Punëtorët e Spitalit të Pejës ankohen për dallavere në konkurs, inspektorati e anulon - Bota Sot
Punëtorët e Spitalit të Pejës ankohen për dallavere në konkurs, inspektorati e anulon

Peja

Punëtorët e Spitalit të Pejës ankohen për dallavere në konkurs, inspektorati e anulon

Më: 4 prill 2019 Në ora: 14:00
Foto ilustrim

Parregullsitë rreth emërimeve në pozitat udhëheqëse në institucionet shtetërore në Kosovë nuk kanë të ndalur. Kjo dukuri së fundmi ka ndodhur edhe në spitalin rajonal të Pejës përgjatë procedurave në emërimin e kryeinfermierëve në reparte.

Madje, për shkak të parregullsive, ka reaguar edhe Inspektorati i Punës, i cili pasi ka gjetur shkelje të procedurave, ka marrë vendim për anulimin e konkursit.

Punëtorët e spitalit rajonal të Pejës, po fajësojnë menaxhmentin e infermierisë, konkretisht drejtoreshën e kryeinfermierisë, Hidajete Krasniqi, që sipas të cilëve e njëjta ka favorizuar persona të afërt me të, për avancim në këtë pozitë.

Një punonjës i këtij spitali, në kushte anonimiteti i ka thënë KosovaPress-it, se drejtoresha Krasniqi, pas intervistimit të kandidatëve për kryeinfermier në repartin e kujdesit intensiv, i ka vendosur pikë kandidatit i cili nuk ka qenë fare në Kosovë në kohën e intervistimit.

“Kandidatja e repartit kujdesi Intensiv ka qenë jashtë vendit nga data 29.12.2018 deri më 06.01.2019, ndërsa intervista u mbajt me 03.01.2019. dhe pa qene kjo kandidate në intervistë i vendosen 91 pikë dhe behët kryeinfermiere. Ky nuk është vetëm shkelje e ligjit, ky është një krim i cili kërkon shkarkim të menjëhershëm të atyre që e kanë bërë.

Madje thotë se kriteret e konkursit janë vendosur në atë mënyrë që t’i përshtatet kandidatit përkatës, duke kërkuar që i njëjti të ketë vetëm shkollimin e mesëm, ndërsa, ata të cilët kanë të përfunduar nivelin bachelor të mos lejohen të konkurrojnë për shkak se do të konsideroheshin të mbikualifikuar.

“Jemi të pakënaqur dhe mjaft të zhgënjyer me konkursin e fundit për kryeinfermierë të reparteve, konkursi nuk ka qenë i njëjtë në të gjitha repartet. Drejtoresha e Infermierisë aty ku motrën kryesore e ka pas me shkollë të mesme, konkursin e ka vendos me shkollë të mesme (vetëm për të mos e ndërruar kryeinfermieren) dhe ata me Bachelor nuk kanë pasur të drejtë as të konkurrojnë. Ndërsa aty ku e ka pas motrën kryesore me Bachelor  konkursin e ka vendosur që kriter të jetë përfundimi i studimeve  Bachelor.  Konkursi ka qenë i vendosur vetëm për sy të publikut, ndërsa nuk ka dashur që t’i ndërrojë infermierët aktualë.  Ka pakënaqësi për parregullsitë të cilat kanë ndodhur në konkursin e fundit për kryeinfermier, në të cilin ka pasur kandidat shumë të fortë, duke u bazuar që ka pas edhe kandidat të cilët janë ligjërues, magjistra dhe Dr. Shkence, të cilët kanë konkurruar pa i pyetur stafin menaxher sepse po t’i pyetnin nuk do konkurronin”, thotë ky punonjës i stafit.

Thekson se ka pasur të tillë që nuk janë lejuar nga drejtoresha Krasniqi as të konkurrojnë për këto pozita.

“Drejtoresha e Infermierisë i ka jep vetës kompetencën që t’i urdhëroj personelin që të mos konkurrojnë. Këtë e dëshmojnë të gjithë kandidatët konkurrentë të cilët kanë konkurruar, si dhe punëtorët tjerë infermierë të cilët nuk janë lejuar të konkurrojnë’, thekson ky punonjës, incizimet e të cilit i ka dëgjuar edhe KosovaPress-i.

Parregullsi të ngjashme kanë evidentuar edhe në emërimin e kryeinfermierëve në repartet e internos, ORL-së, rëntgenit dhe atij të Oftalmologjisë.

“Në Repartin e Rëntgenit tekniku i cili ka dashur të konkurrojë për kryeinfermier i thuhet nga drejtoresha që të mos konkurrojë për shkak se ‘nuk dua ta ndërrojë kryeteknikun aktual”. Në repartin e Gjinekologjisë kandidatja nuk ka hyrë fare në intervistë sepse e ka ofenduar aq shumë drejtoresha, saqë është demoralizuar dhe ka thënë se pas të thitë atyre fyerjeve nga drejtoresha gjasat janë 0 që të fitoj konkursin”, shpjegon ky punonjës.     

Shkelje kanë evidentuar edhe në zyrën ligjore të këtij spitali.

“Pasi qe shkon ne pension juristja e spitalit, pa konkurs kalon punëtori nga zyra nr 1 dhe bëhet jurist, vlen të ceket se ai është anëtar i AAK-së, dhe ne vendin e tij shkon familjarja e drejtorit mjekësor përsëri pa konkurs nga reparti gjinekologjik ku punonte si infermiere kalon si me parashutë në drejtori, përkatësisht në zyrën nr. 1.  Dmth në Spitalin Rajonal të Pejës vetëm nëse e ki familjarin aty ngritesh nëse je i fortë në parti ose nëse je spiune e drejtoreshës së Infermierisë”, ka theksuar punonjësi i spitalit rajonal të Pejës.

Tani ata po kërkojnë që në konkurset e radhës, të jenë të përfshirë zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë, SHSKUK-ja dhe mediat,  në mënyrë që të shmanget çdo parregullsi dhe emërimet të bëhen në baza meritore.

Ata  gjithashtu kërkojnë që testet për konkurrentë të punohen nga zyrtarë në Prishtinë, në mënyrë që pyetjet të mos u ofrohen favorizuesve paraprakisht.

Ndërsa drejtoresha e Infermierisë, Hidajete Krasniqi, e kontaktuar nga KosovaPress-i, i ka mohuar të gjitha këto pretendime, duke i quajtur të pavërteta  dhe tendencioze. Ajo ka mohuar se Inspektorati i Punës ka gjetur shkeljet e lartpërmendura në këtë konkurs, por se i njëjti është anuluar për shkak se intervistimi i kandidatëve është bërë vetëm me gojë dhe jo me shkrim.

“Nuk janë të vërteta ato letra anonime. Inspektorati i Punës e ka anuluar konkursin për shkak se nuk këshilli kishte marrë vendim që intervistimi i kandidatëve të bëhet vetëm me gojë ngase afati për konkurs përfundonte në fund të muajit dhjetor. Për shkak të grevës, e kemi pasur të pamundur që të realizojmë testin me shkrim”, thotë përmes telefonit Krasniqi.

Ajo ndonëse thotë se ishte në një takim zyrtar në QKUK, ka ftuar mediat që të kenë qasje në të gjitha dokumentacionet e konkursit të hapur për shefa dhe kryeinfermierë të reparteve.

Në anën tjetër, disa nga punëtorët e Spitalit Rajonal të Pejës, kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe drejtori i QKUK-së, Basri Sejdiut, që të mos u vazhdohet kontrata drejtoreshës së Infermierisë, Hidajete Krasniqit dhe koordinatorëve të departamenteve pa konkurse, për shkak se të njëjtit në shumë raste kanë bërë shkelje ligjore dhe kanë abuzuar me këto pozita.

Ata kanë paralajmëruar se do t’u drejtohen gjykatave për të gjitha shkeljet ligjore që pretendojnë se janë bërë nga menaxhmenti aktual.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...