Driton Selmanaj flet rreth përfshirjes së LDK- së në dialog: Nuk bëhemi zyrë sekretarie e Thaçit

Politika

Driton Selmanaj flet rreth përfshirjes së LDK- së në dialog: Nuk bëhemi zyrë sekretarie e Thaçit

Nga: N.H Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 18:38
Driton Selmanaj

Në intervistën ekskluzive për gazetën “Bota sot”, deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, ka folur rreth mundësisë së përfshirjes së partisë së tij në dialogun me Serbinë.

Sipas Selmanajt, LDK ka kërkuar që para formimit të grupit negociator, të mbahen zgjedhje.

“Në shumicën e rasteve thuhet se LDK në momentet e fundit do të bëhet pjesë e këtyre proceseve. Por, unë po ju them me sigurinë më të madhe që ne si LDK duke e parë sepse kjo çështje ka histori, fillimisht e kemi parë se si Hashim Thaçi e ka privatizuar dhe e ka përvetësuar këtë proces, që ne mendojmë se është kundër kushtetutës. Nuk mund ta marrë ashtu, ta uzurpojë për vete dhe më pas e kemi parë një kohë të gjatë, në fillim Haradinajn i cili ka deklaruar se as që do merret me dialog sepse ka punë të tjera. Duke e parë këtë qasje, ne kemi thënë se nuk mund të bëhemi pjesë e këtyre matematikave, madje edhe fyese për popullin e Kosovës, dhe si rezultat i kësaj ne kemi kërkuar zgjedhje, jo për të ardhur LDK-ja në pushtet, por çfarëdo qeverie që do të del nesër jemi të sigurt se do të del më e fuqishme sikurse kjo që i ka 24 parti brenda vetes dhe të fragmentarizume në skajshmëri. Andaj, kërkesa e jonë ka qenë që të ketë zgjedhje, që në mënyrë që pastaj ne të hyjmë në këtë proces. Qëndrimi më i sakë i LDK-së është se ne nuk mund të bëhemi pjesë e këtyre e ekipeve, sepse këto janë pazare politike, nuk janë ekipe që përfaqësojnë interesin e shtetit të Kosovës, janë pazare kurse si nuk mund të bëjmë dhe LDK si partia më e madhe në vend të pranojë të bëhet zyrë sekretarie e presidentit”, është shprehur ai.

Sipas tij, LDK do të luaj rolin e saj në kuadër të opozitës.

“Jemi parti politike opozitare, edhe pse jemi partia më e madhe në vend edhe me zgjedhjet e fundit lokale, megjithatë ne do të kujdesemi maksimalisht që të mbrojmë interesat e shtetit të Kosovës nga pozicioni i partisë politike në opozitë. Do të jemi korrigjues, do ta shikojmë me llupë  ketë proces sepse është procesi më i rëndësishëm dhe çfarëdo rezultati që do kemi nesër do të kemi pasoja ose të mira afatgjate për popullin. Nuk është një çështje që mund të përfundohet më një nënshkrim. Të mirat dhe të këqijat e saj do t’i vuajnë gjeneratat. Prandaj, do të jemi shumë të kujdesshëm që kur të vijë në Kuvend çfarëdo çështje ne ta vulosim ose ta refuzojmë gjithmonë duke e pasur një qëllim themelor, interesin e shtetit. Ky është roli jonë, nuk kemi interes tjetër që ne të bëhemi pjesë e çfarëdo lloj pazari politik të kontrabanduar ose të improvizuar që dikush po provon ta shesë si ekip të unitetit”, është shprehur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat