“Pashë një person që gjuante me dy armë”, dëshmia për vrasjen në Pejë para 9 viteve

Peja

“Pashë një person që gjuante me dy armë”, dëshmia për vrasjen në Pejë para 9 viteve

Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 16:38
Pamje nga vendi i ngjarjes

Roja i sigurimit në diskotekën “City Club”, në Pejë, dëshmitari Visar Dishuku, ka deklaruar se në natën e 2 janarit të vitit 2010, kishte parë një person teksa shtinte me dy armë brenda lokalit.

Por, ai ka thënë se personin që shtinte me armë nuk kishte arritur që ta identifikonte.

Për ngjarjen që kishte ndodhur në natën e 2 janarit të vitit 2010, në diskotekën “City Club”, në Pejë, Granit Elshani akuzohet për vrasje, tri tentim vrasje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Për këto vepra penale, Gjykata Themelore në Pejë, në maj të vitit 2018, e kishte dënuar Elshanin me 25 vjet burgim, por që më pas ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Pejë, dëshmitari Dishuku, ka thënë se distanca ndërmjet tij dhe personit që shtinte me armë kishte qenë rreth 4-5 metra, mirëpo që nuk ka arritur ta identifikonte atë.

Ai ka thënë se kishte punuar si rojë në kompaninë “Panter Security”, ndërsa në natën kritike kishte qenë i angazhuar si roje në “City Club”.

Ky dëshmitar ka deklaruar se kishte pasur roje në hyrje të diskotekës për të kontrolluar personat dhe për bërë mbikëqyrjen e pagesës së klientëve me qëllim të parandalimit të hyrjes të personave që bartnin mjete të rrezikshme.

Ai ka shtuar se pronari i lokalit, Besart Shabi, diku pas orës 23:00, i kishte hequr rojet e sigurimit që gjendeshin tek dera, pa dijeninë e tij.

“Mesa unë e di pronari i ka tërheqë rojet nga dera, para se të ndodhë incidenti”, ka deklaruar ai.

Mbrojtësja e të akuzuarit Granit Elshanit, avokatja Kosovare Kelmendi, ka kërkuar nga dëshmitari të dijë nëse në natën kritike dikush nga jashtë, kishte tentuar të hynte në diskotekë me armë.

Lidhur me këtë pyetje, dëshmitari ka deklaruar se ai nuk e kishte parë një gjë të tillë, mirëpo pas ballafaqimit me deklaratën e tij të dhënë në polici, ai ka pranuar se kishte thënë se pronari i lokalit e kishte lejuar një person me armë, e të cilin rojet e sigurimit, sipas tij, e kishin ndaluar për të hyrë në diskotekë.

Mirëpo, pasi është pyetur nga kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj nëse kishte njohuri për personin, i cili kishte hyrë me armë, ai është përgjigjur duke thënë se nuk e dinte kush ishte ai person që kishte hyrë në diskotekë me lejen e pronarit, tani të ndjerit Besart Shabi.

Në këtë seancë është ftuar të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit edhe roja tjetër i sigurimit, Burim Hasani.

Ai ka deklaruar se nuk mund të dëshmojë për shkak se e ka harruar rastin, nga një fatkeqësi që sipas tij, i ka ndodhur në familje.

Prokurori special Afrim Shefkiu dhe mbrojtja e të pandehurit, janë pajtuar që deklaratat e këtij dëshmitari të dhëna në procedurë hetimore dhe gjyqësore të lexohen, ndërsa me vendim të gjykatës ato janë konsideruar të lexuara.

Edhe dëshmia e dëshmitarit Valbon Ademi, i cili sipas raportit policor gjendet jashtë shtetit, e dhënë në procedurat hetimore dhe shqyrtim kryesor, janë konstatuar e lexuar, mirëpo nuk që nuk janë lexuar edhe për publikun.

Avokatja Kelmendi ka kërkuar që i akuzuari Elshani të lirohet nga paraburgimi, për shkak të tejzgjatjes së procedurës gjyqësore dhe faktin se i akuzuari është lajmëruar vullnetarisht, duke kërkuar nga gjykata që të shqyrtojë ligjshmërinë e paraburgimit dhe zëvendësimit e tij, me arrest shtëpiak.

Prokurori e ka kundërshtuar një zëvendësim të masës për shkak se sipas tij, ekzistojnë ende kushtet për të cilat është caktuar dhe vazhduar masa e paraburgimit.

Seanca e radhës është caktuar 23 janar 2020, nga ora 10:00.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, me 30 maj të vitit 2018, ka shqiptuar 25 vjet burgim, ndaj Granit Elshanit, i cili akuzohet për vrasje dhe tri tentim vrasje, për ngjarjen që kishte ndodhur në natën e 2 janarit të vitit 2010, në diskotekën “City Club”, në Pejë.

Kurse, Apeli kishte anuluar aktgjykimin në fjalë duke miratuar ankesën e mbrojtësit të akuzuarit Granit Elshani, avokati Ndrecë Dodaj, për shkak se aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës Prokurorisë Speciale të ngritur më 25 nëntor 2016, thuhet se më 2 janar të viti 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë i akuzuari Granit Elshani, kishte hyrë me dy revole të tipit “TT” dhe kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit, i cili ishte plagosur.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por që plumbi kishte goditur Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Sipas prokurorit, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor Hasan Buqaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat