Loci: Karantina ndikoi që Peja të mos ketë më shumë të prekur me COVID-19

Peja

Loci: Karantina ndikoi që Peja të mos ketë më shumë të prekur me COVID-19

Më: 5 maj 2020 Në ora: 20:53
Ilustrim

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës, Petrit Loci është shprehur se karantina në këtë komunë ka dhënë efektin e saj që të mos shtohen rastet e reja me coronavirus.

Loci në RTV Dukagjini ka thënë se me të marrë vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për lirimin e Pejës nga karantina kjo komunë ka marrë masat duke filluar përgatitjet për fazën tjetër.

“Kushtet që i ka përmbajtur zona karantinë nga sot më nuk vlejnë, ndërsa kushtet tjera vlejnë si në të gjitha komunat tjera”, tha ai.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës thotë se karantina ka pasur efekt pozitiv në parandalimin e përhapjes së mëtejme të virusit në Pejë.

“Karantina dhe masat tjera kanë ndikuar që sot të kemi gjendje të mirë në Komunën e Pejës sa i përket coronavirusit. Prej disa ditësh më nuk kemi raste të reja me COVID-19. Edhe numri i personave të kontaktit që i nënshtrohen testimit ka rënë dukshëm”.

Loci thotë se për shkak të disiplinës së lartë Peja po shkon drejt normalizimit.

Ai ka thënë se nga dje edhe në Pejë janë shtuar lëvizjet e sipas tij kjo po ndodh pasi janë hapur një numër i bizneseve dhe është shtuar orari i qarkullimit të qytetarëve.

“Kjo nuk do të thotë se qytetarët nuk po i zbatojnë rregullat. As nuk do të thotë se shtimi i qytetarëve në rrugë paraqet rrezik, por qytetarët masat mbrojtëse t’i mbajnë edhe në jetën e përditshme”, deklaroi ndër të tjera Petrit Loci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat