Rrëfimi si u grabitën 230 mijë euro nga Pejani

Peja

Rrëfimi si u grabitën 230 mijë euro nga Pejani

Më: 4 shkurt 2019 Në ora: 23:08
Foto ilustrim

Një i akuzuar për grabitje në një këmbimore në Pejë u deklarua i pafajshëm në akuzat për të cilat e ngarkon prokuroria Themelore.

Skifter Beqiraj po akuzohet për grabitjen e 223 mijë eurove nga Gazmend Gashi.

Kur u pyet nga gjykatësi për akuzat, ai u ngrit në këmbë për t’i kundërshtuar ato.

“Jo nuk jam fajtor”, tha Skifter Beqiraj para gjykatës.

Prokuroria pretendon se grabitësit ishin hedhur nga kulmi i shtëpisë mbi Gazmend Gashin, e kishin tërhequr zvarrë viktimën dhe ia kishin lidhur gojën dhe duart.

Në gjykimin e sotëm, prokurorja Sahide Gashi tha se qëndron në tërësi pranë aktakuzës, ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Skifter Beqiraj, avokati Gëzim Baloku, tha se aktakuza nuk është e bazuar në ligj.

“Propozoj që të bëhet një ekspertizë e ADN-së. Gjithsesi ne do të bëjmë kundërshtimin e aktakuzës me shkrim”, tha avokati Gëzim Baloku.

Avokati Gëzim Baloku gjithashtu i propozoi gjyqtarit Sylë Lokaj, që ndaj të mbrojturit të tij të ndërprehet masa e paraburgimit me arsyetimin se “kanë pushuar të gjitha kushtet për të cilat i është caktuar paraburgimi”.

Por këtë propozim e kundërshtoi prokurorja Sahide Gashi, duke thënë se, në rast se lirohet, i akuzuari mund të ndikojë te personat tjerë, meqenëse vepra është kryer në bashkëkryerje.

Ndërsa gjyqtari i rastit Sylë Lokaj, tha se lidhur me propozimin e mbrojtjes do të vendos me vendim të veçantë.

Për grabitjen e 223 mijë eurove të marra nga personi Gazmend Gashi, Prokuroria kishte shënjestruar Skifter Beqirajn, ndërsa për tre personat tjerë janë të paidentifikuar për Prokurorinë.

Grabitja kishte ndodhur në vitin 2016 në Pejë, në këmbimoren “Te Gazi”, nga katër persona.

Sipas aktakuzës, grabitësit me anë të goditjeve kishin arritur ta gjejnë çelësin e këmbimores së Gazmendit, e më pas kishin marrë të gjitha paratë.

Beqiraj akuzohet se pasi që e kanë lidhur të dëmtuarin me skalper ia kishte prerë xhepin e xhaketës, e kishte marrë çelësin dhe ja kishin dhënë njërit prej bashkëkryesve.

Skifter Beqiraj në deklaratat e tij në Prokurori kishte mohuar ta ketë kryer një vepër të tillë.

Aktakuza specifikon se grabitësit arritën t’ia marrin Gazmend Gashit 146.490.00 franga zvicerane, 27.433.00 dollarë amerikanë, 52.090.00 euro,1.237.23 euro në valuta të ndryshme, mbi 200.000 lekë si dhe ari në vlerë prej 15.000.00 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat