​Qytetarët dhe bizneset e Pejës zbatojnë masat për mbrojtje kundër koronavirusit

Peja

​Qytetarët dhe bizneset e Pejës zbatojnë masat për mbrojtje kundër koronavirusit

Më: 5 maj 2020 Në ora: 16:01
Foto ilustrim

Në ditën e dytë nga kur janë lehtësuar masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në qytetin e Pejës nuk shihet numër i madh i qytetarëve, të cilët kanë dalë rrugëve të qytetit.

Shumica e qytetarëve që shihen rrugëve janë të pajisur me masa mbrojtëse si dorëzat dhe maskat, duke respektuar kështu thirrjet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Vendimin që qytetarët të mund të dalin për 180 minuta brenda ditës në dy orare, po e sheh si vendim të drejtë banori i Pejës Besnik Buquku.

Buquku: Masat kundër koronavirusit po gjejnë zbatim nga qytetarët

"Sa i përket masave të qeverisë, çdo gjë është duke shkuar sipas rregullave. Sa i përket neve qytetarëve të Pejës ky vendim që e kanë prurë deri diku e ka zbutur situatën pasi ka qenë ‘shumë agresive’, ka qenë shumë situatë e mbyllur", tha ai.

Buquku që kishte orarin e lëvizjes, e i cili ishte pajisur me maskë dhe dorëza, tha se këto janë për të mirën e shëndetit të tyre.

Buquku: Po zbatojmë masat mbrojtëse kundër koronavirusit

"Unë e kam orarin prej ora 1 deri në ora 2 e 30 dhe e kam prej orës 8 deri në orën 9 e 30... Sa i përket masave mbrojtëse kur jemi vetëm nuk po e shoh diçka që mund të marrë virus a diçka, por kur po ka turma dhe kontakt me dikë mund t’i kemi", tha ai.

Megjithatë kishte edhe të qytetarë që masat mbrojtëse i shohin si jo të domosdoshme.

Qytetari Bashkim Baloku, tha se njeriu ka nevojë për ajër të pastër.

Baloku: Distanca sociale është e nevojshme

"Njeriu del me maskë kur ka kontakt me dikë afër. Por, njeriu ka nevojë për ajër të pastër pasi maska përkundrazi i mbledh bakteret. Duhet të dihet kur duhet dhe kur nuk duhet bartja e maskës. Gripi ka nevojë për ajër të pastër, jo veç për këtë sëmundje po për të gjitha është e nevojshme distanca me njerëz", tha ai.

Tashmë dy ditë është lejuar edhe hapja e dyqaneve të vogla. KosovaPress ka vizituar disa nga dyqanet në qytetin e Pejës e të cilët ankohen për numër të vogël të blerësve, ani pse ato janë hapur vetëm që dy ditë.

Nasibe Nela, punëtore në një dyqan kozmetike tha se po i respektojnë të gjitha masat e vendosura nga qeveria për hapjen e tyre.

Nela: Kemi dezinfektuar lokalin

"Interesimi ka qenë që ato të hapen më herët, pasi ka pasur nevojë për kozmetikë, ngjyra, higjienë. Mirëpo ne i kemi respektuar masat dhe pasi është dhënë urdhri për t’i hapur dyqanet, kemi filluar me orar më të shkurtuar. Qytetarët po i respektojnë masat, njëkohësisht edhe ne. Është dezinfektuar lokali dhe qytetarët që po vijnë për të blerë gjëra çka iu duhen vijnë të pajisur me maska dhe dorëza", tha ajo.

Për kohën sa kanë qëndruar të mbyllur, Nela tha se tash po i shohin dëmet që iu janë shkaktuar.

Nela: Bizneset janë dëmtuar nga COVID-19

"Si biznes po i shohim dita-ditës që jemi dëmtuar më shumë, kemi lokalin me qira, rrogat e punëtorëve duhet dhënë", tha ajo.

Se qytetarët e Pejës po respektojnë vendimet e reja të Qeverisë e thotë edhe drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës Petrit Loci.

Loci: Gjendja është nën kontroll

"Faktikisht nga dje ka filluar hapja për disa biznese dhe normalisht kjo ka ndikuar që edhe numri i qytetarëve prezent të jetë më i madh për faktin se hapja e bizneseve nënkupton që në to do të qëndrojnë pronarët dhe punëtorët e tyre, çka shkakton edhe rritjen e lëvizjes në qytet. Gjithashtu, rritja nga 90 në 180 minuta në dy ndërrimet e ditës e lëvizjes për qytetarët ka ndikuar që numri i qytetarëve në rrugë të jetë më i madh sesa para datës 4 maj. Por, siç edhe po e shihni prapë se prapë është gjendja është e qetë edhe me masat e reja dhe për momentin është nën kontroll", tha ai.

Ndryshe, në Pejë janë 73 raste me COVID-19, ndërsa në nivel vendi numri ka shkuar në 885, prej tyre 403 të shëruar dhe 26 të vdekur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat