Veseli: Beqir Sadikaj ka platformën qeverisëse më të mirë për Istogun

Peja

Veseli: Beqir Sadikaj ka platformën qeverisëse më të mirë për Istogun

Më: 6 tetor 2017 Në ora: 18:42
Kadri Veseli

Istogut dhe qytetarëve të saj i duhet një platformë e re e qeverisjes, për të hapur perspektivën për këtë qytet që ka natyrën me të bukur në Kosovë.

Kështu kanë thënë kreu i PDK-së Kadri Veseli dhe kandidati për kryetar të këtij qyteti, Beqir Sadikaj, në prezantimin e platformës qeverisëse për katër vitet e ardhshme.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tha se me qeverisjen e Beqir Sadikajt, Istogu do ta arrijë ndryshimin që nuk e ka arritur as për dy mandatet e qeverisjes nga LDK-ja.

Veseli u ka bërë thirrje qytetarëve të Istogut që ta përkrahin Sadikajn nëse duan që Istogu të ketë zhvillim, të ketë shesh për fëmijët e tyre dhe shumë investime.

Veseli: Platforma e Sadikajt është platformë e zhvillimit

“Kjo është platformë e zhvillimit, këto nuk janë fjalë, por platformë e investimeve. Kjo platformë, e cila nuk e lënë Istogun ndër qytetet me të izoluara, më të pazhvilluara, me më pak infrastrukturë, dhe e lënë Istogun në një pozitë të padëshiruar. Beqir Sadikaj vjen në vendlindjen e vet për t’i shërbyer denjësisht, për t’i treguar edhe kësaj nomenklature të pushtetit se si punohet për vendlindjen dhe çfarë mund të bëjë një kryetar komune kur e donë komunën dhe qytetarët e komunës së vet dhe që mendon me shumë për ta se për vetën”, tha Veseli.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Istogut, Beqir Sadikaj, tha se  janë forca e ndryshimit për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Istogut.

Ai tha se çdo ndryshim i madh që nga viti 2007 e deri në vitin 2014 kanë ndodhur nga qeverisja e PDK-së, duke filluar me shpalljen e pavarësisë, ndërtimin e autostradave dhe infrastrukturave, rritja e pagave, rritja e pensioneve e shumë arritje tjera.

Por, sipas tij, komuna e Istogut nuk e ka arritur këtë ndryshim, por ka stagnuar dhe qytetarët e Istogut përballen me mungesë të ujit të pijes, kanalizimit, rrugëve, trotuareve, ndriçimit publik, mbeturinat dhe shumë tjera, që do të duhej të ishin të përfunduara vite më parë.

Për këtë, Sadikaj tha se platformën qeverisëse e kanë hartuar krejtësisht në bazë të kërkesave të qytetarëve.

Sadikaj: Platforma e PDK-së për Istogun e bazuar në kërkesat e qytetarëve

“Platforma që ne kemi përpiluar është tërësisht bazuar në kërkesën e qytetarit që e bënë të jetë më e mira për qytetin për qytetin e Istogut, më krenarja dhe më e realizueshmja. Por, për këtë ofertë secili nga ne duhet të promovojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Platforma jonë garanton përmirësimin e qeverisjes, ngritjen e nivelit të arsimit, ngritjen e shërbimeve shëndetësore, përmirësimin e gjendjes së bujqësisë dhe bujqve, përkrahjen e sferave në kulturë, rini e sport, ndërtimin e infrastrukturës, përkrahjen e investimeve për të realizuar partneritetin publiko-privat, përmirësimin e gjendjes sociale, përkujdesjen e familjeve të veteranëve, dëshmorëve dhe invalidëve dhe shoqatave të dala nga lufta, për barazi gjinore dhe persona me aftësi të kufizuara, kujdesin për mjedisin dhe zhvillimin e turizmit, të gjitha këto janë të domosdoshme për të përmirësuar jetën e çdo qytetari në komunën e Istogut”, tha Sadikaj.

Ai theksoi se për 18 vjet komuna e Istogut nuk ka arritur të sjellë asnjë investim e as të krijojë vende të punës. Derisa, ka siguruar se me qeverisjen e tij, në ditët e para do të nënshkruajë kontratë me një kompani gjermane, e cila do të ndërtojë një fabrikë për prodhimin e letrës ku do të punësohen 900 punëtorë të rinj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat