Viti dramatik, nga humbja e territorit deri në formimin e ushtrisë

Politika

Viti dramatik, nga humbja e territorit deri në formimin e ushtrisë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 30 dhjetor 2018 Në ora: 15:34
Foto ilustrim nga "Bota sot"

E në muajin mars, saktësisht më 21 të atij muaji, Kuvendi mes gazit lotsjellës të hedhur nga Lëvizja Vetëvendosje që e kundërshtonin ashpër këtë veprim, ndërprerjeve të vazhdueshme, sharjeve, ofendimeve, etj, arriti ta miratonte marrëveshjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, e që koalicioni qeverisës e konsideronte marrëveshje historike.

Qytetarët e Republikës së Kosovës filluan vitin 2018 me një plogështi nga politika që po qeveriste. Por që po i mbante sadopak në këmbë shpresa për një përparim në proceset integruese evropiane, e që do t’i bënte këta qytetarë me liberalizim vizash, të lodhur e të rrënuar nga politikat e vendit të tyre. Fillim viti i 2018-s, i gjeti qytetarët me një varfëri të theksuar, e në anën tjetër kryeministri i tyre i ngriti pagat për 100% për pozitën e tij si dhe për të gjithë kabinetin që ai e ka nën ombrellën e tij.

Ditët sa vinin e shkonin, Qeveria Haradinaj emëronte një nga një zëvendësministra, duke e bërë kështu qeverinë me më së shumti zëvendësministra ndonjëherë. Kjo u kritikua shumë mirëpo nuk pati efekt asnjëherë.

Skena politike u trazua në atë kohë me ndarjen e Lëvizjes Vetëvendosje, ku grupi prej 12 deputetësh kaluan në PSD, për të formuar një grup të ri parlamentar brenda Kuvendit të Kosovës. Kjo shkaktoi pothuajse “luftëra” gjatë gjithë vitit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PSD-së që drejtohet nga Shpend Ahmeti.

Vrasja e Oliver Ivanoviç

Image

Në mesin e muajit janar, u vra kryetari i serbëve në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Ai u vra në pjesën veriore të Mitrovicës, e ky po mendohet të jetë akt i kryer nga vet serbët, pasi të gjitha pistat e hetimeve qojnë në këtë drejtim.

Gjithashtu u vlerësua se vrasja e tij kishte të bënte që të shkaktoheshin trazira në rajon, duke ua hedhur fajin shqiptarëve.

Votimi i Demarkacionit

Image

Muaji shkurt ishte muaji kur kryeministri Haradinaj përfundimisht ndërroi qëndrimet e tij sa i përket demarkacionit me Malin e Zi. Ai mori vendim që partia e tij të miratonte marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, ndonëse e kishte kundërshtuar shumë ashpër para një viti kur ishte pjesë e opozitës në atë kohë, madje edhe me dhunë e ofendime.

Pas disa tentimeve, marrëveshja për demarkacionin nuk arriti të kalonte në Kuvend në muajin shkurt, pasi kishte dyshime për votë nga disa deputetë, që ishin edhe të pozitës. E në muajin mars, saktësisht më 21 të atij muaji, Kuvendi mes gazit lotsjellës të hedhur nga Lëvizja Vetëvendosje që e kundërshtonin ashpër këtë veprim, ndërprerjeve të vazhdueshme, sharjeve, ofendimeve, etj, arriti ta miratonte marrëveshjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, e që koalicioni qeverisës e konsideronte marrëveshje historike.

Kurse opozita, respektivisht Lëvizja Vetëvendosje, e konsideroi këtë marrëveshje si falje e 8.200 hektarëve tokë, Malit të Zi.

Pas kësaj marrëveshjeje, kryeministri e të tjerët nga koalicioni qeverisës, e llogaritën punë të kryer liberalizimin e vizave për këtë vit, pasi marrëveshja e demarkacionit ishte kusht i vendosur nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave.

Tërheqja e Listës Serbe nga qeveria Haradinaj dhe arrestimi i Marko Gjuriq

Image

Shefi i së ashtuquajturës zyre për Kosovë, Marko Gjuriq në fundin e muajit mars kishte hyrë në territorin e Republikës së Kosovës pa lejen e këtyre të fundit, e kjo rezultoi me një mobilizim të njësive speciale të policisë së Kosovës, që arritën ta arrestonin Gjuriqin në Mitrovicë, ku po mbante mbledhje me serbët atje.

Pas arrestimit, ai u soll në Prishtinë, i cili posa e zbritën nga veturat e policisë, u tërhoq zvarrë deri në stacionin më të afërt, e kjo bëri jehonë të madhe në të gjithë Evropën.

Por, arrestimi i Marko Gjuriqit nga institucionet e Kosovës, i kushtoi kryeministrit Haradinaj me largim të Listës Serbe nga qeveria, si shenjë revolte për arrestimin e bashkëvendasit të tyre. Kjo e dobësoi qeverinë Haradinaj, mirëpo opozita përkundër zhurmës së madhe nuk arriti asnjëherë ta rrëzonte nga pushteti me mocion mosbesimi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq

Image

Muaji mars ishte shumë i ngjeshur sa i përket ngjarjeve politike. Krejt në fund të këtij muaji, saktësisht më datën 29, gjashtë shtetas turq që jetonin dhe vepronin në Kosovë së bashku me familje, u arrestuan pa paralajmërim nga policia e Kosovës, për t’u ekstraduar menjëherë në Turqi në duart e presidentit Erdorgan. Kryeministri Haradinaj nuk ishte fare në dijeni për këtë ngjare dhe ai ishte informuar kur ata kishin mbërritur në Turqi.

Ende nuk dihet se kush e organizoi këtë arrestim, mirëpo pati shkarkim si ai i Flamur Sefajt si ministër i punëve të brendshme dhe shefi i AKI-së, Driton Gashi.

Thaçi hedhë në treg idenë e tij të rrezikshme për marrëveshjen me Serbinë

Image

Presidenti Hashim Thaçi, në prill të këtij viti që po e lëmë pas, deklaroi se marrëveshja me Serbinë do të jetë e dhimbshme dhe e vështirë, por që është e domosdoshme për proceset integruese në BE dhe OKB.

Për rreth 4-5 muaj, presidenti ndërroi tre herë qëndrimet e tij për dialogun, duke ia filluar nga ideja për ndarje të territoreve, pastaj në shkëmbimin e tyre dhe krejt në fund në korrigjimin e kufirit. Thaçi vazhdimisht mbante konferenca për të paralajmëruar se një marrëveshje e madhe dhe e dhimbshme po vjen.

KE me raport pozitiv për vizat

Image

Komisioni Evropian në muajin korrik dha raport pozitiv për Kosovën, duke i hapur rrugë shtetit më të ri në Evropë që të kalonte në proceset e tjera të liberalizimit të vizave.

Protestat kundër idesë së Thaçit

Image

Më 29 shtator, Lëvizja Vetëvendosje organizoi një protestë madhështore që mbushi sheshet e Prishtinës nga qytetarë prej gjithë Kosovës që kishin dalë për t’i kundërshtuar idetë e Thaçit për prekje kufijsh në marrëveshjen përfundimtare Kosovë – Serbi.

Protesta u zhvillua e qetë në të cilën morën pjesë edhe disa deputetë të tjerë të opozitë, e nga ta kishte edhe prej PSD.

Kur po zhvilloheshin protestat, presidenti Thaçi kishte shkuar në veri të Mitrovicës dhe në liqenin e Ujmanit për të bërë një vizitë atje, e që ishte më shumë shpërqendrim i vëmendjes nga protesta e VV-së.

Fillimi i punës së Gjykatës Speciale

Image

Në fillim të dhjetorit 2018, Gjykata Speciale heshturazi dhe pa paralajmërim filloi punën e saj. Ftesa e parë i shkoi ish komandantit të zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa. Pas tij u thirr edhe ish komandanti i zonës së Drenicës, Sami Lushtaku, pastaj Sokol Dobruna e disa të tjerë.

Viti 2019 pritet që të ketë punë edhe më efektive të Gjykatës Speciale. Sipas thirrjeve që filluar t’i bëjë që në start të kësaj pune, pritet që deri në fund të 2019 të ketë aktgjykim serioz ndaj dikujt.

Gjithsesi, lufta e UÇK-së do të mbetet përherë e shenjtë, ndërsa individët e mundshëm që do të mund të akuzohen nga Gjykata Speciale, nuk do e përfaqësojnë asnjëherë UÇK-në.

Dështimi i Kosovës në INTERPOL dhe Taksa 100%

Image

Një entuziazëm i madh nga pushtetarët e Kosovës për anëtarësimin në INTERPOL që kishte zero skepticizëm, u kthye në zhgënjim të madh për Kosovën.

Ajo nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme nga vendet e tjera që të jetë pjesë e kësaj organizate, e kjo për shkak të luftës speciale të Serbisë kundër Kosovës.

E kjo irritoi së tepërmi kryeministrin Haradinaj, i cili menjëherë të nesërmen vendosi taksë 100% për mallrat serbe që hynë në Kosovë. Kjo pati reagime të shumta nga Serbia, por edhe nga Bashkimi Evropian të cilët vazhdimisht bëjnë presion që taksa të hiqet.

Mirëpo kryeministri Haradinaj është më se i vendosur që ajo nuk do të hiqet derisa Serbia ta njeh Kosovën si shtet të pavarur me kufijtë ekzistues. Madje, kryeministri Haradinaj pati një tension me Ferederica Mogherinin para pak javësh, pasi nuk arritën të gjejnë një gjuhë të përbashkët.

Taksa e vendosur i ka shkaktuar humbje të madhe ekonomike shtetit serb, të cilët eksportin e madh e kanë pasur në Kosovë. Shumë fabrika atje janë mbyllur, ndërsa qytetarët serb kanë dalur në protesta kundër politikës së Vuçiq.

Taksa e vendosur nga qeveria e Kosovës është pritur mirë te qytetarët e vendit.

USHTRIA

Image

Pa dyshim, ngjarja më e rëndësishme e këtij viti konsiderohet votimi i tri projektligjeve që i hapën rrugë formimit të ushtrisë së Kosovës.

Si maja e të arriturave të Kosovës në vitin që po e lëmë pas, është transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës. Qeveria e Kosovës si dhe gjithë populli i sajë, për këtë të arritur duhet falënderuar aleatët tanë jetik, SHBA, Gjermani, Britani e Madhe, France, Turqi dhe te tjerë, të cilëve ju jemi mirënjohës
për jete. Ushtria e jonë do të jetë shembull për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Spektri politik në vend u bënë së bashku njëzëri për të miratuar tri projektligjet që transformojnë FSK-në në Ushtri të Kosovës. Përveç Listës Serbe, të gjitha partitë politike unanimisht dhanë votën pro për formimin e ushtrisë së Kosovës.

Para votimit të ligjeve, NATO doli me deklaratë e cila kundërshtonte ushtrinë e Kosovës duke e konsideruar atë si të ngutshme dhe të pasigurt. Me këto deklarata NATO uli pak besimin e qytetarëve të Kosovës se do të bëhet ushtria, mirëpo në skenë doli miku historik i Shqiptarëve, Amerika. Kjo e fundit e përkrahi maksimalisht ushtrinë e Kosovës, duke thënë se do të sjellë paqe në rajon. Madje, Amerika menjëherë furnizoi me mjete ushtarake shtetin e Kosovës dhe ushtrinë më të re në botë.

Ky veprim i kësaj legjislature, po vlerësohet si akti më i mirë i kryer ndonjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kuvendi e miratoi amanetin e shumë dëshmorëve që ranë për lirinë e këtij vendi, e që ëndërronin që Kosova të ketë një ditë ushtrinë e saj.

Sigurisht që Ushtria e Kosovës iu dhembi serbëve, të cilët e kundërshtuan ashpër, madje thirrën mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Atje u turpëruan edhe më shumë kur presidenti Thaçi i numëroi para të gjithë botës krimet serbe dhe gjenocidin e kryer në Kosovë.

Ushtria i dha Kosovës epitetin e një shteti serioz, të pavarur dhe demokratik, që synon që përmes saj të sjellë paqe në rajon e më gjerë. Një shtet i pjekur që tani është i gatshëm të marrë vendime të mëdha edhe vet. Do të quhej vit i dekadës ky pas shpalljes së pavarësisë nëse qeveria aktuale e Kosovës nuk do të bënte gabime që shkaktuan ekonomi të dobët, papunësi, korrupsion e nepotizëm të madh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat