Banorët e Rashiqit pa infrastrukturë

Peja

Banorët e Rashiqit pa infrastrukturë

Më: 10 qershor 2017 Në ora: 12:48
Rashiq

Mbi 130-të familje në Rashiq të Pejës vazhdojnë të jenë pa ujë të pijshëm. Përderisa në fshat janë duke u zhvilluar punime për vendosjen e gypave të ujësjellësit, banorët thonë se përveç se nuk kanë ujë, atje po dëmtohet edhe asfalti i lagjes nga punimet joprofesionale që po bëhen aty.

Ndonëse banorët kanë participuar me mbi 20 mijë euro për këtë rrugë, thonë se Komuna e Pejës nuk është treguar e kujdesshme që të veprojë në bashkëpunim me ta, pasi nuk ua ka përfillur kërkesat.

Alban Briçori, përfaqësues i lagjes, thotë se me aq sa kanë informata, ujësjellësi është donacion i Zvicrës, por për punën joprofesionale që po bëhet mbetet përgjegjëse Komuna e Pejës.

Briçori: Ujësjellësi nuk po ndërtohet në mënyrë profesionale

“Disa punime që po ndodhin në këtë fshat sipas neve nuk janë të mira, nuk janë të mira sepse janë duke u bërë dy punë të këqija. Duke parë se ujësjellësi është duke u punuar në mënyrë joprofesionale, është duke u punuar pa lëshuar gypat pa zhavorr, por në anën tjetër është edhe duke u dëmtuar asfalti në masë të madhe. Ujësjellësi është donacion i Zvicrës, kështu i kemi informatat të paktën. Ne kemi kontaktuar kompaninë se pse po ndodhë kjo, pse nuk vendosni zhavorr në gypa, thonë sepse nuk kemi në tender, nuk e kemi këtë kërkesë ne nga komuna dhe kështu po ndodh një punë shumë e keqe. Asfaltin e kemi participar edhe ne vet në atë kohë. E kemi edhe kanalizimin që është vendosur në atë kohë e që është i pashfrytëzueshëm sot”, tha Briçori.

Ai madje tregon se në mungesë të ujësjellësit, furnizohen me ujë nga bunari, të cilat jo gjithherë kanë ujë të pijshëm.

Banorët e Rashiqit ishin zhgënjyer edhe më parë nga një projekt për rregullimin e ujërave të zeza, ndërsa tani shprehin dyshimet e tyre për projektin e radhës.

Për shqetësimet e banorëve të lagjes flet edhe mjeshtri i kësaj ane, Islam Gjocaj. Ai për KosovaPress rrëfen se procesi i vendosjes së gypave nuk po bëhet në mënyrën e duhur. Pastaj, si njohës i kësaj pune, ai rrëfen se mungesa e zhavorrit rrezikon ngushtimin dhe dështimin e gypave.

Gjocaj: Mbi 150 shtëpi të fshatit do të mbesin pa ujë

“Këtë projekt që e ka sjellë komuna për të ndërtuar. Unë e shoh se nuk është në rregull, pasi që çdo gyp si i ujësjellësit ashtu edhe i kanalizimit duhet të mbulohet së paku 5 metër zhavorr, të rrahet me papuçe e pastaj të vendoset dheu përmbi. Këtu në këtë projekt, nuk është fare duke u vendosë zhavorri, janë duke vendosur gurë mbi të. Prandaj ne e kemi parë të arsyeshme të iu ftojmë, t’iu lajmërojmë se edhe një projekt më herët që është bërë nuk është fare në funksion për arsye se nuk është bërë siç duhet. I kanë vendosur gypat, menjëherë kanë vendosur dheun dhe kërshat dhe sot është jofunksional... Nëse vendoset gypi pa zhavorr ne në fund, kur të lëshohet uji do të kemi problem. Mbi 150 shtëpi të fshatit do të mbesin pa ujë sepse faktikisht gypit kur t’i vendoset kërshi përmbi, shtypet dhe nuk ka mundësi të kaloj uji si duhet”, thotë Gjocaj.

Banorët e fshatit Rashiq nuk duan që uji të rregullohet vetëm përkohësisht. Ata thonë se është e rëndësishme që puna të jap rezultatet e saj, pavarësisht sesa mund të zgjas procedura e rregullimit të ujësjellësit.

Madje, me pesimizëm thonë se është më mirë të ndërpritet puna se sa të vendosen gypat pa zhavorr. 

Mjeshtri tregon se banorët gjatë punës në tokat e tyre duhet të vendosin maska për t’u mbrojtur nga era e kanalizimit. Madje ai tregon se kur ka të reshura, rruga bëhet tërësisht e pakalueshme e posaçërisht për banorët e Banjës së Epërme.  

Gjocaj: Fshatarët kur punojnë duhet të mbulojnë gojën me shami

“Këtu fshatarët kur të punojnë duhet të vendosin shaminë në gojë sepse është një erë që kundërmon shumë. Edhe rrugës nuk mundet të kaloj askush, e kanë lënë të pakalueshme rrugën që i lidhë dy a tre fshatra. Shkojnë rrotull nga 4 apo 5 kilometër për shkak të erës së kanalizimit” thotë ai.

Ai apelon Qeverinë dhe Komunën e Pejës që të ndërmarrë hapa konkret për të rregulluar përfundimisht një herë e mirë ujësjellësin në fshatin Rashiq.

Gjocaj: Të rregullohet kjo gjendje e ujit

“Ne kishim bë apel te Komuna dhe te Qeveria që të rregullohet ky kanalizim, të rregullohet kjo gjendje e ujit sepse nëse vazhdon kështu si ka filluar, do të jetë e kot sikur kanalizimi, do të jetë e kot dhe fare nuk do të funksionojë”,  u shpreh ai.

Se kjo çështje është goxha e komplikuar për banorët e fshatit Rashiq del të jetë edhe fakti se fillimisht duhet të ndërtohet edhe fabrika e ujit në Radac, e cila duhet të furnizojë gjithë Lugun e Boranit.

Ndërkaq, zyrtarë të Komunës së Pejës lënë të nënkuptohet se shqetësimet e banorëve të fshatit Rashiq janë të pa baza.

Muhamet Mahmutaj, zyrtar i Komunës së Pejës, i kontaktuar nga KosovaPress, tha se puna e ujësjellësit në Rashiq të Pejës është duke u bërë në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Banorët e fshatit Rashiq, aty nuk kanë se për çfarë të ankohen. Me rrugë, me kanalizime, me ujësjellës jemi duke bërë përpjekje me i rehatu”, tha Mahmutaj, ndërsa shtoi se inxhinierët janë duke e përcjellë punën atje dhe komuna po tregohet e vëmendshme që të mos lëshohet asnjë gabim.

Madje ai tha se i mirëpret banorët për t’i dëgjuar shqetësimet e tyre, përderisa konsideron se banorët kanë gabuar që kanë dhënë informacione që nuk janë të vërteta.

Sa i përket problemeve me kanalizim, ai tha se janë duke intervenuar në pjesët problematike që janë paraqitur, ndërsa shprehet se nuk kanë çfarë të bëjnë për pjesët ku nuk kanë mundësi intervenimi.

“Ne jemi duke bërë përpjekje për të rregulluar aty ku nuk ka qenë në rregull. Aty ku nuk kemi mundësi intervenimi, nuk kemi mundësi intervenimi”, tha ai.

Banorët e Rashiqit furnizohen me ujë të pijshëm në Pejë dhe Deçan.

Kjo nuk është hera e parë që banorët e fshatit Rashiq kanë adresuar problemet e tyre, por kanë hasur në vesh të shurdhër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat