi luftën heroike të popullit shqiptar për të fituar të drejtat e tyre, për të jetuar të lirë dhe sovran në tokën e tyre. Ai, po ashtu në ekspozenë e tij vuri në dukje rrethanat e krijuara në Shqipëri nga zhvillimi i luftës së Parë Ballkanike. Ai tha se “E vetmja rrugë e shpëtimit është ndarja nga Perandoria Osmane”. Masat e para që mori ishin ato që të shpallej Shqipëria më vete, me një Qeveri të Përkohshme, të zgjidhej një Pleqësi (Senat), për të kontrolluar punët e qeverisë. Senati përbëhej prej 18 anëtarëve, ndërsa për Kryetar u zgjodh Myftiu i Dibrës Vehbi Agolli. Pika e tretë ishte shumë e rëndësishme për ato çaste historike, që konsistonte me formimin e një Komisioni për të mbrojtur çështjen shqiptare para Fuqive të Mëdha. Propozimet e Kryetarit u aprovuan njëzëri, me duartrokitje të zjarrta. Delegatët, në fund, nënshkruan dokumentin historik, Deklaratën e Pavarësisë në gjuhën turqishte,[25] ku thuhej: ”Shqipëria me sot të bëhet në vete e lirë e mosvarme”. Kuvendi mbaroi punën aty kah ora pesë  e gjysmë pasdite.

Pastaj, të gjithë së bashku që ishin të pranishëm dhe kuvendarët me Ismail Qemalin u drejtuan drejt ballkonit të godinës për ta ngritur Flamurin kombëtar të Skënderbeut, ku në pritje të këtij akti, jashtë ndërtesës ishin tubuar me mijëra qytetarë që përcillnin ngjarjen me këngë e valle ku pritnin me padurim aktin madhor të Pavarësisë. Ismail Qemali e mori flamurin prej Naços, i cili e mbante në duart e veta si Kryetar i Komisionit për ngritjen e flamurit, por sot kësaj dite enigmë mbetet lashtësia dhe origjina e këtij flamuri.

Ismail Qemali, me dorën e tij ngriti Flamurin e Pavarësisë, të qëndisur me fije ari. Pra, Ismail  Qemali ngriti Flamurin e qëndisur rretheve me gjethe nga Marigoja, në të cilin flamur ishte shkruar dhe parulla: ‘Rroftë Shqipëria’. Ky flamur simbolizon bashkimin e popullit shqiptar kudo që jeton si një komb i vetëm midis Ballkanit. Ky Flamur më vonë u dogj nga grekët.

Në ora pesë e gjysmë pasdite firmoset Akti i Shpalljes së Pavarësisë nga 37 delegatë sa ishin të pranishëm në sallë, ndërsa 2 emra janë të palexueshëm...”[26] Edhe 26 delegatë të tjerë erdhën gjatë ditëve në vijim. Gjatë mbajtjes së Kuvendit, një komision i zgjedhur vajti dhe nguli flamurin e Shqipërisë nëpër tërë zyrat publike, ku një ditë më parë valonte ai turk. Njerëzia që shkonin përpara flamurit, nxirrnin kapelat e bardha dhe kush e kush ta puthte më parë. Pikturat e Sulltanit dhe të oficerëve të Turqisë i nxorën nga tërë lokalet publike, i grisën dhe i shkelën me këmbë. Mbishkrimet e beledies, të postës, të telegrafit dhe gjetkë, të shkruara me shkronja arabo-turke, i hodhën poshtë dhe i pështynë.

Manifestime të nxehta u bënë nëpër konsullatat e Austrisë, Italisë dhe të  Rusisë, të cilët na u përgjigjën “me dashuri”. Të nesërmen priteshin të vijnë gjenerali Isa Boletini, Riza bej Jakova, Mehmet Pashë Derralla disa delegatë të tjerë të Kosovës me 400 trima pas. Meqë që atë ditë binte shi, po një shumicë e madhe kishë dalë përpara me Flamurin Kombëtar në dorë, kur u afruan të tre bajraktarët e Kosovës, zbritën nga kuajt dhe u gjunjëzuan para flamurit kombëtar me lot në sy e puthën me një ngushëllim të thellë, për vuajtjet dhe trimëritë që kishte treguar populli shqiptar kudo që jetonte.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...