Lëvizja Studentore në Pejë akuzon Ramë Likajn se punësoi politikisht motrën e Shkumbin Demaliajt

Peja

Lëvizja Studentore në Pejë akuzon Ramë Likajn se punësoi politikisht motrën e Shkumbin Demaliajt

Më: 25 korrik 2020 Në ora: 17:30
Ramë Likaj

Lëvizja Studentore për Barazi STUDIM KRITIKË VEPRIM ka hedhur akuza ndaj ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, se në bordin e ri të Universitetit të Pejës e ka emëruar politikisht motrën e deputetit që e ka edhe bashkëpartiak, Shkumbin Demaliajt.

Kjo lëvizje e studentëve po ashtu thotë se paraardhësja e Likajt, Hykmente Bajrami, më 13 maj të këtij viti shkarkoi tre anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës pa ndonjë arsye.

“Znj. Bajrami në vendimin e saj nuk kishte treguar fare për arsyet e shkarkimit të anëtarëve të KD-së, por vetëm i kishte zëvendësuar ata me tre emra të tjerë të cilët dolën të jenë shërbyes të kolegjeve private dhe me ndikim partiak”.

“E kapjen e bordeve të universiteteve publike po e vazhdon edhe ministri i ri i Arsimit Ramë Likaj, i cili është i akuzuar edhe për plagjiaturë. Ministri i emëruar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shkarkuar anëtarët e bordit të Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” dhe më pas ka emëruar një bord krejtësisht politik i përbërë nga: Ariana Xhemajli, Ardian Berisha dhe Shkendije Ukaj”.

“Ardian Berisha, pra tashmë anëtar i ri i bordit drejtues është njëkohësisht edhe Shef i grupit të Këshilltarëve të AAK-së në Kuvendin Komunal të Pejës. Po ashtu pjesë e këtij bordi të ri është edhe motra e deputetit të AAK-së, Shkumbin Demalijaj. Derisa në Universitetin e Prishtinës e kanë përgatitur terrenin për ta kapur pozitën e Rektorit duket qartazi se e njëjta gjë po ndodh edhe në Universitetin e Pejës”.

“Pazaret konjukturiale që u ngritën përkundër vullnetit të popullit tash po kalojnë në nivel tjetër. Në vazhdën e emërimit të njerëzve jokompetentë nëpër ministri, kapjen e ndërmarrjeve publike tash po vazhdojnë edhe në Universitetet publike. Ata që janë ngritur kundër interesit publik nuk mund të zhvillojnë arsim e Universitetet publike. Institucionet publike po shndërrohen në vatër të rehatimit partiak deri në falimentimin e plotë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat