Nuk na duhet eufori ndaj EU-së

Opinione

Nuk na duhet eufori ndaj EU-së

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 19 dhjetor 2018 Në ora: 07:08
Hahn, Haradinaj and Mogherini; Photo: Council of the EU

Shqiptarët e Kosovës u ndien të lehtësur që kryeministri Haradinaj, pa rrotulla dhe pa diplomaci, ia tha në sy Mogherinit, atë që mendon, në raportet Kosovë - Serbi. Ky lehtësim erdhi në një moment kur Serbia duke shantazhuar dhe duke e paraqitur veten si viktimë, e kishte vënë Kosovën në defanzivë. Ky hov dhe vrull i kryeministrit ishte një zë, për të treguar vetëbesim, për t`u përballur me realitetin dhe për t`i marrur përgjegjësitë vetë në dorë. Dikush ndoshta duhet ta merrte një hap të tillë për ta kthyer vetëbesimin, jo vetëm në politikë dhe te liderët, po edhe në popull.

 Energjia pozitive e akumuluar duhet shfrytëzuar me mençuri për hapat e mëtutjeshëm. Të shfaqim mosbesim dhe të kërkojmë zëvendësimet e përfaqësuesëve të EU-së, zonjës Mogherini dhe  zotëriut Hahn, do të hasim në kundërshtimin e fuqishëm të EU-së. Që të dy këta gëzojnë respekt dhe besim të madh në EU, e një përpjekje e tillë nga ne, do të ishte një gabim i madh dhe hap i pa menduar. Ne duhet t`i respektojmë institucionet e EU-së, t`i admirojmë dhe të shfaqim dëshirë të flaktë për të qenë anëtar të saj. T`i përsërisim argumentet që i kemi në dorë, të cilat nuk janë të pakta. Vetëm duke i prezentuar dhe përsëritur faktet, Serbinë mund ta stopojmë në çdo takim, në çdo bisedë dhe në çdo forum. Kjo më së miri u vërejt në Këshillin e Sigurimit të OKB.

 Euforinë e paraqitjes tash duhet ta lëmë anash. Ne na duhen rezultate që na shpiejnë përpara si popull. Revoltën dhe kundërshtimin e shfaqëm. Tash na duhet diplomaci dhe vendosmëri duke i mbrojtur argumentet të cilat janë në anën tonë. Taktizimet e Serbisë vetëm duhet demantuar aty për aty. Ajo ishte agresori. Ajo bëri luftë dhe gjenocid. Ajo duhet të jetë e gatshme t`i marr përgjegjësitë për të tëra ato që kanë ndodhur. Viktima dihet. EU-ja duhet të jetë më kategorike dhe më energjike ndaj atyre që i kanë bërë të tëra këto, e jo të shpërblehet fajtori. Me mirësjellje dhe diplomaci të mbrohen argumentet dhe kundërshtari të demaskohet me taktizimet e tij.

Jouniteti ynë dhe lufta politike mes vete na dëmtojnë rëndë

 Është papërgjegjësi dhe papjekuri që nuk falet, energjinë kryesore ta hargjojmë dhe orientojmë kundër vetëvetes. Fatkeqësisht kjo ka ndodhur dhe po ndodh akoma, në vend se tëra forcat t`i orientojmë aty ku e kërkon atdheu. Lufta politike mes vete na ka dëmtuar dhe është e pamëshirshme se si bëhet. Nuk kursehet asgjë për ta dëmtuar palën tjetër. Ajo që flitet, shkruhet dhe prezentohet tek ne, po të ndodhte kjo në shtetet demokratike, prokurorët nuk do kishin pasur kohë as të flinin. E te ne për këto lajme të rrejshme apo të pa konfirmuara, s`merr askush përgjegjësi. Nëse prokurorët sdo të ishin marr me këto gjëra e fakte të prezentuara, së paku Holivudi do të kishte pasur skenar të mjaftueshëm për të gjiruar filma.

 Është momenti që ky rast i paraqitjes së kryeministrit Haradinaj në takimin e EU-së dhe presidentit Thaçi, në OKB të shfrytëzohet për bashkëpunim të frytshëm, duke i lënë anash inatet. Kjo do t`i ndihmoi ata në harmonizimin e qëndrimeve, të flasin me një zë dhe ta kthejnë optimizmin në popull, që e kanë degraduar aq keq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat