Publikohen detaje të tjera rreth zjarrit në Gjykatën Themelore në Pejë

Peja

Publikohen detaje të tjera rreth zjarrit në Gjykatën Themelore në Pejë

Më: 25 qershor 2019 Në ora: 11:05
Foto

Gjykata Themelore në Pejë përmes një deklarate për media ka sqaruar për atë se çfarë ka ndodhur mbrëmë në objektin e saj pasi është përfshirë nga flakët.

Në deklaratë thuhet se rreth orës 23:15 zjarri ka kapluar një pjesë të përdheses së objektit të Gjykatës, më saktësisht Zyrën e Shkrimores Civile.

Dëmet e shkaktuara janë të natyrës materiale dhe jo shumë të mëdha.

“Si pasojë e zjarrit ka pas dëme materiale në pajisje teknike përfshirë kompjuterë, printer si dhe tavolina dhe karrige. Lëndët që kanë qenë nëpër dollapë nuk janë dëmtuar. Të vetmet lëndë që zjarri i ka prekë kanë qenë disa lëndë me Kërkesa për Shlyerje të Dënimeve si dhe Regjistri i këtyre lëndëve por lëndët bazike të këtyre kërkesave nuk janë dëmtuar pasi që të njëjtat gjenden në arkivin e gjykatës”, thuhet në deklaratë.

Shkaku i zjarrit thuhet se është aksidental për të cilën është bërë edhe hetimi nga ana e zjarrfikësve dhe policisë të cilët do të dalin me raportin e tyre përfundimtar lidhur me këtë rast.

“I sigurojmë qytetarët të cilët kanë procedura të hapura civile në Gjykatën tonë se lëndët e tyre nuk janë përfshirë nga zjarri dhe nuk janë të dëmtuara andaj, edhe proceset gjyqësore do të vazhdojnë të zhvillohen në mënyrë të rregullt”, vijon deklarata.

Gjykata nuk do të jetë në shërbim të qytetarëve për disa orë në ditën e sotme deri në pastrimin e saj por që kërkesat urgjente do të pranohen.

Gjykata do të vazhdojë punën e saj normale pas pastrimit të Gjykatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat