Qytetarët e Pejës të rrezikuar nga mungesa e laurës në vendin ku kalon treni

Peja

Qytetarët e Pejës të rrezikuar nga mungesa e laurës në vendin ku kalon treni

Më: 12 shkurt 2022 Në ora: 13:39
Pamje nga vendi ku kalon treni

Që nga fillimi i pandemisë në rrugën “Zhujë Selmani” në Pejë, në vendin ku treni qarkullon katër herë në ditë, nuk funksionon laura e cila do të paralajmëronte ardhjen e tij.

E, për këtë ngasësit e veturave dhe këmbësorët ndjehen të rrezikuar.

Ata rrëfejnë se kanë qenë dëshmitarë disa herë, kur treni është detyruar të ndalojë në mes të rrugës, për të mundësuar lëvizjen e veturave dhe këmbësorëve.

“Kohë pas kohe dalë aty me shit ndonjë pemë, kur është moti pak ma i mirë, buzë rrugës edhe e kom pa disa herë kur treni që vike prej Prishtinës u dashke me u ndalë, për më i lënë kerret me ecë, ose ndonjë kalimtarë, në vend se me qenë e kundërta”, thotë një qytetarë i cili kërkoi të mbetet anonim.

Media ka kontaktuar me zyrtarët komunal nga ku na është thënë se, përveç vendosjes së shenjave që e rregullojnë komunikacionin, Komuna e Pejës nuk është kompetente për gjëra të tjera në këtë drejtim.

“Kjo çështje është kompetencë e hekurudhave, ndërsa kompetencë e jona është vendosja e shenjave të cilat rregullojnë komunikacionin në ato pjesë”, thotë Agron Nikqi, drejtor për Punë Komunale dhe Shërbime Publike.

“Mund të them se më herët Komuna e ka paguar një punëtor për të dalë fizikisht që të vendosë laurën, në atë kohë kur treni të kalojë, mirëpo tash ai ka dalur në pension dhe duhet  Infrakos të merret më këtë problem”, shton ai.

Media po ashtu ka kontaktuar edhe me zyrtarët e Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës “INFRAKOS”SH.A, të cilët kanë thënë se së shpejti ky problem do të marrë epilog.

“Punëtorët tonë në hyrje të stacionit kanë nisur të punojnë me investime tona, për të vendosur një laurë, apo rampë gjysmë automatike, mirëpo për shkak të pandemisë ishin detyruar që ta ndërprenë punimin disa herë. Përpara të njëjtën e kemi pasur me personel tonin, mirëpo ai tash është pensionu, e tash jemi duke e bërë laurën automatike”, thotë zyrtari për komunikim me publik, Refet Çitaku.

“Zakonisht këto nuk vonojnë shumë kur fillohen. Besojë se brenda javës që vjen një punë e tillë duhet me u kry edhe ajo më pas është automatike është në gjendje për funksion, e cila do të dirigjohet prej stacionit”, shton ai.

Ndërsa sa i përket pikë kalimit të trenit në hyrje të qytetit nga Prishtina për në Pejë, e cila po ashtu nuk ka një laurë të tillë, edhe nga Komuna por edhe nga Infrakos, kanë thënë se është çështje kontestuese ligjore e pa definuar ende.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat