Grupet kriminale dhe BIA serbe po tentojnë të përsërisin skenarin “Panda”?

Politika

Grupet kriminale dhe BIA serbe po tentojnë të përsërisin skenarin “Panda”?

Nga: D.RR Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 23:02
Foto ilustrim: Incidentet dhe krimet serbe

Shërbimet sekrete serbe në bashkëpunim me grupet kriminale në Mitrovicë, si asnjëherë tjetër janë mobilizuar që të krijojnë incidente me qëllim që të fajësojnë shqiptarët.

Siç raportohet ata po mundohen që të shfrytëzojnë çdo mjetë për të arritur qëllimin e tyre që para faktorit ndërkombëtarë t’i paraqesin shqiptarët si njerëz të rrezikshëm për qytetarët serb, sidomos pas krijimit të Ushtrisë së Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë ka folur për “Bota sot” njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, i cili thotë se këto plane të serbe janë të njohura qysh para tri dekadave, ku thekson se tani veprimet po tentohen të bëhen si në rastin “Panda” para shumë vitesh, që faji iu hodh shqiptarëve, e me këtë rast këta të fundit ranë viktimë e disa vrasjeve si shenjë hakmarrjeje.

Image
Hajrullah Tërnava

“Praktikat e shërbimeve serbe për ne shqiptarët tani janë te njohura. Ata gjithnjë bëjnë çmos për t’i arritur qëllimet e tyre, në kohërat kur e vlerësojnë se me ato të bëra (incidente) i arrijnë qëllimet e veta, për t’i fajësuar shqiptarët që para faktorit ndërkombëtar t’i paraqesin shqiptarët si njerëz të rrezikshëm për qytetaret serb, sidomos pas krijimit të Ushtrisë së Republikës së Kosovës. Të freskëta janë veprimet terroriste të shërbimeve sekrete serbe sikur të viteve të 90 kur në Pejë ne aksionin “Panda“ u ekzekutuan në një restorant serb, një numër serbë të pranishëm në atë lokal, dhe i tërë faji për këto vrasje iu la shqiptarëve, dhe ne shenjë hakmarrje në atë kohë u pushkatuan dhe u vriten shumë qytetarë shqiptarë të rastit si shenjë hakmarrje. Jo fort moti për këtë rast e pranoj edhe vet Kryetari Vuçiq si veprim i turpshëm i asaj kohe nga shërbimet sekrete policore të Serbisë Millosheviqiane”, ka thënë Tërnava.

Por sipas tij, këto plane dhe veprime nuk mund të kenë efektin e vet për shkak se serbët që jetojnë në Mitrovicë janë lodhur nga këto të bëma dhe duan një jetë të qetë dhe stabile.

“Tani edhe këto plane të grupeve kriminale serbe e sidomos të BIA-se serbe për të shkaktuar incidente në Kosovë, janë të dekonspiruara dhe nuk mund të kenë efektin e vetë. Kjo vlen edhe për popullatën serbe në pjesët veriore të Kosovës, e që ditë e për dite, dëgjojmë ankesa nga vetë ajo popullatë serbe, kur deklarohen se ata janë të kërcënuar nga vetë serbët dhe Serbia. Mos të harrojmë se në ato pjesë të veriut, përpos policisë së Kosovës, prania e forcave të KFOR-it, është permanente, dhe kjo i kontribuon faktit të nivelit të lartë të sigurisë në ato pjesë. Edhe pranë dëshpërimit të serbëve të atyre pjesëve ndaj qeverisë së Kosovës, që ndërmorën masën e taksave të 100% si reagim reciprok ndaj Serbisë, e sidomos të krijimit të Ushtrisë, popullata serbe, është e lodhur me këto veprime që po i ndërmerr Serbia dhe po luhet me kartën e viktimës së kësaj popullate serbe, nga ana e shqiptarëve e që nuk është fare e vërtetë, sepse një numër i madh i serbëve të asaj pjese janë më të lodhur me këto propaganda, dhe donë sa më shpejt të jetojnë të qetë në trojet e veta të asaj pjese të Mitrovicës, në fqinjësi të mire me shqiptarët si gjithnjë deri në ato vite që i rikujtojnë edhe vetë ata”, është shprehur ai.

Tërnava përmend edhe rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq. Ndonëse ende zyrtarisht nuk është zbuluar vrasësi, të gjitha pistat të qojnë se grupet kriminale serbe e kanë kryer aktin.

“Rasti me i trishtueshëm që përngjan një montimi të vrasjes më të freskët ishte edhe rasti i Oliver Ivanoviqit, që shërbimet sekrete serbe bërën çmos që fajin t’ua lënë shqiptarëve, edhe që nga vetë serbët pati reagime, dhe i tërë dyshimi i kësaj vrasje mbeti në anën serbe. Serbët tani për raste të tilla të montuara të vrasjeve edhe qoftë të vetë serbëve janë të njohur për opinionin, dhe nuk mund më të përbihen- shiten, prandaj janë demode dhe nuk ju beson më askush. Serbët sipas Kushtetutës së Kosovës gëzojnë të drejta si askush deri më tani në asnjë shtet. Shteti serb duhet njëherë e përgjithmonë të shkëputet nga politikat qëllim këqija ndaj fqinjëve, dhe t’i kontribuoj të mirës fqinjësore, dhe t’iu kërkoj falje të gjitha shteteve që kanë luftuar deri më tani nga vitet 90-1999, e sidomos ta njeh Pavarësinë e Kosovës në këta kufij të tanishëm e të hartës së vitit 1974, dhe t’iu kërkoj falje për krimet gjenocidiale që iu ka shkaktuar shteteve me të cilat kane luftuar, dhe ta vazhdoj rrugëtimin e saj drejtë BE”, theksoi Tërnava për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat