Kundërshtohet rrënimi i shkollës së verbër - Bota Sot
Kundërshtohet rrënimi i shkollës së verbër

Peja

E enjte, 15 nëntor 2018

Kundërshtohet rrënimi i shkollës së verbër

Më: 20 korrik 2018 Në ora: 11:11
Pejë

Grupi iniciues kundër rrënimit të shkollës për të verbër në Pejë, i përbërë nga OJQ Syri i Vizionit, Shoqata e të verbërve të Kosovës dhe QBMK Xheladin Deda, të premten ka mbajtur një konferencë për media në të cilën ka shprehur kundërshtimin ndaj planeve për rrënimin e këtij objekti për nevojat e ndërtimit të një objekti për Gjykatën e Pejës.

Ata kanë kërkuar nga palët inicuese që të heqin dorë nga kjo ide dhe të kërkojnë një tjetër destinacion për objektin në fjalë, pa qenë nevoja të shkatërrojnë diçka që ka vlerë për Pejës, për të ndërtuar diçka tjetër.

Daut Tishuki, kryetar i Shoqatës së të verbërve ka thënë se “të verbrit e Kosovës janë të shqetësuar dhe të trishtuar për këtë vendim”. Ai ka thënë se ka një historik të vazhdueshëm të dëbimit të personave të verbër nga një institucion në të tjetrin që nga vitet ’70 të shekullit të kaluar, prandaj këtë herë ata janë të gatshëm dhe të organizuar që në çfarëdo lloj mënyrë të kundërshtojnë këtë plan.

Xhavit Kastrati, drejtor i QBMK Xheladin Deda ka thënë se shkolla për të verbër është e pamundur të zhvendoset pasi investim e të shumta janë bërë në hapësirën e brendshme dhe të jashtme të objektit dhe ato janë shumë specifike për këtë kategori. Çdo lloj lokacioni tjetër  e bën të pamundur qasjen edhe fizike edhe në transport të personave të verbër që vijnë nga të gjitha komunat e Kosovës dhe jashtë saj.

Kurse Veton Mujaj nga OJQ Syri i Vizionit ka vlerësuar se i duhet dhënë fund logjikës së rrënimeve dhe për këtë do të ketë një reagim të fuqishëm dhe të vazhdueshëm pasi tashmë dhjetëra organizata iu kanë bashkëngjitur grupit iniciues të vendosur në kundërshtim.

Grupi iniciues nga konferenca ka shpërndarë një thirrje për të gjitha organizatat, institucionet dhe qytetarët ta mbështesim këtë kundërshtim në mënyrë të organizuar deri sa iniciuesit të heqin dorë nga ky projekt dhe të gjejnë zgjedhje më adekuate. 

Tri ministri, Ministria e mirëqenies sociale, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Administratës publike, bashkë me Komuna e Pejës kanë përzgjedhur këtë hapësirë për të ndërtuar Gjykatën e Pejës, pa informuar paraprakisht as shkollën, as Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ky vendim ka irrituar edhe qytetarët e Pejës, shoqërinë civile, etj. pasi objekti është një nga simbolet e trashëgimisë së Pejës, ndërtuar nga austrohungarezët jo vetëm për infrastrukturën por ka shërbyer edhe si Spital i Pejës dhe në funksione tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test