Muhaxheri flet për "urdhrin e arrestit" të Gjykatës kundër tij

Peja

Muhaxheri flet për "urdhrin e arrestit" të Gjykatës kundër tij

Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 13:15
Gazmend Muhaxheri

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, demanton lajmin se Gjykata ka lëshuar urdhër që ai të sillet me detyrim, në cilësinë e të akuzuarit, pasi fillimisht kishte munguar në shqyrtimin e procesit gjyqësor.

Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, ka pasur të paraqitet sot në Gjykatën Themelore të Pejës, për shkak se akuzohet nga prokuroria se ka refuzuar ta zbatojë vendimin e Apelit për ta kthyer në punë ish-drejtorin e Auditimit të Brendshëm, Hysni Selmanaj, por nuk u paraqit.

Që kur ishte ngritur aktakuza kundër Gazmend Muhaxherit, nën akuzën se ka refuzuar që ta zbatojë vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit për ta kthyer në punë ish-drejtorin e Auditimit të Brendshëm, Hysni Selmanaj, ai nuk është paraqitur në Gjykatë për shqyrtim fillestar.

Në një bisedë për Express, Muhaxheri tha se lajmi se Gjykata ka lëshuar sot urdhër që të sillet me detyrim në seancë, është i rremë, megjithatë ai pranoi se ka munguar në seancën e thirrur sot për në orën 11:00 për këtë çështje.

“Nuk është e vërtetë. Nuk kam shku në seancë në ora 11:00, po ajo është shty për në orën 13:00”, ka thënë Muhaxheri.

Ai tha se tash, në ora 13:00, do të shkojë në gjykatë ta mbajë seancën ku është i akuzuar për mos zbatim të vendimit të Apelit.

Prokuroria Themelore e Pejës, në maj të vitit të kaluar, kishte ngritur aktakuzë ndaj Kryetarit të Pejës, për shkak të refuzimit të tij ta zbatojë vendimin e Gjykatës së shkallës së dytë, që të kthehej në punë Hysni Selmanaj, që ishte drejtor i Auditimit të Brendshëm.

Hysni Selmanaj ishte suspenduar nga puna, ku mbante pozitën e Drejtorit të Auditimit të Brendshëm, me arsyetimin se ka përformancë të dobët në punë.

Selmanaj, kishte thënë se suspendimi ishte hakmarrje për shkak të shumë keqpërdorimeve që i kishte raportuar tek organet e drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat