​Përurohet objekti i Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Radavc

Peja

​Përurohet objekti i Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Radavc

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 12:36
Qelaj

Me një ceremoni solemne sot është përuruar objekti i Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit në Radavc. Kjo ceremoni nisi me një minutë heshtjeje në nderim të pesë policëve të vdekur si pasojë e infektimit me COVID-19.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se në këtë kohë pandemie, Policia e Kosovës po ndihmon institucionet e Kosovës në luftimin e koronavirusit.

Ai tha se ndërtimi i objektit të stacionit policor në Radavc krijon kushte më të mira për policët kufitarë, të cilët kujdesën për kufijtë e Kosovës.

Qalaj: Është shumë i rëndësishëm ndërtimi i këtij objekti

“Është shumë i rëndësishëm ndërtimi i këtij objekti meqenëse këtu fillimisht policët tanë kufitarë do të kenë kushte më të mira edhe të punës që janë shumë të rëndësishme dhe kur polici i ka kushtet e mira sigurisht, ai do të jep shumë më shumë nga vetja që të kemi shërbime sa më të mira. Është objekt i rëndësishëm për shkak se policët tanë ofrojnë siguri për kufirin dhe kjo siguri domethënë shumë për qytetarët. Ky vend është i rëndësishëm, sepse Kosova kufizohet me dy shtete dhe ne duhet të japim kontributin që të gjitha aspektet e sigurisë qytetarët ta ndiejnë veten të sigurt”, tha Qalaj.

Komandanti i Stacionit Policor për Mbikëqyrjen Kufitare në Radavc, Azmir Zehiqi tha se kjo pikë kufitare e themeluar në vitin 2012 ka në përgjegjësi të mbikëqyrjes 101 kilometra, 79 me Republikën e Malit të zi dhe 22 kilometra me Serbinë.

Ai tha se përgjatë viteve kanë treguar performancë të shkëlqyer, por sfidë për ta ishte mungesa e një hapësirë adekuate për aktivitetet policore, prandaj ai si komandat i këtij stacioni policor mbikëqyrës u shpreh i lumtur që do ta kenë tani e tutje një objekt modern që i plotëson të gjitha kushtet.

Zehiqi: Stacioni për mbikëqyrje në Vitomiricë, ka treguar performancë të lartë

“Në vitin 2012 me ndryshimin e strukturës organizative janë formuar edhe katër stacione policore për mbikëqyrje të kufirit ku njëra nga to është edhe ai i Vitomiricës. Zona e përgjegjësisë së këtij stacioni është gjithsej 101 kilometra, 79 me Republikën e Malit të Zi dhe 22 kilometra me Serbinë. Gjatë këtyre viteve stacioni për mbikëqyrje në Vitomiricë, ka treguar suksese dhe performancë të lartë. Krahas rezultateve ne kishin edhe sfida. Ndër sfidat ishte se ne nuk posedonim objekte adekuate të hapësirës për të zhvilluar aktivitetet policore dhe fatmirësisht jemi mbledhur këtu për të bërë përurimin e objektit të ri”, tha ai.

Ndërsa, kolonel Nexhmi Krasniqi tha se ndërtimi i këtij stacioni policor në Radavc pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ua ka lehtësuar punën. Sipas tij përmes kësaj pike kufitare është arritur të luftohen dukuri negative kryesisht me kontrabandë.

Krasniqi: Deri më tash kushtet në stacionin policor në Vitomiricë ishin të dobëta

“Në të vërtetë që nga 2012, me formimin e stacionit policor të Vitomiricës për mbikëqyrje të kufirit kanë qenë kushtet e dobëta për të kryer punën, por ja që tani erdhi dita që ky stacion këtu në Radavc të bëhet një stacion që të kryhen punët policore më lehtë dhe të tregohen rezultatet e mëdha”, tha ai.

Në ceremoninë e përurimit të objektit të këtij stacioni policor ishte i pranishëm edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, përfaqësues të pikave kufitare të Malit të Zi dhe Shqipërisë, dhe drejtorë të drejtorive rajonale të Kosovës. Ndërtimi i stacionit policor mbikëqyrës në Radavc është mundësuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat