Nesër fillon rigjykimi i Granit Elshanit për vrasjen në diskotekën e Pejës

Peja

Nesër fillon rigjykimi i Granit Elshanit për vrasjen në diskotekën e Pejës

Më: 27 janar 2019 Në ora: 17:58
Pejë

Nesër pritet të fillojë rigjykimi i Granit Elshanit për ngjarjen tragjike që ndodhi në natën e dytë të vitit të ri 2010.

Atë natë shumë pejanë kishin zgjedhur diskotekën “City Club” për ta festuar vitin e ri. Në mesin e tyre ishte edhe Valdet Kelmendi, i njohur si “Lara”.

Festa e pejanëve u kthye në tragjedi pasi brenda asaj diskoteke kishte hyrë edhe një person i armatosur, i cili kishte filluar të shtinte.

Cak i këtyre të shtënave sipas Prokurorisë ishte Valdet Kelmendi, i cili atë natë mbeti i plagosur ndërsa Besart Shabi, i cili ishte pranë tij, mbeti i vdekur nga plagët e marra.

Të plagosur atë natë mbetën edhe Arta Bardhi dhe polici Hasan Buqaj.

Prokuroria pretendon se personi i cili la të vrarë Besart Shabin dhe plagosi Valdet Kelmendin, Arta Bardhin dhe policin Hasan Buqaj, ishte Graniti Elshani, i cili i takon familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës, e cila ka qenë në hasmëri me familjen Kelmendi që nga viti 2000.

Për këto pretendime në maj të vitit 2018 Gjykata Themelore në Pejë e gjeti fajtorë Granit Elshanin dhe e dënoj me 25 vjet burgim.

Mirëpo vendimi i Themelores nuk e mori aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta ktheje në rigjykim, raporton Kallxo.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se secili nga dëshmitarët e ka përshkruar në mënyra të ndryshme pamjen e personit i cili ka shtënë me armë, andaj me qëllim që të eliminohen këto paqartësi Apeli ka kërkuar që ky rast të gjykohet edhe një herë.

Rigjykimi ndaj Granit Elshanit pritet të fillojë nesër në Gjykatën Themelore në Pejë.

Historia e konfliktit Elshani – Kelmendi që la 23 të vrarë

Sipas Prokurorisë Speciale në konfliktin mes këtyre dy familjeve kanë ndodhur 29 sulme, të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit.

Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Sulmi i 30 besohet se ndodhi një natë para vitit të ri 2019 tek parku i vogël i qytetit, ku Xhevdet Kelmendi ishte duke lëvizur me veturë së bashku me shokun e tij Besim Lajqin.

Nga ky sulm mbeti i plagosur Besim Lajqi, ndërsa prokurorja tha se cak i sulmit ishte Xhevdet Kelmendi.

“Unë po supozoj që ai ka qenë cak i sulmit. Ende nuk kam të dhëna te sakta por supozimet tona çojnë në atë drejtim”, kishte thënë prokurorja Sahide Gashi.

Besim Lajqi është i plagosuri i 39 i këtij konflikti, pasi para plagosjes së tij sipas Prokurorit të EULEX, kanë qenë të plagosur 38 persona, prej të cilëve pesëmbëdhjetë nga familja  Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat