Protestojnë punëtorët e fabrikës së tullave në Pejë, kërkojnë gjashtë pagat që nuk i morën prej 15 vitesh

Peja

Protestojnë punëtorët e fabrikës së tullave në Pejë, kërkojnë gjashtë pagat që nuk i morën prej 15 vitesh

Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 20:55
Foto ilustrim

Para Agjencisë Kosovare për Privatizim në Pejë, punëtorët e fabrikës së tullave “Ringover” kanë protestuar për 6 paga mujore të cilat nuk i kanë marrë para 15 viteve. Përkundër kërkesave të vazhdueshme, ata asnjëherë nuk morën kompensim.

Kanë 15 vite që 76 punëtorët e fabrikës së tullave “Ringover” në Pejë presin për 6 paga që asnjëherë nuk i morën.

Përgjatë kësaj periudhe kanë bërë kërkesa të vazhdueshme, por duke qenë pa rezultat, disa prej tyre vendosen të protestojnë para Agjencisë Kosovare për privatizim e cila ishte përgjegjësi për pagat e tyre para se të privatizohej në vitin 2004.

Prej 40 vitesh, Ahmet Zekaj punon në këtë fabrikë, ndërsa shprehet se vazhdimisht kanë marrë vetëm premtime të parealizueshme.

“Kemi dalë këtu sot në protestë pasi kjo fabrikë është privatizuar në vitin 2004. AKM ne pat ndaluar të punojmë në atë kohë, duke na premtuar se do të na japin rrogat gjatë kohës që do të qëndronim pa punë. Pas privatizimit në nuk morëm as rroga as asgjë”, shprehet për RTV Dukagjinin, Ahmet Zekaj.

Kurse, drejtori i fabrikës së tullave, Ahmet Buqaj,  thotë se fajin e ka vetëm agjencia përkatëse.

“Faji është te Agjencia e Privatizimit. Ata me mjetet tona janë duke luajtur. Ata po keqpërdorin mjetet tona”, thotë Ahmet Buqaj.

Pas takimit me drejtoreshën e AKP-së në Pejë, Sami Buqaj, si menaxher i fabrikës tha se shpresa për kompensim te pagave do të bëhet vetëm në rast të mbetjeve të të ardhurave të Agjencisë.

“Shpresat janë vetëm nëse teprojnë para nga AKP. Nëse nuk teprojnë nuk ka shpresa për kompensim”, thotë Sami Buqaj.

Ndërkohë, askush nga zyrtarët e AKP-së nuk pranoi të jep prononcim për televizionin Dukagjini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat