Mustafa theksoi përkrahjen e Qeverisë për projektet zhvillimore në Pejë

Peja

Mustafa theksoi përkrahjen e Qeverisë për projektet zhvillimore në Pejë

Më: 7 nëntor 2016 Në ora: 18:19
Mustafa Pejë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në inaugurimin e Çarshisë së Vjetër si dhe të Qendrës së Zhvillimit Artizanal në qytetin e Pejës. 
 
Në këto aktivitete, përveç qytetarëve të shumtë ishin të pranishëm edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian njëherësh përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ministrat Kujtim Shala e Arban Abrashi si dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Kryeministri Mustafa fillimisht falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen në financimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë për kulturën e Kosovës. 
 
“Ne kemi interes të madh që të kultivojmë trashëgiminë tonë kulturore dhe atë të artizanatit, pjesë e kësaj trashëgimie që pamë sot këtu në Çarshinë e Vjetër të Pejës, e cila ndërlidhë jo vetëm me decenie, por me shekuj zhvillimin tonë kulturor dhe ekonomik, atë që ne e kemi kultivuar në familjet tona, në rrethin tonë, si punë dhe si traditë”, tha kryeministri.
 
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, shprehu përkrahjen e Qeverisë për projektet e tilla që e bëjnë Pejën regjion të zhvilluar dhe pjesë të prosperitetit të vendit, por edhe që e bashkon me kulturat evropiane. 
 
“Prandaj, e rëndësishme është kjo që na lidh neve me Evropën, me Bashkimin Evropian, sepse përmes kësaj kulture, dëshirojmë të bëhemi pjesë e kulturave evropiane”, tha kryeministri. 

Image

 

 
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, njëherësh përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, u shpreh e lumtur me mbështetjen e tyre në këtë projekt. 
“Uroj Komunën e Pejës dhe Organizatat Joqeveritare për Promovimin e Trashëgimisë Kulturore për një punë të mirë që kanë bërë në përmirësimin e infrastrukturës afariste nëpërmjet partneritetit objektiv dhe profitabil në mes të shoqërisë civile, sektorit publik, qeverisë lokale dhe komunitetit vendor”, tha ndër të tjera Apostolova, duke siguruar që BE-ja do të vazhdoj mbështetjen e këtyre iniciativave. 
 
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, falënderoi kryeministrin Mustafa dhe znj. Apostolova, për përkrahjen si dhe për fondet e BE-së që Çarshia e Gjatë të ndërtohet dhe që qyteti i Pejës ta ketë një investim të qëndrueshëm, i cili do të jetë promotor i zhvillimit të turizmit, por edhe ekonomisë familjare dhe zhvillimit të Komunës së Pejës në të ardhmen. 


“Investimi në Çarshinë e Gjatë është një ndër investimet më të qëlluara që është bërë në Komunën e Pejës, për t’ia kthyer Çarshisë së Gjatë namin që e ka pasur dhe për t’i shërbyer gjeneratave të ardhshme si model i ri i zhvillimit ekonomik”, tha kryetari Muhaxheri, duke uruar që edhe investimet tjera të jenë në drejtim të promovimit të trashëgimisë kulturore, ndihmesës në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe zhvillimit të turizmit në Komunën e Pejës.


Kryetari Muhaxheri, theksoi po ashtu se Komuna e Pejës është e gatshme që edhe me fondet vetanake të investoj në zhvillimin e qëndrueshëm, që të rinjtë dhe gjeneratat e reja të punojnë për zhvillimin e këtij qyteti të bukur buzë Bjeshkëve të Rugovës. 
 
Menaxherja e projektit, Blerta Harxhi-Begolli është shprehur e lumtur për përurimin e këtij projekti dy vjeçar. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat