Liberalizim para vitit të ri, rrena e madhe e Haradinajt për qytetarët - Bota Sot
Liberalizim para vitit të ri, rrena e madhe e Haradinajt për qytetarët

Politika

Liberalizim para vitit të ri, rrena e madhe e Haradinajt për qytetarët

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 20 dhjetor 2018 Në ora: 07:56
Ramush Haradinaj

Derisa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk merr pjesë në takimin e kryeministrave të Ballkanit, shkak i përplasjeve me Federica Mogherinin, kreu i qeverisë së Kosovës gjen kohë të premtojë liberalizëm të vizave për qytetarët, dhe atë brenda vitit 2018, ku kanë mbetur vetëm edhe 12 ditë deri në përfundim të këtij viti.

I pari i qeverisë Ramush Haradinaj, arriti të nxjerrë edhe një premtim të fundit për liberalizim të vizave, gjersa kujtojmë se një gjë të tillë e kishte bërë me të marrë mandatin si kryeministër, kur atëbotë kishte premtuar se një gjë e tillë do të ndodh në afatin tre mujor.

“Ne tani kemi dy kërkesa për BE-në e kemi normalizimi i dialogut dhe liberalizimi i vizave, këto dyja janë në proces kjo nuk ndërlidhet me taksën kjo është e ndarë. Besoj se do ta marrim liberalizimin jo shumë larg, para Vitit të Ri, por kjo nuk ndërlidhet me taksën”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.

Opozita konsideron se ketë vit qytetarët e Kosovës nuk do marrin lajmin e madh për vizat, ndërsa nëse ndodh shkëmbim taksë-viza, Qeveria Haradinaj, duhet të jap dorëheqje së bashku me ketë vendim.

E, shoqëria civile, është me shpresë dhe dëshiron të besojë se  kryeministri Haradinaj ka informacione zyrtare dhe të besueshme pasi këto ditë kishte takime me zyrtarët e lartë evropian. Por në të njëjtën kohë bëjnë me dije se përfaqësuesit e institucioneve duhet të jenë të matur dhe të saktë në aspektin procedural të vendim-marrjes.

Lidhur me këtë, gazeta “Bota sot” ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të Qeverisë së Kosovës, për të pyetur se a kanë ndonjë informacion me ketë premtim, por zyrtarët e këtij institucioni nuk kanë dhënë një përgjigje.

Deputetja e VV-së: Nëse hiqet taksa për viza, Qeveria të jap dorëheqje

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është e ditur tashmë se ketë vit qytetarët e Kosovës nuk do marrin lajmin e madh për vizat.

“Gjithçka është e ditur se ketë vit qytetarët e Kosovës nuk do të udhëtojnë pa viza. Tanimë në aspektin procedural kjo gjë është e pamundur”, ka thënë deputetja e opozitës.

Tutje për gazetën, Millaku ka nënvizuar se nëse ndodh një gjë e tillë, pra heqja e taksës për mallrat e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovine, Qeveria aktuale duhet të jap dorëheqje para vitit të ri.

“Nëse taksat hiqen në këmbim të vizave atëherë Qeveria duhet para vitit të ri të jap dorëheqje”, ka përfunduar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”.

Tahiri: Dua të besoj se kryeministri Haradinaj ka informacione zyrtare

Image
Ramush Tahiri

Politologu i njohur në vend, Ramush Tahiri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, duke e komentuar premtimin e kryeministrit Haradinaj, ka thënë se do ishte e mirëpritur që të ndodhë një gjë e tillë, por ai shpreh skepticizëm, pasi kanë mbetur krejt pak ditë deri në përfundim të vitit.

“Do të ishte mirë sikur të mund të ndodhte që heqja e taksave të këmbehej me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti edhe pse kanë mbetur shume pak ditë përpara Kërshëndellave. Edhe ma herët liderët et e Kosovës, qeveritarë dhe Ministri i Jashtëm patën deklaruar se qytetarët e Kosovës do ta marrin lajmin e gëzuar për Krishtlindjet e sivjetshme që të udhëtojnë lirshëm në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian gjatë marsit të vitit të ardhshëm”, ka thënë Tahiri.

Me tej, Tahiri ka thënë se dëshiron të besojë se  kryeministri Haradinaj ka informacione zyrtare dhe të besueshme pasi këto ditë kishte takime me zyrtarët e lartë evropian Mogerini, Hahn dhe Malstrom, dhe nuk e ka vetëm dëshirë e cila edhe si e tillë është e arsyeshme kur dihet fakti se Kosova i përmbushi pothuajse të gjitha kriteret.

“Dua të besojë se kryeministri Haradinaj ka informacione zyrtare dhe të besueshme pasi së shpejti pati takime me zyrtarët e lartë evropian Mogerini, Hahn dhe Malstrom dhe nuk e ka vetëm dëshirë e cila edhe si e tillë është e arsyeshme kur dihet fakti se Kosova i përmbushi të 95 kriteret dhe të gjitha procedurat i ka të përmbyllura duke mbetur vetëm të marrja e vendimit formal nga Këshilli i Evropës”, ka përfunduar politologu, Ramush Tahiri, për gazetën “Bota sot”.

Kryeziu: Përfaqësuesit e institucioneve të jenë të matur me vizat

Image
Taulant Kryeziu

Taulant Kryeziu, njohës i integrimit evropian dhe kryetar i Bordit te Institutit EPIK, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se duke marrë për bazë agjendën e publikuar në faqen zyrtare të Këshillit, ka konfirmuar se në asnjë prej 10 përbërjeve të Këshillit të BE-së, çështja e liberalizimit të vizave nuk është paraparë të jetë në agjendë të takimeve.

“Ambasadorët janë dakorduar se Këshilli i BE-së do të zhvilloj deri në fund të vitit 2018 takime në këto 10 përbërje të Ministrave të BE-së: Transport, Çështje Ekonomike dhe Financiare, Telekomunikimi, Punësimi, Drejtësia dhe Çështje të Brendshme, Punët e Jashtme, Çështje të Përgjithshme, Bujqësia, Energjia dhe Mjedisi. Duke marr për bazë agjendën e publikuar në faqen zyrtare të Këshillit, mund të konfirmojmë se në asnjë prej 10 përbërjeve të Këshillit të BE-së, çështja e liberalizimit të vizave nuk është paraparë të jetë në agjendë të takimeve. Sot me 19 dhjetor është takim i Këshillit për Transport Energji dhe Telekomunikacion, dhe i fundit për këtë vit me 20 dhjetor është takimi Këshillit për çështje të mjedisit”, ka thënë Kryeziu.

Njohësi i integrimeve evropiane, më tej ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që të jenë të matur dhe të saktë në aspektin procedural të vendim-marrjes në procesin e liberalizimit.

“Në këtë kontekst, duke pas parasysh rëndësinë publike të çështjes së liberalizimit të vizave, ftoj të gjithë përfaqësuesit të institucioneve që të janë të matur dhe të saktë në aspektin procedural të vendim-marrjes në procesin e liberalizimit të vizave”, ka përfunduar njohës i integrimeve evropiane Taulant Kryeziu për gazetën “Bota sot”.

Derisa në anën tjetër kujtojmë se nga vetë zyrtarët e BE-së ka pasur deklarata se liberalizimi mund të pritet në vitin 2020.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...