Bashkëpunëtori i ngushtë i Rugovës, tregon të vërtetën e deklaratës për “ndryshim kufijsh” me Serbinë

Politika

Bashkëpunëtori i ngushtë i Rugovës, tregon të vërtetën e deklaratës për “ndryshim kufijsh” me Serbinë

Nga: A.ZH Më: 2 janar 2019 Në ora: 08:49
Presidenti historik Ibrahim Rugova

Muhamet Hamiti, ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Presidentit Ibrahim Rugova dhe këshilltar politik i Presidentit Fatmir Sejdiu, ka thënë se Rugova kishte kundërshtuar të gjitha idetë e ndarjes së Kosovës, apo të prekjes së kufijve të saj.

Ai në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Rugova nuk ka folur për ndryshim kufijsh me Serbinë, mirëpo përcaktimi i tij, ishte Kosova e pavarur e demokratike në kufijtë ekzistues, si zgjidhje kompromisi.

“Unë kam punuar shumë ngushtë me Presidentin Rugova, burrështetasin e parë të Kosovës, gjatë gjithë viteve të nëntëdhjeta. Nga viti 2002 deri kur ndërroi jetë, në janar të vitit 2006, kam qenë zëdhënës dhe këshilltar politik i Presidentit historik. Ai nuk ka folur për ndryshim kufijsh me Serbinë. Përcaktimi i tij ka qenë Kosova e pavarur e demokratike në kufijtë ekzistues, si zgjidhje kompromisi. Në tetor të vitit 1991, Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme kishte miratuar platformën e ‘tri opsioneve” për çështjen shqiptare. Republika e Kosovës në kufijtë aktualë qe opsioni në rast se kufijtë e njësive federale të Jugosllavisë nuk do të ndryshonin. Ata nuk kanë ndryshuar, siç dihet. Përveç kësaj, duhet pasur parasysh faktin se në fillim të procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë, Komisioni i Arbitrazhit i kryesuar nga Robert Badinteri, në fund të vitit 1991 e në fillim të vitit 1992, pranonte kufijtë e republikave jugosllave si kufij ndërkombëtarë. Prej ‘boundaries’ (kufij administrativë) bëheshin ‘frontiers’ (kufij shtetërorë), nëse përdorim terminologjinë në anglisht. Të gjitha republikat bëheshin sukcesore (trashëgimtare) të ish-RFSJ-së, qe opinioni i këtij Komisioni më vonë. Për fatin e keq tonin, kufijtë e Kosovës, mbasi ishte krahinë, ndonëse njësi federale, nuk u njohën si të tillë nga Komisioni Badinter. Ne duhej të bëheshim Republikë, dhe u bëmë, për të siguruar njohjen e kufijve tanë, që ndodhi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Dhe ky si rast ‘sui generis’”, ka deklaruar Hamiti.

Hamiti ka thënë se Rugova, idetë e ndarjes së Kosovës, apo të prekjes së kufijve të saj, i ka kundërshtuar si çështje parimi.

“Presidenti Rugova ka punuar me ngulm për pavarësinë e Kosovës në kufijtë aktualë, duke ditur se çdo përpjekje për ndryshim kufijsh, sidomos projekti serb për shpërkufizim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve (‘razgraničenje izmedju Srba i Albanaca’ në serbisht është pikërisht terminologjia që po përdor Presidenti i Serbisë Vuçiq) është i drejtuar kundër pavarësisë së Kosovës, kundër identitetit të saj si njësi politike-kushtetuese me shumicë shqiptare. Këtë ide kishte dhe u përpoq ta shtynte ndërkombëtarisht shkrimtari shovinist serb Dobrica Çosiq, të cilin Millosheviqi e pati bërë kryetar të Jugosllavisë së cunguar (Serbi e Mal i Zi) në vitin 1992. Idetë e ndarjes së Kosovës, apo të prekjes së kufijve të saj, Rugova i ka kundërshtuar si çështje parimi. Kjo konstatohet lehtësisht nga qindra deklarata të tij publike”, ka thënë më tej profesor Hamiti.

Image
Muhamet Hamiti

Ai akuzuar presidentin e tanishëm Hashim Thaçi, se ka përdorur për hesape politike një pjesë të intervistës së çautorizuar të vitit 1994 të Rugovës, që e kishte bërë bashkëpunëtori i vet Blerim Shala.

“Hashim Thaçi, duke gërmuar fort me bashkëpunëtorin e vet Blerim Shala, i përfshirë për një kohë të gjatë si koordinator në bisedat me Serbinë, ka gjetur së voni një frazë në dukje pajtimi të Rugovës, te një intervistë që kishte bërë Shala me të për “Zëri”-in në vitin 1994, se mund të merrej parasysh një opsion i këmbimit të territoreve. Kjo pjesë e intervistës ishte çautorizuar menjëherë nga vetë Presidenti Rugova, sepse dilte përtej qëndrimeve të tij sistemike dhe binte ndesh me qëndrimet ndërkombëtare, në radhë të parë amerikane. Thaçi e përdori për hesape të veta: për të gjetur justifikim për politikën e ndryshimit të kufijve, që po ndjek, duke u pasë pajtuar ashiqare me idenë e Vuçiqit e Daçiqit, dy anëtarëve të kabinetit të luftës të Millosheviqit në kohën e luftës së Kosovës”, është shprehur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat