“Dolën nga Danubi i ftohtë frigoriferët me gra e fëmijë shqiptarë”: Serbia e pandëshkuar për krime lufte

Politika

“Dolën nga Danubi i ftohtë frigoriferët me gra e fëmijë shqiptarë”: Serbia e pandëshkuar për krime lufte

Nga: N.Sh Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 08:46
Kriminelët serb

Gjatë kësaj jave Serbia është përballuar me akuza për gjenocid ndaj popullit shqiptar, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ishte i pari presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që në Këshillin e Sigurimit ia përmendi një nga një krimet serbe dhe gjenocidin e tyre ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Pas kësaj, u shfaq aktori dhe regjisori serb Çedomir Petroviç dhe Natasha Kandiq të cilët thanë se në Kosovë, shteti i tyre, Serbia ka kryer gjenocid.

Petroviç, ka përmend masakrat që janë kryer gjatë luftës në Kosovë. Djegien e kufomave në Trepçë, nxjerrjen e kufomave nga Danubi, përdhunimet, plaçkitjet, vrasjet e civilëve..., ndërsa Natasha Kandiq ka thënë edhe njëherë se Serbia është shtet i gjenocidit.

Çedomir Petroviç, gjatë një opinioni të gjatë ka treguar tmerrin që ka kryer Serbia ndaj civilëve shqiptar.

Ai tutje shprehet se, deri në vitin 2008, janë gjetur rreth 800 mbetje mortore të shqiptarëve të vrarë të varrosur në varrezat masive në Serbi.

“Forcat ushtarake e policore serbe gjatë viteve 1998 dhe 1999 kanë bërë shkatërrime të mëdha, masakra, djegie, helmime bunarësh, përdhunime, plaçkitje, vrasje civilësh… Ushtria dhe policia e RFJ-së atëhershme, me udhëheqje të kreut shtetëror, kanë dëbuar nga Kosova mbi 700 mijë shqiptarët Kosovës. Millosheviq ka urdhërua që të gjitha kufomat në Kosovë, që mund të ishin në interes të Tribunalit të Hagës, të mënjanohen. Në furrat e Trepçës u dogjën më shumë se 1.500 kufoma. Dolën nga Danubi i ftohtë frigoriferët me gra e fëmijë shqiptarë. Varreza masive në poligonet e policisë nëpër gjithë Serbinë. Në Batajnicë të Beogradit u gjetën trupat e 980 shqiptarëve e shqiptareve të vrarë. Deri në vitin 2008, janë gjetur rreth 800 mbetje mortore të shqiptarëve të vrarë të varrosur në varrezat masive në Serbi. Në varrezat e Rudnicës dhe te Rashka rreth 250 trupa të shqiptarëve të Kosovës”, shkruan ai.

 “Në vitin 1998, në Prekaz, në rajonin e Drenicës, forca të mëdha ushtarake e policore serbe, të armatosura me tanke, autoblinda e artileri, rrethuan shtëpinë e familjes Jashari dhe tri ditë e tri net kanë shtënë, pa bërë dallime, edhe në gra e fëmijë dhe civilë të tjerë. Helikopterët dhe automjetet ushtarake kanë lëshuar breshëri rafalësh nëpër kulme e pastaj forcat policore kanë hyrë në fshat duke shtënë nëpër shtëpi. Forcat serbe të sigurisë me ndihmën e ushtrisë serbe likuiduan 56 anëtarë të familjes Jashari. Në mesin e tyre edhe 18 gra e 10 fëmijë. Aty u bë gjenocid ndaj një familjeje. Rreth 10 mijë shqiptarë e shqiptare të Kosovës janë vrarë gjatë atyre tre muajve të çmendur të vitit 1999. Çdo kafshë dhe çdo njeri në këtë botë të trishtë ka të drejtë të mbrohet kur sulmohet. Sikur dhe populli i çdo vendi. Shqiptarët kanë qenë ithtarë të politikës paqësore, jo të dhunës, pas kësaj ata filluan rezistencën e armatosur”, shkruan tutje ai në një shkrim autorial të gjatë kushtuar krimeve serbe në Kosovë.

Ndërsa, Natasha Kandiq vuri në dukje se situata aktuale është e vështirë të kuptohet, pasi fillimi i procesit të përcaktimit të përgjegjësisë për krimet ishte çuditërisht i mirë.

Si është e mundur që një shtet që ka kryer krime lufte mbi shqiptarët e Kosovës gjatë bombardimeve të NATO-s merr të drejtën për të vendosur diçka në territorin ku gjëra të tilla janë bërë për një kohë të tillë mizore?

Kjo është një çështje e ngritur nga Natasha Kandiq, themeluese e Qendrës për të Drejtën Humanitare, në diskutimin e panelit "Pajtimi, ballafaqimi me të kaluarën dhe rajonin, ku jemi dhe ku po shkojmë?", organizuar nga Forumi ZFD i Beogradit.

Kandiq tha ka shumë të dhëna materiale, kallëzime penale, raste të transferuara nga Haga, derisa Serbia është gjithnjë e më larg shtetit të së drejtës.

Por, pas gjithë kësaj, çka duhet më tepër për me paditë Serbinë për tërë këto vepra që i ka kryer në Kosovë?

A do ta bëjë këtë Qeveria e Ramush Haradinaj, pasi presidenti Hashim Thaçi disa herë ka premtuar, por nuk ka nisur një iniciativë të tillë?

Kosova ka vetëm një prokuror për të gjykuar krimet e luftës

Image
Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thekson se, Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka vetëm një prokuror që trajton rastet e krimeve të luftës, i cili punon edhe lëndët tjera.

“Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka filluar të marrë kompetenca për të jetuar, ndjekur dhe gjykuar krimet e luftës në Kosovë. Këto kompetenca nga vitit 2014 dhe 2015 janë transferuar plotësisht tek Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, që nga kjo kohë udhëhiqet nga prokurorë vendore.   Edhe përkundër tërë kësaj, sot PSRK ka vetëm një prokurorë që trajton rastet e krimeve të luftës, e cili prokuror punon po ashtu edhe në lëndë tjera si korrupsioni, etj”, thotë Miftaraj për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, Kosova nuk po gjenë vullnet për të ofruar drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë, kurse sa i përket padisë kundër Serbisë, ai shton se, statusi juridik i Kosovës ia pamundëson që të realizoj një gjë të tillë.

“Fatkeqësisht, Kosova si shtet nuk po gjenë vullnetin për të ofruar drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë dhe ndëshkimin e kryesve të krimeve të luftës, ku ka kompetenca dhe mekanizma në fuqi. Përderisa, sa i përket padisë kundër shtetit serb, për krimet e luftës në Kosovë dhe dëmet e shkaktuara, rrethanat dhe statusi juridik i Kosovës në arenën ndërkombëtare pothuajse ia bëjnë të pamundur që një gjë të tillë ta realizoj në praktikë”, thotë Miftaraj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat