Numri i madh i nxënësve në klasë, problem për disa shkolla në Pejë

Peja

Numri i madh i nxënësve në klasë, problem për disa shkolla në Pejë

Më: 16 tetor 2020 Në ora: 09:40
foto ilustrim

Si rrjedhojë e arsyeve të ndryshme mësimi brenda shkollave në Kosovë gjithmonë ka qenë një problem i theksuar. Njësosh në qytetin e Pejës është edhe mungesa e hapësirës brenda shkollave e cila e pamundëson zhvillimin e mësimit efektiv. Qyteti ka numër të konsiderueshëm të banorëve andaj edhe shkollat janë të tej mbushura me nxënës.

Sipas studimeve të kryera nga organizata NRCE, numri i madh i nxënësve në një klasë të vetme, shkakton problem në kuptimin e njësive mësimore. Kjo për shkak që çdo nxënësi duhet t’i kushtohet vëmendje e veçante gjatë shpjegimit të një lënde të caktuar. Në një klasë me më shumë se 30-35 nxënës, kjo duket të jetë e pamundur të bëhet.

Shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Xhemajl Kada” në Pejë është një ndër shkollat më të mëdha të qytetit. Drejtori i kësaj shkolle Sylë Peli, tregon se kjo shkollë ka më shumë se 1400 nxënës dhe se kjo paraqet problem në zhvillim të mësimit.

“Është normale që ky numër i madh i nxënësve të paraqet problem në zhvillim të mësimit, por duke e krahasuar me vitet e kaluara ky numër ka pësuar rënje. Brenda këtyre gjashtë viteve ka rënë numri i nxënësve për 300, e ky numër është në rënje e sipër” thotë ai.

Agim Desku arsimtar i gjuhës shqipe në këtë shkollë thotë, se brenda një klase ka më shumë se 34 nxënës. Sipas protokollit të Ministrisë së Arsimit, numri i nxënësve brenda një klase në shkolla fillore duhet të jetë jo më shumë se 24. Mirëpo, shumica e shkollave në qytetin e Pejës shënojnë numër më të madh se ky.

“Nëse do të kishte më pak nxënës në një klasë atëherë do të mund të iu kushtonim më shumë vëmendje secilit dhe do të kishim një çasje më ndryshe. Çasje kjo, që shpie në favor të nxënësve dhe në arritjen e rezultateve të tyre” tha Desku.

Sipas tij, numri i madh i nxënësve brenda një klase shkakton problem në arsim dhe këtë ai e thotë në bazë të përvojës dhe punës së tij të gjatë si mësimdhënës.

Erion Lika, nxënës në klasën e shtatë mendon se numri i madh i personave në klasë vështirëson procesin mësimor, sepse në një klasë me shumë persona nxënësit hezitojnë të flasin para të tjerëve.

Nxënësit priren të flasin dhe marrin pjesë më shumë në klasa më të vogla. Ata kanë shumë më tepër gjasa të ndërveprojnë me mësuesin sesa të dëgjojnë pasivisht gjatë orës së mësimit.

“Ne e kemi të vështirë të fokusohemi në atë se çka po thotë arsimtari, sepse zakonisht bëhet edhe zhurmë por edhe nëse ne nuk kuptojmë diçka atëherë arsimtari nuk ka kohë të mjaftueshme që të na shpjegojë secilit atë, shpesh na duhet t’i kalojmë njësitë mësimorë për këtë arsye” tha ai.

Ndërkaq, edhe në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Lidhja e Prizrenit”, ka probleme të ngjashme. Kjo për shkak se numri i nxënësve në këtë shkollë e kalon numrin 1000. Drejtori i kësaj shkolle Valdrin Husaj thotë se mësimi bëhet në dy ndërrime dhe se nuk ka probleme për hapësirë brenda shkollës.

“Në klasa janë nga 23 deri në 33 nxënës. Kemi kapacitet të mjaftueshëm për këtë numër sepse numërojmë 20 dhoma të mësimit, një kabinet të TIK, një laborator, një atele, një bibliotekë dhe palestrën për edukatë fizike” tha Husaj.

E Valbona Goga, arsimtare e biologjisë në të njëjtën shkollë, mendon se numri i nxënësve brenda një klase është më i madh sesa që duhet.

“Numri i madh i nxënësve paraqet problem sepse ne nuk mund t’i kushtojmë kohë te gjithë nxënësve. Në atë mënyrë jo të gjithë nxënësit mund të marrin pjesë në aktivitetet e shkollës. Nëse numri i nxënësve do të ishte më i vogël atëherë do t’ju kushtoheshim më shumë nxënësve në paqartësitë e tyre; mësimi do ishte më efektiv sepse do të kishim më shumë kohë të merremi me nxënësit në veçanti”

Arsyetime, mendime e sqarime po, mirëpo asgjë nuk po veprohet në këtë drejtim. Deri atëherë nxënësit do të “vuajnë” nga ky fenomen i pranishëm jo vetëm në shkollat e Pejës, por edhe në tërë Kosovën

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat