Gratë viktima të dhunës në familje në Pejë qepën 13 mijë maska mbrojtëse

Peja

Gratë viktima të dhunës në familje në Pejë qepën 13 mijë maska mbrojtëse

Më: 9 gusht 2020 Në ora: 09:37
Foto ilustrim

Një shtëpi në një lagje të Pejës e zakonshme në dukje dhe familjare nga jashtë, është qendër e strehimit të grave viktima të dhunës në familje, kryesisht të dhunës së ushtruar nga bashkëshortët.

Në këtë adresë konfidenciale, ato jo vetëm që gjejnë strehim pasi ikin prej grushteve të bashkëshortëve, por edhe u ofrohen trajtime psiko-sociale dhe kurse të ndryshme, nëpërmes të cilëve gjejnë vullnetin dhe motivin për jetë pasi të dalin nga aty.

Disa prej tyre kanë mësuar edhe të qepin gjatë kohës së strehimit. E të gjitha gratë këtu janë angazhuar nga kjo qendër të qepin maska në shtëpi, në kuadër të projektit “Ne ju mbrojmë – ne ju bashkojmë”, financuar nga UNMIK-u.

Duart e dhjetë grave viktima të dhunës dhe pesë gra tjera, që edhe kanë përfituar financiarisht nga ky projekt, kanë qepur 13 mijë e 500 maska mbrojtëse, gjysmën e të cilave kjo strehimore ua ka shpërndarë grupeve të të grave të gjitha etnive në këtë rajon, si dhe institucioneve, derisa gjysmën tjetër e ka shpërndarë UNMIK-u, si donator i projektit.

Ky është projekti i parë në të cilin janë angazhuar gratë viktima të dhunës të kësaj qendre, e cila funksionon që nga viti 2002. Por nuk do të jetë i fundit, pasi u është kërkuar sërish të qepin maska mbrojtëse.

Qendra Rajonale për Mirëqenien e Gruas strehon viktimat e dhunës në familje, që vijnë nga Komuna e Pejës, ajo e Istogut, Klinës, Deçanit dhe Junikut.

Prej vitit 2002, kur edhe filloi punën kjo qendër, janë strehuar mbi 1 mijë e 600 gra që kanë përjetuar dhunë fizike, emocionale, psikike, ekonomike dhe seksuale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat