Ish-gazetari i luftës: Pas një dështimi 20 vjeçar në dialog, Hashim Thaçi rreh shpatullat e veta për sukses

Politika

Ish-gazetari i luftës: Pas një dështimi 20 vjeçar në dialog, Hashim Thaçi rreh shpatullat e veta për sukses

Nga: G.B Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 15:17
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se do të punojnë seriozisht që në muajt në vazhdim të ndodhë dialogu që rezulton me marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e balancuar, ligjërisht obliguese që Kosova të fitojë njohjen nga Serbia, një marrëveshje e balancuar dhe që i krijon mundësi Kosovës për ndryshimin e Rezolutës 1244 dhe anëtarësimin në OKB.

“Pra, të bëhet një marrëveshje e balancuar, me interes paqeje, stabiliteti, në Kosovë, Serbi dhe tërë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Thaçi në konferencën e fundvitit.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se pas gati 20 vitesh dialog me Serbinë, Thaçi dhe komandantët e tij e patën prioritet shkëputjen nga Serbia dhe tani ka ardhur koha që fuqitë që ia sollën lirinë Kosovës, ta përmbyllin këtë problem.

Image
Rexhep Shahu

“Pas gati 20 vitesh dialog të pa bërë, 20 vite rrotullim në vend për sa i përket dialogut me Serbinë për shkak se komandantët e Hashim Thaçit bashkë me Thaçin nuk patën prioritet shkëputjen dinjitoze me kolonizatorin serb por patën prioritet ta mbajnë me çdo çmim pushtetin për tu pasuruar, ka ardhur ndoshta një moment që fuqitë që ia sollën Kosovës lirinë të lodhura me përrallat trimërisht e banale të Hashim Thaçit, po duan të mbyllet problemi Kosovë, duke mos çuar dëm plotësisht investimin e tyre politik e ushtarak sidomos për luftën 78 ditore nga ajri për lirinë e Kosovës për ta dëbuar Serbinë prej Kosovë”, është shprehur ai.

Shahu thotë se pas dështimit 20 vjeç, Thaçi rrah shpatullat e veta se pritet të mbyllen bisedimet me Serbinë, me humbje për Serbinë dhe jo për Kosovën, derisa shton se drejtuesit në Kosovë po sillen si zyrtarë të Serbisë,  duke bërë që të ndërhyjnë fuqitë e mëdha.

“Pas një dështimi 20 vjeçar H. Thaçi rreh shpatullat e veta se po pritet të mbyllen bisedimet me humbje për Serbinë dhe jo për Kosovën. Mungesa e dinjitetit të drejtuesve të Kosovës në këto dy dekada, sjellja e tyre si inferiore total para Serbisë, sjellja e tyre si zyrtarë të Serbisë të emëruar në Kosovë, e ka çuar punën deri këtu sa të ndërhyjnë fuqitë e mëdha dhe ta mbyllin plagën Kosovë sepse i ka lodhur dy dekada e shumë më herët”, vlerëson Shahu.

Sipas tij, Thaçi ndihet i lumtur si fëmijë, pasi e mendon se do të jetë Vuçiqin në prani të presidentit Trump për nënshkrimin historik

“Thaçi ndjehet i lumtur si fëmijë se mendohet se do të jetë me Vuçiqin në prani të presidentit Trump për nënshkrimin historik. Gjithsesi është një ngushëllim për mua pasi me njerëz e politikanë si Hashim Thaçi që për pushtet e karrige nuk pyesin asgjë dhe pranojnë kushte, liri me kushte, pranojnë të paguajnë me të padrejtë çmime me copa territori, prapë mirë, se do të ishte edhe më keq, të mos largohej kurrë Serbia prej Kosovë”, ka theksuar Rexhep Shahu.

Ai beson se rinia e Kosovës do ta largojë përfundimisht ndikim serb nga Kosova, duke mos dashur të poshtërojë më nënat dhe baballarët.

“Unë dua të besoj vetëm te rinia e Kosovës e cila nuk dëshiron që t’i poshtërohen më tepër baballarët e nënat e tyre prej serbëve, nuk dëshiron të mendohet e të veprohet serbisht më në Kosovë, unë besoj te rinia se Serbia si mendësi do të shporret prej Kosove kur të vijnë të rinjtë e jo politikanët që kanë hije Serbie në kokat e tyre”, ka thënë më tej ai.

Shahu thotë se pavarësisht se si do të jetë marrëveshja finale, Serbia do të këndojë këngë për fitoret dhe për humbjet që ajo i quan fitore.

“Nuk e di se si do të jetë marrëveshja e mirë për të dyja palët, por di se sido që të fitojë apo të humbasë Serbia ajo do të këndojë këngë për fitoret e saj edhe për humbjet që ajo i quan fitore. Ndërsa shqiptarët besoj se do të shpëtojnë prej qeveritareve të paaftë e të padijshëm dhe biznesmenë. Edhe në Kosovë më të pasurit janë pushtetarët e lidhur me bizneset dhe prej përfitimesh shtetërore. Deri tani nga mungesa e qartësisë, dijeve dhe seriozitetit në bisedime, janë rruar vezë nga kuvendarët e Kosovës në bisedat me Serbinë”, ka përfunduar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat