Kronika e tentim vrasjes së mashkullit të fundit të familjes Kelmendi nga Peja dhe historia e konfliktit me Elshanët - Bota Sot
Kronika e tentim vrasjes së mashkullit të fundit të familjes Kelmendi nga Peja dhe historia e konfliktit me Elshanët

Peja

Kronika e tentim vrasjes së mashkullit të fundit të familjes Kelmendi nga Peja dhe historia e konfliktit me Elshanët

Më: 31 dhjetor 2018 Në ora: 16:44
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në natën e parafundit të vitit 2018 u tentua të vritet mashkulli i fundit i familjes Kelmendi, në Pejë. Nga 24 vrasje dhe 38 sulme në mes të familjeve Elshani dhe Kelmendi, ndodhi edhe sulmi i 39-të pikërisht 10 ditë kur rasti i Granit Elshanit u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit

Dyshohet se mbrëmë rreth orës 22:00 ka ndodhur sulmi i 39-të në mes të familjeve Kelmendi dhe Elshani. Sulm ndodhi te Parku i Vogël i qytetit të Pejës, ku mbeti i plagosur Besim Lajqi, edhe pse cak i sulmit ishte Xhevdet Kelmendi.

Xhevdet Kelmendi është mashkulli i vetëm i familjes Kelmendi që i ka ikur vdekjes nga konflikti i dekadës në mes të familjeve Kelmendi dhe Elshani.

Besim Lajqi, që ishte i shoqëruar nga Xhevdet Kelmendi, u plagos në dy këmbët. Sipas mjekut Bujar Vrella, që ishte mjek kujdestar në Spitalin Rajonal të Pejës, Lajqi është jashtë rrezikut për jetë.

Prokuroria Themelore e Pejës ka konfirmuar se kryesit e kësaj vepre janë arratisur dhe se për këtë janë duke u analizuar kamerat e qytetit, të cilat e mbulojnë pjesën ku ndodhi krimi.

“Kryesit e kësaj vepre janë arratisur nga vendi i ngjarjes dhe kemi analizuar kamerat e qytetit të cilat mbulojnë pjesët ku mund të rezultojë me identifikimin e të dyshuarve, për çka edhe pritet të lëshohen urdhrat për nxjerrën e incizimeve të kamerave, ekzaminimin e gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes...”, ka konfirmuar për Express, zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

Por, shumë pak kohë pas të shtënave me armë ku mbeti i plagosur Besim Lajqi, u dogj edhe një veturë, e cila dyshohet se u përdor në plagosjen në Pejë.

Nga Prokuroria thonë se është duke u ekzaminuar vetura e gjetur, në mënyrë që të bëhet lidhshmëria e saj me vendin e ngjarjes.

“Po bëhet ekzaminimi i veturës në mënyrë që të bëhet lidhshmëria e saj me vendin e ngjarjes nëse kemi të bëjmë me të njëjtën veture dhe do të ndërmerren edhe masa tjera hetimore me qëllim të identifikimit të kryesve të kësaj vepre penale”, tha Shkodran Nikçi.

Mes këtyre dy familjeve kanë ndodhur 24 vrasje dhe 39 sulme, ku 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi janë vrarë dhe tre të familjes Elshani. Gjithashtu, edhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Ai që u tentua të vritej gjatë natës së djeshme, Xhevdet Kelmendi, është njëri nga meshkujt e fundit të rritur të familjes Kelmendi nga Peja. Ai është edhe dëshmitar në rastin e Granit Elshanit, që është prej të akuzuarve për sulme ndaj familjes së tij, përfshirë sulmin ndaj të vëllait Valdet Kelmendi.

Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon Granit Elshanin për rastin e ndodhur natën e 2 janarit të vitit 2010 në diskotekën “City Club” në Pejë.

Prokurori pretendon se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të Besart Shabit dhe Valdet Kelmendit.

Anëtari i familjes Kelmendi, në seanca gjyqësore kundër Granit Elshanit, ka arritur ta identifikojë se Granit Elshani ishte personi që kishte gjuajtur me armë natën e 2 janarit të vitit 2010 në diskotekën “City Club” në Pejë.

Prokuroria pretendonte se personi me dy revole në diskotekë ishte Granit Elshani, i cili kishte për qëllim hakmarrjen, pretendim i cili më 30 maj të këtij viti u vërtetua nga Gjykata Themelore në Pejë, e cila Elshanin e gjeti fajtor dhe e dënoi me 25 vjet burgim.

Vendimi i Themelores nuk e mori aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim. Gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se ka kundërthënie edhe në mes dëshmive të dëshmitarëve rreth përshkrimit të personit, i cili ka shtënë me armë. Andaj, rigjykimi i këtij rasti ku dëshmitar është edhe Xhevdet Kelmendi, do të nisë në janar të viti 2019.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...