Vrasja e vitit 2010 në Pejë, avokati thotë se të akuzuarit iu ndërrua pistoleta në Polici

Peja

Vrasja e vitit 2010 në Pejë, avokati thotë se të akuzuarit iu ndërrua pistoleta në Polici

Më: 12 prill 2017 Në ora: 22:49
Avokati Dodaj tha se asnjë dëshmitar nuk e identifikon të akuzuarin Elshani

Sot ka vazhduar gjykimi ndaj Granit Elshanit, i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për gjashtë vepra penale të ndodhura në janar të vitit 2010 në Pejë.

Të pandehurin Elshani, i cili akuzohet për vrasje të rëndë, tri tentim vrasje të rënda, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, Gjykata e pyeti edhe një herë lidhur me fajësinë.

Derisa i akuzuari u deklarua i pafajshëm, prokurori Andrew Hughes nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në fjalën hyrëse elaboroi se si kishte ndodhur ngjarja natën e 2 janarit 2010, duke potencuar faktin që provat të cilat e mbështesin këtë aktakuzë do të vërtetojnë fajësinë e Elshanit.

Prokurori Hughes në këtë shqyrtim tha se më 2 janar 2010 në diskotekën “City Club” në Pejë një person tashmë i identifikuar si i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendit.

Prokurori theksoi faktin që shënjestër e vrasjes ishte Valdet Kelmendi por fat të keq kishte Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Sipas prokurorit, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar.

“Provat do të tregojnë se Besart Shabi ishte viktimë e pafajshme, i cili ra viktimë ngaqë ishte dorë për dore me Valdet Kelmendin”, tha prokurori

Gjatë përshkrimit të ngjarjes, sipas prokurorit, i akuzuari pasi është larguar nga vendi i ngjarjes, ku kishte lënë të vdekur Besart Shabin dhe disa të tjerë të plagosur, nga pas është ndjekur nga një zyrtar policor, i cili ishte jashtë detyrës.

“Polici Hasan Buqaj ka qenë personi i parë që ka shkuar në ndjekje të gjuajtësit. Zyrtari policor e kishte pistoletën e tij zyrtare që e ka mbushur kur ka dalë nga “City Club”. Në dy raste ai i ka thënë: “Policia, ndal!”. Afër ‘Reiffeisen Bank’-ës gjuajtësi e ka nxjerrë armën dhe ka gjuajtur në drejtim të zyrtarit policor, duke e qëlluar në këmbë për t’u larguar më pas me një veturë të tipit ‘Golf’”, tha mes tjerash prokurori Hughes.

Prokurori po ashtu thekson faktin që gjatë bastisjes që kishte ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të asaj nate në një lokacion ku dyshohej se ishte fshehur gjuajtësi dhe ishte arrestuar i akuzuari Granit Elshani, ishte gjetur një revole e tipit “Sig Sauer” që përputhet me predhën që kishte goditur zyrtarin policor.

Nga ana tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Granit Elshani, avokati i parë Ndrec Dodaj tha se kjo aktakuzë e ngritur ndaj klientit të tij është paragjykuese duke u mbështetur në një histori të këtyre dy familjeve që fatkeqësisht nuk janë zbardhur asnjëherë.

Avokati Dodaj tha se asnjë dëshmitar nuk e identifikon këtu të akuzuarin Elshani.

“Ne nuk e kundërshtojmë faktin që natën kritike është vrarë dhe janë plagosur personat në fjalë por kjo nuk do të thotë që i ka shkaktuar këtu i pandehuri. Të gjitha provat që janë deponuar asnjë dëshmitar nuk e identifikon që klienti im është kryerës i këtyre veprave”, tha avokati Ndrec Dodaj.

Avokati Dodaj tha se pistoleta e gjetur gjatë bastisjes dhe arrestimit të të pandehurit është ndërruar nga hetuesit dhe është prezantuar një pistoletë tjetër për ta inkriminuar atë.

“Me rastin e bastisjes së të pandehurit si është e mundur që hetuesit nuk i kanë marrë gjurmët e gishtave apo nuk i kanë bërë ekzaminimin me dorëza të parafinës apo mostër të pështymës për ADN. Arma që është prezantuar në Polici nuk është ajo që është gjetur te klienti im”, tha avokati Dodaj.

“Ne jemi vend i çudirave, ndodhin edhe këto. Në vendin ku vidhet dhoma e dëshmive në Polici pse nuk mund të ndodhë edhe kjo që të fabrikohen provat”, iu drejtua me këto fjalë avokati Dodaj prokurorit Andrew Hughes.

Shqyrtimi i radhës është caktuar me datën 5, 6, 7, 8 e 9 qershor 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat