Na dhe Ushtria e Kosovës

Opinione

Na dhe Ushtria e Kosovës

Nga: Gëzim Muçolli Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 22:20
Ushtria e Kosovës: Fotografia majtas është e maestro Hazir Reka.

Dy ditë më parë me votimin e tri ligjeve , deputetët e Parlamentit të Kosovës me vullnetin e popullit sovran dhe me përkrahjen e aletatit tonë kombëtar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, krijuan Ushtrinë e Kosovës.

Nuk mbeti kush pa e vënë fotografinë e vet me kornizë të simboleve të ushtrisë së re apo fotografi të ushtarëve në parakalim ceremonial.

Ditë e madhe , gëzim i madh dhe festë e madhe popullore.

Mërgata edhe këtë herë, siq thuhet, e kalli krejt !

Mirë është kur festojmë por a duhet të jetë gëzimi ynë si zjarri i një nate të gjatë dimri.

A mendon kush se ushtria don edhe financa të mëdha nga ana e shtetit dhe sakrificë nga populli. Sa ta kemi Nënën Amerikë do ta kemi lehtë, por hisen tonë nuk e paguan askush.

Pse nuk doli askush nga mërgata të flet atë ditë e ti thotë Komandantit të ushtrisë së Kosovës dhe Presidentit të Republikës se ne e kemi dashur dhe financuar lindjen dhe zhvillimin e ushtrisë së Kosovës qysh në fillet e saj si UÇk e deri më sot. Dhe derisa e pohuam vetë të gjithë me deklarimin tonë virtual në FB se jemi me Ushtrinë tonë , kërkojmë heqjen e taksës zhvatëse për të ashtuquajturin "sigurim" të makinës në kufi kur mbërrijmë në Kosovë.

Meqenëse shteti ynë vazhdimisht mendon për ne dhe kujtohet që të na urojë mirëseardhje me taksën që ka elemente zhvatjeje dhe plaçkitjes, ne ia dijmë hallin dhe do të ishte mirë që bile taksën t'ia paguajmë ushtrisë sonë të re e jo njerëzve që e konsiderojnë detyrimin tonë si para për xhepat dhe fondet e tyre jo fort të kuptueshme e të arsyeshme.

Më mirë të paguajmë taksë si kontribut për ushtrinë se sa para për të zëvendësuar sigurimet e makinava tona që vlejnë në krejt vendet e Evropës e veq në Kosovë nuk i pranojnë.

Edhe të rinjtë e të rejat duhet ta kuptojnë se Ushtria e Kosovës ka ardhmëri e ajo është nga fëmijët e Kosovës. Çiftet e reja mund ta kuptojnë edhe si detyrë patriotike që në vitin e ri 2019, në njëvjetorin e Ushtrisë, festën ta shenojmë me lindjen e nja 200 mijë djemve e vajzave të reja që në vitin jo fort të largët 2037 Ushtria e Kosovës të jetë ushtria më e fortë në gadishullin Ilirik me 200 mijë ushtare dhe ushtarë të rinj.

Fati i atdheut është në vendimmarrjen e rinisë së Kosovës.

Urime Kosovë ushtria e re me djem e çika të reja që do të jenë në krye të detyrës, ruajtjen e lirisë dhe paqes së fituar me gjak.

P.s. Fotografia majtas është e maestro Hazir Reka.

Padova , 16 dhjetor 2018.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat