Fajdet në Pejë, mori 200 euro borxh, pagoi 5 mijë euro kamatë

Peja

Fajdet në Pejë, mori 200 euro borxh, pagoi 5 mijë euro kamatë

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 20:55
Ilustrim

Muajin e kaluar, një aksion i Prokurorisë së Pejës vuri në pranga disa persona të dyshuar për fajde në rajonin e Pejës.

Në emisionin “Kallxo Përnime” janë transmetuar pamje ekskluzive të masave të fshehta të cilat ishin përdorur për të vërtetuar dyshimet se një grua po mblidhte fajdetë e burrit të saj, i cili kishte vdekur. Një qytetar më shumë se dy vite ka paguar kamatë të fajdesë që e kishte marrë nga një person në komunën e Deçanit.

Ai fillimisht kishte marrë me fajde 200 euro për të paguar një gjobë ndërsa kur i kishte kthyer te personi ai nuk i kishte pranuar ndërsa kishte kërkuar që viktima e fajdesë të paguante kamatë në vlerë të 100 eurove.

Prokurori i Prokurorisë së Pejës, Dorian Juniku, ka shpjeguar në detaje se si kishte funksionuar fajdeja në rastin që e ka hetuar tash e një kohë.

“Fillimisht viktima kishte marrë para me fajde te bashkëshorti i tashmë të pandehurës, ku fillimisht kishte marrë 200 euro në emër të borxhit ndërsa në kthim të borxhit personi i cili i ka dhënë fajdetë nuk i ka pranuar paratë ndërsa e ka detyruar që në çdo muaj në datën 12, në emër të fajdesë t’i paguajë nga 100 euro, ku gjatë periudhave të caktuara në rast të vonesave kjo shumë është rritur në 300 euro, ndërsa në total ka paguar diku 5 mijë euro”, tregon prokurori Juniku, i cili shton tutje se operacionet e suksesshme që kanë ndodhur në zonën e Dukagjinit kanë inkurajuar viktimat e fajdesë që t’i raportojnë ato.

Tutje prokurori tregon edhe si kishte arritur që ta hetojë rastin.

“Në rasti tonë, viktima ka shkuar fillimisht në Policinë e Kosovës, më pas në Prokurori më saktësisht tek unë, ku më ka shpjeguar rastin e fajdesë”, shton tutje prokurori.

Ai përmend faktin se si viktima kishte shkuar ta lajë borxhin e marrë por personi nga i cili kishte pranuar paratë nuk i kishte marrë ndërsa i kishte caktuar kamatë.

“Në rastin konkret, kur ka shku viktima me kthy borxhin, personi që i ka dhënë fajde i ka thënë që 200 euro e fusim në punë, ndërsa ti tani e tutje do t’i paguash çdo muaj nga 100 euro. Kjo ka zgjatur diku 2 vite e diçka”, tregon prokurori.

Viktima e fajdesë sipas prokurorit nuk ka pasur të ardhura të mëdha financiare.

“Personi në fjalë merret me tregti por nga profesioni që ushtron nuk merr të ardhura të mëdha”, tregon prokurori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat