Këtë të dielë, më 01.02.2026, familja do të presë ngushëllime edhe në Zvicër, nga ora 09:00-16:00.
Adresa Shoqata ATDHEU, Chriesilöserstr.52, 7310 Bad Ragaz.
Numrat Kontaktues të familjarëve: Venet Tafilaj, +41 78 710 51 75; Rrustem Tafilaj, +41 76 274 19 87, dhe Valentina Tafilaj Syla, +41 76 489 12 13.
In memoriam: Sali Rrustem Tafilaj,
Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Sali (Rrustem) Tafilaj, ka emigruar në Zvicër në vitin 1980. Ashtu si shumica e mërgimtarëve të asaj kohe, fillimisht ka jetuar pa familjen dhe fëmijët. Me kalimin e viteve ai u stabilizua dhe, diku në vitet e nëntëdhjeta, arriti të bashkonte familjen e tij, duke jetuar pothuajse gjatë gjithë kohës në Kantonin Graubünden (GR).
Personalisht e kam njohur gjatë viteve të nëntëdhjeta, me rastin e themelimit të Degës së LDK-së në Zvicër, ku Sali Tafilaj u angazhua me përkushtim të veçantë. Ai njihej si një ndër veprimtarët më të dalluar që kjo Degë kishte nëpër Nëndegë dhe Kantone, duke u shquar për seriozitetin, disiplinën dhe frymën e tij demokratike.
Sali Tafilaj ka lindur më 05 korrik 1943, në fshatin Lëbushë, komuna e Deçanit. Jo vetëm ai, por e tërë familja e tij ka qenë e angazhuar në lëvizjet ilegale të kohës, duke bartur pasojat e pashmangshme të regjimit komunist: burgosje, izolime dhe forma të tjera represioni, të njohura mirë nga sistemi i asaj kohe.
Pas emigrimit në Zvicër, për Sali Tafilajn, Lëvizja Popullore e Kosovës ishte zgjedhja e vetme dhe e natyrshme. Pa hezitim, ai dha kontributin e tij si atdhetar i devotshëm në këtë lëvizje. Me themelimin e Degës së LDK-së në Zvicër, ai u rreshtua fuqishëm në këtë subjekt politik, duke qenë ndër mbrojtësit më fanatikë të demokracisë. Shpeshherë theksonte se Zvicra dhe vendet e Evropës Perëndimore janë zhvilluar falë sistemit demokratik.
Ai kishte respekt dhe admirim të veçantë për Kryetarin dhe Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Ashtu siç e mbante shallin Presidenti Rugova, edhe Saliun shpesh e shihnim me shall, një simbol i heshtur, por domethënës i përkatësisë së tij politike dhe shpirtërore.
Kontributi i tij ishte i dukshëm edhe në organizimin e mësimit shqip në Kantonin Graubünden. Po ashtu, ai ishte një nga aktivistët e dalluar të Fondit të Trepërqindëshit, si dhe u shqua në të gjitha aktivitetet humanitare dhe kulturore në këtë kanton dhe më gjerë.
Në vitin 1998, Sali Tafilaj u rreshtua hapur përkrah Luftës në Kosovë, duke dhënë shembullin e një demokrati dhe patrioti të vërtetë. Kontributi i tij për Luftën e UÇK-së nuk ishte i kufizuar: ardhjet dhe kthimet e tij të shpeshta në Kosovë gjatë atyre dy viteve ishin të rralla dhe të papërsëritshme. Së bashku me mërgimtarët e fshatit Lëbushë, ai u bë shembull i organizimit dhe solidaritetit, duke kontribuar me mjete lufte, veshmbathje dhe armatim për banorët e fshatit dhe tërë Rrafshin e Dukagjinit.
Për këtë veprimtari, ai u dekorua me mirënjohjen: “VETERAN I UÇK-së” - Zona Operative e Dukagjinit.
Sali (Rrustem) Tafilaj ka ndërruar jetë në Zvicër më 15 janar 2026, dhe është varrosur me nderime familjare në vendlindjen e tij, Lëbushë të Deçanit. (St. Gallen, 26 janar 2026, Sh. DIBRANI)