Kulla dhe shtatorja e Dr. Rugovës, simbole të krenarisë shqiptare - Bota Sot
Kulla dhe shtatorja e Dr. Rugovës, simbole të krenarisë shqiptare

Peja

E mërkurë, 17 tetor 2018

Kulla dhe shtatorja e Dr. Rugovës, simbole të krenarisë shqiptare

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 10 shtator 2018 Në ora: 12:35
Kulla e Ibrahim Rugovës në Malaj të Rugovës

E shumëdashura Familje Institucion Rugova,

I dashur kryeplak i fshatit Malaj, Demë Ali Lajçi,

Të dashur rugovas,

Të nderuar të pranishëm në këtë përurim fisnik,

Fillimisht, ju përcjell përshëndetjet e dlira të Mërgatës të kudondodhur shqiptare dhe dashurinë e tyre të çiltër!

Jemi sot, këtu, në Malaj, në fshatin e origjinës të Ibrahim Rugovës, për ta hijëshuar dhe përjetësuar në bronz, me shtatore. Është logjike, që për njerëzit e veçantë, të bëhen edhe kujdese të veçanta.

Image
Komandanti Hisen Berisha, këshilltari i presidentit shqiptar-Flamur Gashi, gazetari Idriz Zeqiraj

Veçantitë e Ibrahim Rugovës janë numerike

ishte fat i madh i Kosovës qenia në drejtim e udhëheqje e Ibrahim Rugovës, i cili është shquar në fëmijëri, rini dhe në burrërimin e Tij, duke qenë gjithëherë i Parë dhe kurrë i dytë.  

Dr. Rugova shquhet për veçantitë e Tij. Por, po  citojmë vetëm disa syrësh:

1) Si nxënës-fillorist ishte i parë në mësime, poezi dhe hartime;

2) Si nxënës-normalist i parë në leximin e literaturës artistike botërore, në gjuhë të huaja; 

3) Si student, i parë në studime, Redaktor i parë Përgjegjës i gazetës studentore "Bota e re" dhe e revistave, përkatësisht, shkencore e letrare, "Dituria" dhe "Plejada" Rrjedhimisht, Rugova student, ishte i pari i gazetarisë alternative, oponente e shtypit monist të pushtetit të kohës;

4) Si studjues pasuniversitar, në Paris, u shqua në studimin e kritikës letrare, duke arritur, më vonë, titullin e doktorit shkencor, në këtë fushë;

5) I punësuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ishte drejtues sa profesional, aq edhe i dinjitetshëm, i të vetmës revistë të mirëfilltë shkencore "Gjurmime Albanologjike";

6) Ishte më i zëshmi intelektual i Kosovës, në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, ku u përball me nacionalizmin sebo-sllavë. "Jam këtu, për të mbrojtur qenien dhe dinjitetin e popullit tim...", - do të deklaronte, në mes tjerash, në fjalën e Tij, Dr. Ibrahim Rugova; 

7) Ishte i pari në nismën e pluralizmit politik, themelimin e partisë së parë pluraliste në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK);

8) Dr. Rugova e filloi karrierën politike me referimin për paqen dhe slloganin trinom: Liri, Pavarësi, Demokraci! Por, opcionin e luftës kurrë nuk e përjashtoi. 

9) Ishte i pari që hodhi idenë dhe e lëndëzoi atë, për krijimin e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, (FARK), si bazë e mëvonshme e UÇK-së, e dalë nga FARK-u;

10) Ishte i parë në krijimin e institucioneve paralele, rast unik i deri atëhershëm, duke e shtrirë pushtetin moral, jo vetëm në Kosovë, por, edhe në të gjithë Etnikumin shqiptar si dhe në Mërgatën shqiptare;

11) Dr. Ibrahim Rugova është nismëtari i Deklaratës të Pavarësisë, më 2 korrik 1990, i Kushtetutës të Kaçanikut, më 07 shtator 1990, i zgjedhjeve të para pluraliste e demokratike si dhe i zgjedhjes të Presidentit, duke u bërë edhe President i Parë i Republikës të Kosovës;

12) Rugova ishte personaliteti i parë shqiptar, i cili, në homazhin - nderim, në varrezat qendrore të dëshmorëve, në Tiranë, u përkul para Monumentit "Nëna Shqipëri", por, JO edhe pranë varrit të diktatorit stalinist, Enver Hoxha. 

13) LDK-ja, e prirë nga themeluesi i saj, Ibrahim Rugova, me shokë, e bëri paqen dhe luftën.

Pikërisht, bazuar në këto veçantira, banorët e këtij fshati, me rugovasit tjerë, vendosën të bëjnë diçka të veçantë, për Ibrahim Rugovën, krenarinë e Rugovës, të Kosovës dhe të Shqiptarisë mbarë.

Image
Pjesëmarrje masive në përurimin-festë

Shoqatat dhe LDK-ja, kontribuese për Parkun Memorial

Pesë vjetë më parë, dinjitetshëm e bujshëm, Malajt vunë gurë-themelin e Parkut Memorial "Dr. Ibrahim Rugova", në këtë lokacion, në praninë e plakut urtak të Kosovës, Mark Krasniqit, ndjesë pastë, mikut të mirë të Dr. Rugovës; kryetarëve të komunave Pejë dhe Istog, përkatësisht, Gazmend Muhaxherit dhe Haki Rugovës; përfaqësues të LDK-së, qytetarë të Rugovës dhe të Kosovës.

Por, donatorët nuk i lëndëzuan, nuk i përmbushën premtimet e dhëna dhe vazhdimi i punimeve dështoi dhe pushoi.

Malajt e Rugovës, ngulmues për ta realizuar ëndrrën e tyre fisnike, themeluan Këshillin Organizativ Qendror, për ndërtimin e Parkut Memorial "Dr. Ibrahim Rugova", i kryesuar nga Sali Jahë Lajçi, kryeplaku i fshatit, Demë Ali Lajçi, dhuruesi i truallit, Cen Lajçi, Fadil Lajçi, Mustafë Lajçi, Bashkim Lajçi, Sali Ramë Lajçi. 

Dhe, nismuan, sërishmi, aksionin. Kontaktin e parë e bënë me kryetarin e Shoqatës Kulturore - Humanitare "Sali Çekaj", Saim Tahiraj, i cili konsultoi kryesinë e Shoqatës dhe Nëndegët e LDK-së në Zvicër. Përgjigja ishte miratuese. Aksioni i filluar në maj, përfundoi brenda muajit, duke tubuar 70.870 franga dhe 2.770 euro. 

Me menaxhimin e mjeteve financiare, u caktua komisioni nga Nënkëshilli: Lush Mulaj, Saim Tahiraj, Qamil Çekaj. Ndërsa për ndërlidhjen mbikëqyrëse, Shoqatë - Këshilli Organizativ Qendror, pjesë e komisionit ishin: Ismet Hoxha-Shala, Bekë Osmanaj, Rasim Gashi.

Shoqata Kulturore - Humanitare "Sali Çekaj", në Bavarinë gjermane, me kryetar Osman Ferizin, mbështeti aksionin e ndërmarrë, nga simotra e saj në Zvicër. Dhe, të dy kryetarët, Saimi dhe Osmani, bashkëluftëtarë të heroit Sali Çekaj, si gjithëherë, edhe tani, u rrjeshtuan së bashku, për realizimin e aksionit financiar. 

Nënkëshilli Organizativ, i krijuar nga treshja: Osman Ferizi, Albanez Muriqi, Idriz Zeqiraj, zgjëruan rrjetin financues me Degën e LDK-së në Gjermani, të ndihmuar nga veprimtarët: Fazli Hajdaraj, Asllan Lajçi, Azem Kelmendi, Tahir Buqolli, Isuf Çetaj, Agim Aliçkaj, Feriz Lukaj, Bekim Muriqi, si dhe shtetet evropiane, ku nuk ishin krijuar Nënkëshillat si dhe në Amerikën e largët, nëpërmjet Shoqatës të atjeshme "Rugova", me anëtarët e Kryesisë të saj: Avdi Dakaj, Lan Lajçi, Rexhë Muriqi, Haxhi Nikçi. 

Shoqatat "Sali Çekaj", në Zvicër dhe Gjermani, Shoqata "Rugova", në Amerikë dhe LDK-ja e Mërgatës, realizuan, suksesshëm, aksionin financiar. 54.000 euro dhe 21.300 dollarë. Financimi i bollshëm realizoi projektin.

Image
Ansambli Folklorik "Rugova"

Punimet plotësuese të Parkut Memorial vazhdojnë

Por, për punimet anësore, plotësuese, që do të bëhen në ditët, javët dhe muajt në vijim, janë të mirëseardhura prurjet  financiare, nga vullnetmirët fisnikë. Tashmë, adresat komunikuese janë legale, të njohura.

Ngutia jonë, për ta përuruar Parkun Memorial "Dr. Ibrahim Rugova", arsyetohet me dëshirën për ta kujtuar datën historike, pothuaj se, të harruar nga pushtetarët, 07 shtatorin 1990, ditën e Shpalljes të Kushtetutës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, nën terrorin pushtues serbo-sllavë. Dhe, kjo është vepër ekskluzive e Dr. Rugovës me shokë.

E pagëzuam Parku Memorial dhe jo, thjeshtë, Memorial, sepse natyra piktoreske e Rugovës, objektet e ndërtuara këtu, gurë e betonim, pa drunjtë, bredha e pishnajë përrreth, janë në kontrast me mjedisin dhe i natyra i refuzon.

Një kënd lojërash për fëmijë, disa ulëse të gurta në anësore si dhe një lokal pijesh freskuese, me ushqime të traditës të Rugovës, joshin vizitorët në çdo stinë të motit.

E gjithë kjo, është porosi e Mërgatës, e gatshme për kontribute të tjera dhe  gjithëherë e përmallur për trojet lindake. Dhe, nuk e vëjmë në dyshim, se Malajt, kreshnikë e fisnikë, dëshirën-kërkesë të mërgimtarëve donatorë të vullnetshëm, të këtij Parku, gjithë sharm e madhështi, do ta përmbushin, në një të ardhme të afërt.

Mërgata falenderuese për partnerët bashkëpunues të saj

Nënkëshillat e Mërgatës shprehin respekt e mirënjohje për kryetarin e komunës të Pejës, Gazmend Muhaxherin, me të cilin kemi pasur një komunikim dhe mirëkuptim të sinqertë, lidhur me Parkun Memorial. 

Mirënjohje nga Mërgata për angazhimin e madh të arkitektit të shkëlqyer, Blerim Bajraktarin; skulptorin Gëzim Muriqin, për realizimin profesional të shtatorës të Presidentit Rugova; ndërtuesit e Kullës, Vëllezërit Demiri nga Açareva e heroit Ismet Rrahmani, të Drenicës si dhe ndërtuesit e Oxhakut dhe mjeshtërit tjerë pjesëmarrës të Parkut Memorial. 

Një mirënjohje dhe përshëndetje të veçantë për Radio-Fontanën, drejtorin e saj Zeqir Mehmetaj, për informimin mjeshtëror dhe sensibilizimin për kryerjen e aksionit; 

Mirënjohje dhe respekt për Redaksinë e kombëtarës "Bota Sot", e cila, qoftë si gazetë, qoftë si portal, ka informuar opinioinin, për Parkun Memorial, madje, në mënyrë të përsëritur si dhe mediat tjera informative.

Një kontribut cilësor ka dhënë edhe kryetari i Nëndegës të LDK-së për Rugovën, Blerim Rexhbogaj. Andaj, meriton nderimin tonë.

Mërgata gjithëshqiptare shprehë falenderimin vëllazërorë, për bashkëpunimin e gjithëmbarshëm, me kryesuesin e Këshillit Organizativ Qendror, për ndërtimin e Parkut Memorial "Dr. Ibrahim Rugova", Sali Jahë Lajqi si dhe anëtarët e tjerë të këtij Këshilli.

Nga sot, fshati Malaj i Rugovës, ka një status ndryshe, ka një bukuri të shtuar, ka një njohje masive dhe një emër të zëshëm. 

E gëzofshi për jetë e mot Parkun Memorial "Dr. Ibrahim Rugova"!

Lavdi jetës dhe veprës të Presidentit të Përjetshëm Ibrahim Rugova!

Ju falemnderit për vëmendjen!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test